Më shumë se shqetësuese, tragjike mbetet vdekja e një numri të madh të fëmijëve dhe foshnjave, të cilat ndërruan jetë nga pakujdesia e mjekëve siç ishte foshnja 14 muajshe, e cila ndërroi jetë pasi nuk u pranua në spital, ndërsa ministri Taravari edhe pse e konfirmoi se ka pasur lëshime dhe foshnja nuk është pranuar në spital dhe deklaroi se dikush duhet të mbajë përgjegjësi në raste të tilla tragjike, ende askush nuk është shkarkuar apo mbajtur përgjegjësinë. Viktimë të mjekëve u bë edhe një fëmijë 7-vjeçar, një tjetër 5-vjeç, foshnja 7 muajshe, e cila është edhe viktima e fundit e sistemit shëndetësor
Besa IBRAIMI
Shkup, 2 janar – “Për mua është privilegj dhe përgjegjësi. Kur u diplomova si mjek u betova se do të jem në shërbim të njeriut dhe shëndetit të tij pa asnjë dallim dhe me çdo mundësi, sot betohem njësoj si atëherë që do të jem në shërbimin tuaj me të njëjtin përkushtim”, pati deklaroi Arben Taravari ditën kur e mori detyrën si ministër i Shëndetësisë. Por, nëse e shohim gjendjen në terren, duket sikur ky vit ishte viti i tronditjeve të shëndetësisë me vdekjet e shumta të fëmijëve, lehonave, shkarkimeve, protestave të punonjësve, e përleshje mes mjekëve.
Taravari punën e filloi me shkarkimet e drejtorëve ekonomik duke theksuar se për dy muaj – pret të mos ketë më drejtor ekonomik. “Sot do të shkarkon 7-8 drejtorë nga gjithsej 14, pra ata që u ka skaduar mandati. Meqenëse mandati i tyre do të përfundojë, të gjithë do të veprojnë dhe të tjerët do të shkarkohen. Kemi edhe drejtor për të cilët ka vendim dhe për ta do të duhet të bëhen ndryshime ligjore. Por, prej që për dy muaj të mos ketë më drejtorë ekonomik”, ishte deklarata e Taravarit sa i përket shkarkimeve.
Problem serioz ishte edhe problemi me sallat e operacionit në Qendrën Klinike, ku sipas ministrit të asaj kohe, Ilir Demiri, incidenti kishte ndodhur për shkak të dëmtimit të një kompresori të vjetër që ka shkaktuar hyrjen e vajit në tubacionet e oksigjenit. Edhe pas kërkesës së ish-ministrit Demiri për ndërrimin urgjent të kompresorit pasi bëhej fjalë për jetë njerëzore, ministri Taravari njoftoi se deri në dhjetor – sallat e operacionit në Qendrën Klinike do të punojnë me kapacitet të reduktuar.
Ndërsa më shumë se shqetësuese, tragjike mbetet vdekja e një numri të madh të fëmijëve dhe foshnjave, të cilat ndërruan jetë nga pakujdesia e mjekëve siç ishte foshnja 14 muajshe, e cila ndërroi jetë pasi nuk u pranua në spital, ndërsa ministri Taravari edhe pse e konfirmoi se ka pasur lëshime dhe foshnja nuk është pranuar në spital dhe deklaroi se dikush duhet të mbajë përgjegjësi në raste të tilla tragjike, ende askush nuk është shkarkuar apo mbajtur përgjegjësinë. Viktimë të mjekëve u bë edhe një fëmijë 7-vjeçar, një tjetër 5-vjeç, foshnja 7 muajshe, e cila është edhe viktima e fundit e sistemit shëndetësor.
Shqetësuese janë edhe të dhënat e Fondit të Sigurimit Shëndetësor se rreth 260 mijë gra të cilat kanë sigurim shëndetësor, nuk kanë gjinekolog familjar, ndërsa rreth 134 mijë nuk e kanë asnjërën. Kryetari i Shoqatës së Mjekëve Gjinekolog, Gligor Tofoski, kishte deklaruar se vetëm 33% e grave të anketuara në disa komuna kryejnë kontrolle të rregullta gjinekologjike çdo vit, ndërsa kjo tregon një mungesë të madhe të ndërgjegjësimit dhe qasjes në shërbimet e nevojshme shëndetësore.
Keq na nxori edhe raporti i Komisionit Evropian, sipas të cilit, edhe pse shëndetësia është një nga shfrytëzuesit më të mëdhenj të buxhetit kombëtar, shërbimet inspektuese janë të rrezikuara ndaj korrupsionit. Nuk ka kritere efektive për shënimin e shërbimeve shëndetësore apo ilaçeve. Procedurat për mjekim jashtë vendit nuk janë transparente dhe as objektive. Shpenzimet për shëndetësi nga xhepi personal janë të larta, gjë që është pengesë për qasje të barabartë në shëndetësi, janë vetëm një pjesë e situatave të konstatuara nga KE.
Në bazë të raportit, shëndetësia në Maqedoninë e Veriut ka probleme edhe me zbatimin e legjislacionit kombëtar për pirjen e duhanit, vaksinimin e ulët, financimin e sëmundjeve të rralla, pabarazitë në shëndetësi. Ndërkohë, ikje të mjekëve nga vendi dhe protesta për rritje pagash kishte edhe gjatë vitit 2024. (koha.mk)