Tetovë, 9 nëntor- Shkolla fillore më e vjetër në Tetovë, Liria është në gjendje të mjerueshme. Si pasojë e pullazit të vjetruar, uji nga reshjet ka depërtuar edhe në katin e dytë, duke rrezikuar kështu nxënësit dhe stafin punues të shkollës. Me këtë rast, nxënësit që në mëngjes kanë dalur para oborrit dhe më pastaj para komunës së Tetovës për të protestuar se nuk do të vijojnë mësimin. Autoritetet e shkollës kanë marrë vendim që të mos zhvillohet mësimi në katin e dytë të objektit, njofton Gazeta Koha.
“Që nga fillimi i reshjeve ditën e martë, situata ka qenë shumë e rëndë sepse janë rrezikuar edhe nxënësit edhe punëtorët. Kemi kontaktuar me Ministrinë e arsimit dhe kemi kërkuar që të vijnë njerëzit kompetent për të konstatuar gjendjen faktike të shkollës tonë dhe të sanohet pullazi i objektit ose të gjendet ndonjë zgjidhje tjetër. Përgjigjja e tyre ka qenë se para zgjedhjeve nuk mund të bëhet asgjë, sepse tashmë investime nuk lejohen nga ana e Komisionit të Antikorupsionit. Jam drejtuar edhe tek Sektori për Veprimtari Publike ku kam kërkuar ndihmën e tyre, që të gjendet një zgjidhje e përkohshme, që të mos rrezikohet jeta e fëmijëve dhe të punësuarve, mirëpo ata kanë premtuar se do të bisedojnë me kryetaren e komunës së Tetovës dhe do të gjendet ndonjë zgjidhje. Kërkesën e parashtrova edhe me shkrim dhe pres sot që të marr përgjigje. Në ndërkohë, nuk kam lejuar që mësimi të zhvillohet në katin e dytë, ku jeta e fëmijëve është e rrezikuar dhe bashkë me puntorët teknik kemi mbyllur katin e dytë, kurse nxënësit janë transferuar në katet tjera. Mësimi është zhvilluar në paralelet e kombinuara por me orar të shkurtuar”, deklaroi drejtoresha e shkollës Shpresa Iseini. Sipas drejtoreshës, kërkesat në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për investime kapitale gjithnjë kanë hasur në vesh të shurdhër dhe përgjigjet kanë qenë negative. “Unë vazhdimisht kam bërë kërkesa që në fillim të mandatit tim të rregullohet puna e shkollës tonë, por përgjigjet vazhdimisht kanë qenë negative. Në qershor të këtij viti kam bërë kërkesë që të bëhen investime kapitale dhe përgjigjja ka qenë negative, por shpresojmë se kjo shkollë do të jetë në programin për investime për vitin e ardhshëm”, tha drejtoresha Shpresa Iseini. Në ndërkohë gjatë ditës pritet që të dalin me qëndrim zyrtarë komuna ose Sektori për Veprimtari publike në kuadër të komunës së Tetovës që është përgjegjës për arsimin. Ndryshe, edhe pse shkolla fillore Liria në Tetovë është ndër më të vjetrat në qytet, megjithatë objekti i kësaj shkolle asnjëherë nuk është rindërtuar apo rikonstruar në mënyrë të mirëfilltë, duke bërë kështu që e njëjta të jetë në rrezik për t`u shembur gjithnjë. (U.H)