Një shpërthim i fuqishëm që dyshohet se ishte granatë dore është dëgjuar në “Lagjen e “Boshnjakëve” në Veri të Mitrovicës të enjten.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani. “Mbrëmë rreth orë 22:40 ka ndodhur një shpërthim në Lagjen e Boshnjakëve në një shtëpi. Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar dyshohet se kemi të bëjmë me shpërthim të granatës së dorës M75”, tha ai.
Por, sipas Elshanit, pos dëmeve materiale nuk ka pasur ndonjë person të lënduar, derisa polica po e heton rastin.
Ndërsa sipas raportit 24-orësh të policisë, në Gjilan janë arrestuar tre të dyshuar dy shtetas të Kosovës një femër dhe një mashkull dhe një shtetas i Serbisë, pasi pas një pune hetimore me vendim të gjykatës është bastisur banesa e njërit nga të dyshuarit, ku ndodheshin edhe dy të dyshuarit tjerë.
“Si provë materiale janë gjetur dhe sekuestruar disa paketime me një sasi prej 65.6 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë dhe 220 euro para kesh”, thuhet në njoftim. Ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Sipas organeve të rendit në Mitrovicë të Jugut, pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar fizikisht me një mjetë të mprehtë një grua. “Viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.