Për Rusinë dhe kundër Bashkimit Evropian dhe kundër SHBA-ve. Përveç shqiptarëve, konkretisht Shqipërisë, Kosovës dhe pjesës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor më shumë duan politikë me Moskën zyrtare sesa me Brukselin dhe Ushingtonin. Anketa e fundit e IRI-t amerikan tregon se, në Ballkan, vetëm shqiptarët e mbajnë gjallë Perëndimin
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 18 prill – Ajo që thuhej dhe mendohej gjithmonë, tashmë është dëshmuar. Pro-politikave të Perëndimit, konkretisht të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, janë vetëm shqiptarët – konkretisht Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kështu tregojnë të dhënat e sondazhit më të ri të Institutit Republikan Ndërkombëtar – IRI për nevojat e Agjencisë IPSOS, sipas të cilës, vetëm në Shqipëri dhe Kosovë – qytetarët thonë se kursi i politikave zyrtare shtetërore duhet të jetë Bashkimi Evropian dhe Perëndimi, shkruan gazeta KOHA.
Në pyetjen se “Cili duhet të jetë kursi i politikës së jashtme të vendit tonë?”, 87 për qind e të anketuarve në Kosovë përgjigjen se BE dhe Perëndimi është rruga e vetme. Në Shqipëri kjo përqindje është 82, në Bosnjë 39 për qind në Mal të Zi kështu mendojnë 36 për qind, në Maqedoninë e Veriut 31 për qind, ndërsa në Serbi vetëm 10 për qind e qytetarëve mendojnë se Beogradi zyrtar duhet të ndjekë politikat e BE-së. Në Serbi ashtu sikurse në Maqedoni, të shumtë janë ata që thonë se, paralelisht me politikat e BE-së, duhet të ndiqen edhe politikat e Moskës zyrtare.
Për bashkëpunimin politik me Rusinë janë shprehur 31 për qind e serbëve të anketuar, ndërsa në Maqedoni kjo përqindje arrin në 23. Në Shqipëri dhe Kosovë, ata që duan bashkëpunim me politikat ruse janë të papërfillshme.
Në pyetjen “A është Bashkimi Evropian serioz në synimin për t’u ofruar anëtarësim vendeve të Ballkanit Perëndimor?”, përgjigjet e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut janë dëshpëruese. Duket se besimi në BE ka rënë dukshëm. Më shumë se 47 për qind e të anketuarve në Maqedoni thonë se BE nuk është serioze kur thotë se vendi është gati për anëtarësim në familjen evropiane, ndërsa vetëm 34 për qind besojnë se BE është e sinqertë. Kjo përqindje në Serbi është shumë më e madhe – rreth 54 për qind nuk i besojnë BE-së, ndërsa 30 për qind thonë se BE është serioze në premtimin e saj. Në Kosovë, 60 për qind thonë se i besojnë BE-së kur thotë se Kosova do të anëtarësohet Union, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje arrin në 54 për qind. Në Bosnjë dhe Hercegovinë – mendimet janë të ndara: 44 për qind i besojnë BE-së, derisa 40 për qind jo, raporton KOHA.
Edhe më shqetësuese janë përgjigjet në pyetjen se “Cilin shtet e konsideroni si aleatin më të rëndësishëm për vendin tënd?”. 34 për qind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut thonë se, Serbia është shteti më miqësor dhe më i rëndësishëm për Maqedoninë. Pason SHBA me 17 për qind, Turqia me 12, Rusia me 8 dhe Shqipëria me 5 për qind. Në Serbi, Rusia konsiderohet si shteto më miqësor dhe më i rëndësishëm për 46 për qind të të anketuarve serb, pason Kina me 14 për qind, Hungaria me 5 për qind dhe Greqia me 3 për qind. Në Mal të Zi, Serbia është miqësore për 32 për qind të malazezëve, SHBA me 20 për qind, Rusia me 9, Turqia me 6 dhe Kina me 3 për qind.
Në Kosovë dhe Shqipëri, situata qëndron krejtësisht ndryshe. Rreth 80 për qind e të anketuarve nga Kosova thonë se SHBA-të janë aleati më i rëndësishëm për vendin, pason Shqipëria me 6 për qind, Gjermani me 5 për qind dhe Turqia me 3 për qind. Në Shqipëri, SHBA-të konsiderohen si më të rëndësishëm për 56 për qind të shqiptarëve, Italia 10 për qind, Turqia 8 për qind dhe Kosova me 5 për qind.
Dallime të mëdha në përgjigje janë vërejtur edhe në pyetjen se “Cilin shtet e konsideroni si kërcënimin kryesor për vendin tënd?”. Nëse për Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjën – Serbia mbetet armiku numër 1, për Malin e Zi dhe për Serbinë – Amerika vazhdon të jetë e urryera. Dallim bën Maqedonia e Veriut, konkretisht Bullgaria ka zënë vendin e parë si shteti që e kërcënon më së shumti Shkupin zyrtar. Rreth 23 për qind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut thonë se Bullgaria është kërcënuesi kryesor, pason Rusia me 12 për qind, ndërsa Kosovën dhe Shqipërinë e shohin 10 dhe 9 për qind e të anketuarve. Në Kosovë, 83 për qind e kosovarëve mendojnë se Serbia mbetet “Armiku nr. 1”, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje arrin në 36. Në Shqipëri, 32 për qind e shqiptarëve mendojnë se Rusia është kërcënim, si dhe Greqia me 9 për qind, shkruan gazeta KOHA.
Ndryshe nga shqiptarët, në Serbi dhe Mal të Zi mendojnë se Amerika është kërcënim për këto dy shtete. Rreth 36 për qind e serbëve e radhitin të parën Amerikën si kërcënuesin kryesor, pason Shqipëria me 18 për qind, Kosova me 10 për qind dhe Kroacinë me 5 për qind. Në Mal të Zi, Amerika konsiderohet si shtet armik për 19 për qind të malazezëve, pason Rusia me 17 për qind, Serbia me 10 për qind, Shqipëria me 8 për qind dhe Kosova me 7 për qind.
Se Ballkani është i afërt me Rusinë dhe kundër BE-së dhe SHBA, tregojnë përgjigjet në pyetjen se, “Deri në çfarë mase mendoni se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë të justifikuara apo të pajustifikuara?”.
Rreth 49 për qind e serbëve të anketuar e justifikojnë agresionin rus në Ukrainë, ndërsa 21 për qind nuk e justifikojnë pushtimin rus. Në Maqedoninë e Veriut, 33 për qind i japin të drejtë agresionit rus, ndërsa 34 për qind shprehen kundër. Në Mal të Zi, 31 për qind janë PËR agresionin rus, ndërsa 44 kundër. Në Kosovë dhe Shqipëri, agresioni rus dënohet sikurse në asnjë vend tjetër. 72 për qind e kosovarëve janë kundër pushtimit rus të Ukrainë, ndërsa vetëm 15 e miratojnë. Në Shqipëri, përqindjqa është 76 kundër dhe 9 për. Shqiptarët, si në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, përgjegjës dhe fajtor për pushtimin rus të Ukrainës e shohin Rusinë, ndërsa kjo nuk ndodhë me serbët, malazezët dhe maqedonasit.
Rreth 53 për qind e serbëve e shohin fajtorin te Perëndimi dhe Ukraina, ndërsa në Mal të Zi kjo përqindje arrin në 35. Maqedonasit etnik që mendojnë se BE dhe Ukraina janë fajtore përfaqësohen me 33 për qind, ndërsa vetëm 17 për qind e shohin përgjegjës Rusinë për luftën që tashmë ka hyrë në vitin e tretë të saj.
Ndryshe, të dhënat janë mbledhur nga 2 shkurti deri më 5 mars 2024, përmes intervistave ballë për ballë në shtëpitë e të anketuarve. Janë intervistuar 1225 qytetarë në Bosnje dhe Hercegovinë, 1203 në Kosovë, 1220 në Maqedoninë e Veriut, 1036 në Mal të Zi, 1238 në Serbi dhe 1216 në Shqipëri. Në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Bosnjë – të anketuar kanë qenë qytetarë nga etni të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.