Me një shkallë lindshmërie prej 1.48 lindje për çdo grua, Maqedonia po i afrohet mesatares së fertilitetit të BE, ose “fertilitetit të ulët më të ulët”. Me numër lindjesh që vijnë gjithnjë në rënie dhe tendencat për të pasur sa më pak fëmijë
Evis HALILI
Shkup, 11 mars – Me një shkallë prej 1.48 bebe për një grua Maqedonia po i afrohet mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian, ku lindshmëria mesatare është në rënie, duke arritur në shkallën prej 1.38 lindje për çdo grua. Sipas të dhënave më të fundit të Zyrës evropiane të statistikave, shkalla totale e lindshmërisë në BE ka rënë nga 1.46 në 1.38 lindje të gjalla për grua. Në dekadat e fundit, evropianët në përgjithësi kanë pasur më pak fëmijë dhe ky model shpjegon pjesërisht ngadalësimin e rritjes së popullsisë së BE-së. Treguesi më i përdorur i lindshmërisë është shkalla totale e lindshmërisë – numri mesatar i fëmijëve që lindin të gjallë nga një grua gjatë jetës së saj nëse ajo do të kalonte vitet e saj të lindjes së fëmijës në përputhje me normat e fertilitetit të moshës specifike të një viti të caktuar, shkruan gazeta KOHA.
“Një normë totale e lindshmërisë prej rreth 2.1 lindje të gjalla për grua konsiderohet të jetë niveli zëvendësues në vendet e zhvilluara, pra numri mesatar i lindjeve të gjalla për grua që kërkohet për të mbajtur konstante madhësinë e popullsisë në mungesë të migrimit. Një normë totale e fertilitetit nën 1.3 lindje të gjalla për grua shpesh quhet ‘fertiliteti më i ulët-i ulët’. Shkalla totale e lindshmërisë është e krahasueshme midis vendeve, pasi merr parasysh ndryshimet në madhësinë dhe strukturën e popullsisë”, vëren Eusrostat. Sa i takon Maqedonisë, shkalla e fertilitetit mbetet shqetësuese vitet e fundit për shkak të numrit gjithnjë e më të reduktuar të lindjeve. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, në regjistrat e lindjes kanë evidentuar 10.171 të sapolindur, ose 60,8% nga numri i përgjithshëm i lindjeve të gjalla kanë lindur në zonat urbane, ndërsa 6.566 ose 39,2% e fëmijëve kanë lindur në zonat rurale. Pjesën më të madhe në numrin e përgjithshëm të lindjeve e ka rajoni i Shkupit me 40.3 për qind dhe më i vogël rajoni lindor me 5.8 për qind.
“Numri i vdekjeve të foshnjave në zonat urbane është 17, ndërsa në zonat rurale 13 foshnja. Rritja natyrore e popullsisë është negative dhe në zonat urbane është -2553 banorë dhe në zonat rurale -897 banorë”, thuhet në dokumentet e ESHS. Me vitin 2019, rritja natyrale e popullsisë kaloi në shifra negative me minus 601 banorë në minus 3450 në fund të vitit 2023.
Treguesit demografikë në nivel rajonal tregojnë dallime që tregojnë pabarazi në shpërndarjen territoriale të popullsisë. Më i dendur është rajoni i Shkupit dhe më pak i populluar është ai i Vardarit. Ndryshimet janë të dukshme edhe në strukturën e moshës së popullsisë. Pjesëmarrja më e madhe e popullatës së re (0-14 vjeç) është në rajonin e Pollogut dhe Shkupit, ndërsa më e vogël në rajonin lindor. Pjesëmarrja e popullsisë së moshuar (65+) është më e lartë në rajonin e Pollogut dhe Shkupit, dhe më e ulët në rajonin lindor. Treguesit për moshën mesatare të popullsisë konfirmojnë këtë përfundim. Dallimet janë të dukshme edhe në numrin e lindjeve dhe vdekjeve. Në të gjashtë rajonet në 2023, si rezultat i strukturës së pafavorshme moshore dhe fertilitetit të ulët, numri i vdekjeve tejkalon numrin e lindjeve.
Shkalla e fertilitetit në BE ra në 1.51 (në vitin 2020) lindje të gjalla për grua, u rrit pak në 1.53 (në 2021) dhe që nga viti 2022 është ulur përsëri, nga 1.46 (në 2022) në një nivel të ri të ulët prej 1.323 në 20 vjet. Në vitin 2023, Bullgaria kishte normën më të lartë të lindshmërisë totale në BE (1.81 lindje të gjalla për grua), e ndjekur nga Franca (1.66) dhe Hungaria (1.55). Në të kundërt, normat më të ulëta të lindshmërisë u panë në Maltë (1.06 lindje për grua), Spanjë (1.12) dhe Lituani (1.18)”. (koha.mk)