E hënë, 17 Mars, 2025
15.8 C
Skopje

SHUMË DIPLOMOJNË, PAK GJEJNË PUNË! Diskriminimi i femrave në jetën aktive

Në Maqedoni, 55.1% e grave ishin ekonomikisht joaktive, krahasuar me pjesëmarrjen aktive të burrave, e cila ishte 56.2%, derisa shkalla e pasivitetit ishte 32.8%. Hendeku gjinor në shkallën e punësimit në vitin 2021 ishte 20.3%. Ky hendek ka vazhduar në dekadën e fundit dhe ka mbetur gati dy herë më i lartë se mesatarja e BE-së

Besa IBRAIMI

Shkup, 10 mars – Gratë në Maqedoninë e Veriut përballen me diskriminim të thelluar, të mbështetur nga boshllëqe të mëdha dhe të vazhdueshme në punësim dhe pjesëmarrje në fuqinë punëtore. Gati gjysma ose 46% e grave në moshë pune kanë qenë jashtë fuqisë punëtore krahasuar me 23% të burrave, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave nga regjistrimi i vitit 2021 tregojnë se shkalla e punësimit të grave në vitin 2021 në Maqedoninë e Veriut ka qenë 38.3%, përkatësisht 55.1% e grave ishin ekonomikisht joaktive, krahasuar me pjesëmarrjen aktive të burrave, e cila ishte 56.2%, derisa shkalla e pasivitetit ishte 32.8%. Hendeku gjinor në shkallën e punësimit në vitin 2021 ishte 20.3%. Ky hendek ka vazhduar në dekadën e fundit dhe ka mbetur gati dy herë më i lartë se mesatarja e BE-së.

Ka ende sektorë meshkuj dhe femra, kështu që 63 për qind e të punësuarve në sektorin e arsimit janë femra, dhe 66 për qind e të punësuarve në sektorin e Teknologjisë janë meshkuj. Paga mesatare në Teknologji në dhjetor 2023 ishte mbi 59 mijë denarë, ndërsa në sektorin e arsimit ishte 28.126 denarë ose gjysmë më e ulët. Megjithatë, është inkurajuese të shihet se numri i grave që studiojnë shkencat natyrore dhe teknike, inxhinieri dhe matematikë po rritet. Në vitin 2012 në këto fakultete studionin 12 për qind e femrave, ndërsa në vitin 2023, 43 për qind studente femra. Në ndërkohë, dy herë më shumë gra se burra në zonat rurale kanë statusin e punonjësve të papaguar të familjes. Ka më shumë meshkuj të punësuar sesa femra me arsim fillor dhe të mesëm, por ka më shumë femra që kërkojnë punë sesa meshkuj me arsim të lartë. Dhe, sipas të dhënave zyrtare, vetëm 5% e grave në zonat rurale zotërojnë pronën e tyre dhe problemi nuk është te ligjet, por te normat tradicionale që janë të pranishme në zonat më pak të zhvilluara.

Në një prononcim për gazetën KOHA, Hankush Osmani tha se edhe pse Maqedonia e Veriut ka miratuar legjislacionin e nevojshëm për mos diskriminim gjinor, në veçanti gjatë punësimit, fatkeqësisht në praktik këto akte juridike nuk i shohim. “Kjo është ndër shkaqet kryesore pse kemi një status të këtillë të gruas në shtetin tonë, në shoqërinë tonë. Andaj, u bëj apel të gjithë faktorëve në vend, në veçanti politik bërësve, që çështjen e pjesëmarrjes së gruas në institucione ta shohin me një sy krejtësisht ndryshe”, tha Osmani. Sipas saj, në dekadat e fundit gruaja ka bërë një kërcim të madh në emancipimin e saj, në inkuadrimin në institucionet shkollore, kështu që gjithnjë e më tepër po rritet numri i grave që kryejnë shkollimin e lartë. “Me këtë u tejkalua pengesa e kulturës dhe tradicionales që paraqiteshin ndër pengesat kryesore për avancimin e gruas. Me këtë dëshmon se është e gatshme t’i shërbej edhe shoqërisë por edhe shtetit”, tha Osmani.

Në bazë të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, 140.391 femra kanë përfunduar arsimin e lartë, 16.796 kanë magjistruar dhe 2923 kanë përfunduar doktoraturën, ose në këto tre shkallë, femrat përfaqësohen me 10% më shumë sesa meshkujt. Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut, gratë jetojnë mesatarisht më gjatë se burrat. Sipas jetëgjatësisë në vend, gratë jetojnë 77.9 vjet dhe burrat 73.6 vjet. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave për vitin 2024, shumica e fëmijëve kanë lindur nga nëna të moshës 25 deri në 29 vjeç. Sipas moshës, shumica e martesave lidhen midis nuseve të moshës 20 deri në 24 vjeç. Mosha mesatare e nuses në martesë është 27 vjeç. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm