E martë, 11 Shkurt, 2025
-3.2 C
Skopje

Shoqata “Tradita” këtë vit do të ndajë çmimin “Selim Ramadani”

Ky çmim do të mbajë emrin e aktorit të gjeneratës së parë të Teatrit të Prishtinës, i cili njëherazi ka qenë i pari aktor profesionist nga Tetova

Urim HASIPI

Tetovë, 12 janar – Bordi i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” me seli në  Tetovë, mbajti mbledhje në të cilën u analizuan projektet kulturore dhe artistike të realizuara gjatë vitit të kaluar. Njëherazi u diskutua edhe lidhur me programin e punës që parashikohet  të realizohet gjatë këtij viti.

Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Selam Sulejmani, për këtë vit janë paraparë shumë aktivitet në mesin e tyre, mbajtja e Edicionit XII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, botimi i revistës për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”, ndarja e Çmimit kombëtar “Ali Vishko”, përfundimi i fazës së dytë të projektit “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe faunës në Malin Sharr – imperativ shoqëror” dhe përkujtimi i personaliteteve të shquara që kanë dhënë kontribut të çmuar dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare.

“Në këtë mbledhje, në vijim të angazhimit tonë për nderimin e figurave të merituara të hapësirave tona, Shoqata për kulturë dhe art ‘Tradita’ mori vendim për themelimin e çmimit ‘Selim Ramadani’. Pra, ky çmim do të mbajë emrin e aktorit të gjeneratës së parë të Teatrit të Prishtinës, i cili njëherazi ka qenë i pari aktor profesionist nga Tetova. Çmimi ‘Selim Ramadani’ do t’u jepet personaliteteve për kontribut të theksuar në lëmin e artit, të letërsisë dhe të kulturës sonë dhe i njëjti do të ndahet në manifestimin e përvitshëm kulturor lidhja na bashkon”, tha Sulejmani.

Ndryshe, më tej, nga kjo shoqatë kanë shpalosur edhe biografinë e aktorit tetovar tashmë të ndjerë Selim Ramadani. Ai lindi në Tetovë më 19 prill 1947. Arsimin fillore të mesëm, respektivisht normalen i kreu në qytetin e lindjes. Qysh si nxënës i shkollës së mesme përfshihet në Grupin e dramës dhe luan role kryesore në dramat e organizuara nga profesorët e gjimnazit dhe të normales. I sugjeruar nga profesor Muedin Hadri, i ndjek studimet në Akademinë e Artit Dramatik në Prishtinë. Studimet i kryen me sukses dhe punësohet si aktor në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë. I takon brezit të parë të aktorëve të teatrit të Kosovës ku ka interpretuar dyzet role kryesore apo dytësore. Ka luajtur role në dramat e autorëve të huaj, por edhe të autorëve shqiptarë.

Ka interpretuar role të veprave të autorëve antikë grekë – Eskilit, Euripidit, Sofokliut. Ka luajtur role edhe në veprat e dramaturgëve evropianë të periudhave të ndryshme, role në dramat e autorëve tanë, përfshi edhe romanin e dramatizuar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, qëndron mes tjerash në njoftimin e shoqatës Tradita.

Duke luajtur në shumë role, ai merr edhe shumë çmime në atë kohë. Me dramën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beketit trupi teatror i Prishtinës merr pjesë në festivalet e dramës të mbajtura nëpër Jugosllavi dhe shpërblehet me çmimin e parë. Në kuadër të Shoqërisë kulturore artistike “Xheladin Zeqiri”, në cilësinë e regjisorit, ka përgatitur disa drama me të cilat ka marrë pjesë edhe në festivalet e dramës në Maqedoni dhe është vlerësuar me çmime. Në dramat e tilla i ka angazhuar studentët dhe nxënësit e gjimnazit dhe të normales. Ka shkruar poezi, tregime të shkurtra, drama për fëmijë dhe drama për të rritur.

Krijimet i ka botuar nëpër revistat letrare të kohës, në Prishtinë dhe  Shkup. Një pjesë e krijimeve të tij janë përfshirë në librin e tij “Një melodi e këputur” të botuar post mortum në vitin 2024. Në libër janë përfshirë edhe një numër fotografish. Në një prej tyre aktorin e shohim me Bekim Fehmiun, ndërsa në një tjetër me Jusuf Gërvallën. Ka qenë i angazhuar edhe në TV-Prishtinë dhe në Radio Prishtinë. Ndërroi jetë  në moshën 30-vjeçare, më 24 gusht 1977. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm