Maqedonia e Veriut është ndër vendet me numrin më të madh të anëtarësimeve në parti politike në Evropë. Madje, një e treta e qytetarëve gjatë fushatës së fundit zgjedhore në vitin 2024 kanë marrë pjesë në ndonjë tubim, miting ose ngjarje publike të organizuar nga një parti e caktuar politike
Ersan PAJAZITI
Shkup, 23 janar – Politika çdo ditë e më shumë po zë vendin kryesor në shoqërinë tonë. Këtë e vërteton edhe një hulumtim i fundit në të cilin nënvizohet se çdo i shtati qytetar i Maqedonisë së Veriut, është anëtar i një partie politike. Me këtë, vendi është ndër vendet me numrin më të madh të anëtarësimeve në parti politike në Evropë. Madje, një e treta e qytetarëve gjatë fushatës së fundit zgjedhore në vitin 2024 kanë marrë pjesë në ndonjë tubim, miting ose ngjarje publike të organizuar nga një parti e caktuar politike. Këtë e tregojnë rezultatet e hulumtimit krahasues të sistemeve zgjedhore, të realizuar nga Instituti për Hulumtime Sociologjike dhe Politiko-Juridike pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup në bashkëpunim me Institutin për Demokraci “Societas Civilis” Shkup dhe Programin për Mbështetjen e Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas hulumtimit, më së shumti votohet sipas vijës etnike, megjithëse ka përjashtime, të cilat janë shumë të rralla dhe lidhen vetëm me disa opsione të caktuara politike. Nga partitë maqedonase, vetëm dy kanë një trup votues mes qytetarëve shqiptarë dhe pjesëtarëve të bashkësive të tjera etnike. Maqedonasit, siç tregojnë rezultatet e hulumtimit, nuk votojnë për partitë shqiptare.
Docenti Jovan Bliznakovski nga Instituti për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” thotë se hulumtimi tregon se qytetarët shpeshherë janë të përfshirë në aktivitete partiake, gjegjësisht se një pjesë e madhe e tyre janë pjesë e aktiviteteve në baza mujore. “Gratë dhe të rinjtë janë më pak të përfshirë në proceset politike, dhe bazuar në hulumtimet, të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç janë më pak të interesuar për përfshirjen e partive” thotë ai.
Profesori universitar Murat Aliu vlerëson se shoqëria në vendin tonë është në krizë të madhe të klientelizmit. Duke komentuar rreth shifrave të këtij hulumtimi profesori Aliu për gazetën KOHA vlerëson se politizimi, që nënkupton interesin për politikën apo çështjet publike, është një aspekt thelbësor dhe pozitiv në një shoqëri demokratike, mirëpo tejet shqetësues është fakti që shoqëria jonë është e partizuar dhe si e tillë nuk shërben për të mirë. “Ajo çka ndodh tek është partizimi ose politizimi i shoqërisë por jo për të kontribuar në opinionin apo të mirën e përgjithshme, por për të realizuar interesa personale. Pra, ky politizim është në marrëdhënie të ngushtë me klientelizmin dhe realizimin e interesave individuale. Duke qenë kështu, ky lloj politizimi, pra vendosja e interesave personale përpara interesave të komunitetit, nuk është që ndikon pozitivisht në zhvillimin e shoqërisë, por është e kundërta.”, vlerëson profesori universitar Aliu.
Hulumtimi gjithashtu tregon se elektorati, në masë të madhe, ishte i pakënaqur me punën e Qeverisë së mëparshme nga viti 2020 deri në vitin 2024. Megjithatë, pakënaqësia ndryshon sipas vijës etnike. “Kështu, tek maqedonasit etnikë pakënaqësia është dukshëm më e madhe sesa tek shqiptarët etnikë. Këtu mund të shihet i gjithë rezultati i zgjedhjeve të vitit të kaluar si një lloj ndëshkimi për Qeverinë e mëparshme të LSDM-së. Çfarë mund të pritet është e vështirë të thuhet. Do të duhet të presim dhe të shohim se si kjo qeveri do të veprojë dhe si elektorati do të reagojë në të ardhmen”, tha profesori universitar Bliznakovski.
Gratë dhe të rinjtë janë më pak të përfshirë në proceset politike, dhe bazuar në hulumtimet, të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç janë më pak të interesuar për përfshirjen partiake. Këto, beson profesori i asociuar Bliznakovski, janë disa gjëra që do të duhet t’i tejkalojmë në të ardhmen për të arritur një shoqëri më kohezive. Ky hulumtim tregon përmes shifrave se partitë kanë një organ të vazhdueshëm votimi, por edhe sa vota kanë rrjedhur nga një parti apo koalicion në tjetrin. Kur janë pyetur nëse votojnë për të njëjtën parti në të gjitha zgjedhjet, 37.4% e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, 29.8% kanë thënë se votojnë për të njëjtën parti në shumicën e zgjedhjeve, 25.3% kanë thënë se votojnë për një parti të ndryshme, ndërsa 1.1% kanë thënë se mos votoni kurrë. Hulumtimi është kryer nga data 25 tetor deri më 4 dhjetor 2024 dhe janë realizuar gjithsej 1056 anketa, me një përqindje përgjigje prej 56.2 për qind. (koha.mk)