Nëse tashmë maqedonasit e mësojnë lëndën e gjuhës serbo-kroate, së paku në shkollat e mesme ndoshta është mirë edhe shqiptarët të kenë nga ndonjë orë nga gjuha serbo-kroate, për arsye se nga praktika kjo hapësirë gjuhësore në Jugosllavi është shumë më e pranishme dhe vihet deri te komunikimi, prandaj do të ishte mirë ta njohin edhe këtë gjuhë. Për këtë arsye, propozoj që së paku të zgjerohet në shkollat e mesme, nuk e di se sa kjo është e nevojshme dhe e pranueshme
Nga Qerim LITA
Më 12 janar të vitit 1982, Kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë (më tej KQ e LKM-së), mbajti mbledhje të zgjeruar, ku si pikë e parë dhe më e rëndësishme e rendit të ditës ishte “Situatat dhe problemet në realizimin e veprimtarisë edukative-arsimore në gjuhët e kombësive”. Fjalën hyrëse e mbajti, anëtari i Kryesisë së KQ të LKM-së, Dimçe Bellovski, i cili që në fillim u shpreh kundër disa mendimeve dhe pikëpamjeve të atëhershme, se “veprimtaria nacionaliste dhe irredentiste” tek shqiptarët në RS të Maqedonisë, vinte si “refleksion të ngjarjeve në Kosovë”, pra të demonstratave studentore që shpërthyen në Kosovë gjatë muajve mars-prill 1981 në Prishtinë, që më pas të njëjtat u zgjeruan në mbarë Kosovën. Lidhur këtë, ai në fjalimin e tij të gjatë, shprehet:
“…Nuk është e qëndrueshme dhe, kuptohet se, janë të papranueshme – problemet që në RSM shfaqen në lidhshmëri me manifestimet e nacionalizmit dhe irredentizmit të komentohen vetëm si refleksion të ngjarjeve në Kosovë, edhe pse është e vërtetë se është bërë përpjekje me vite të kryhet ndikimi jo vetëm nga armiku i dëshmuar në Kosovë por edhe nga strukturat udhëheqëse legale të ngarkuar me ide të patronazhimit, për mision të nënës së shqiptarëve në RSFJ, me intervenime të shumta nën firmën e arritjes së barazisë nacionale, të transferimit skematik të kallëpeve nga Kosova në shembullin 80% – 20% në përputhje me strukturën e popullsisë shqiptare dhe popullsisë tjetër në Kosovë.
Gjithashtu, mendoj se, shkaqet për manifestimet e nacionalizmit shqiptar nuk duhet kërkuar vetëm te faktori i jashtëm, te Republika e Shqipërisë etj. Për mendimin tim, nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar në RSM e ka bazën, motivimin dhe burimet e veta autoktone, pavarësisht elementeve për shoqërim dhe aleancë edhe jashtë Republikës sonë. Për LKM-në, në diskutimin e sotshëm, për mendimin tim, me rëndësi janë njohuritë si më poshtë vijon:
e para, është e pranishme dhe zgjeruar vetëdija nacionaliste shqiptare si faktor i cili përfshin disa gjenerata, si faktor ideopolitik i cili prek thellë në jetën tonë të përbashkët dhe në ardhmërnë e përbashkët, prek në themelet dhe në integritetin e bashkësisë sonë;
e dyta, sistemi ekzistues edukativo-arsimor me shmangien nga ligjet dhe me devijimet, është shndërruar në instrument i ndarjes dhe konfrontimit, instrument që kontribuon për zhvillimin dhe përforcimin e mëtejshëm të vetëdijes nacionaliste shqiptare;
e treta, edhe më tej janë të pranishme përpjekjet dhe presionet nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, për të bërë lëshime, të ndjekur nga kuptimet e papranueshme ideore për barazinë dhe presione për realizime deklarative dhe institucionale të cilët nuk kanë lidhje me realizimin e barazisë e të cilët nuk janë në interes të njeriut punëtor e të ri, por shërbejnë vetëm për forcimin e pozitave etatiste të individëve dhe grupimeve të caktuara.
Njohuritë e sipërpërmendura kulmojnë në faktin se fëmijët në vendin tonë janë të ndarë që nga koha e edukimit parashkollor e deri në kohën e shkollimit më të lartë, të ndarë në jetën parashkollore, të ndarë në pushimet shkollore, në ekskursionin shkollor, u ligjërohet histori dhe letërsi e ndryshme, fëmijët janë objekt të indoktrinimit dhe të ndarjes jo vetëm sa i përket gjuhës por edhe sa i përket përkatësisë nacionale e shtetërore…”.
Në mbledhje ishin të pranishëm edhe disa drejtues të atëhershëm komunistë shqiptarë si: Servet Saliu, Fehmi Muça, Servet Havziu, Xhemali Veseli etj. Ky i fundit, në fjalimin e tij, si një pinjoll i dëshmuar i ideologjisë komuniste jugosllave, akuzoi shqiptarët në përgjithësi, në mënyrë të veçantë inteligjencën e saj, e cila siç do të shprehet që nga viti 1968, kishte “kishte dalë me tezën: meqenëse në Tetovë ka më shumë shqiptarë në plan të parë duhet të jenë shqiptarët, e më pas të tjerët”. Duke folur për tekstet shkollore, përkatësisht për plan-programin mësimor të lëndës së historisë, Xh, Veseli shprehet:
“…Nuk mund të pranohet teza se nuk mund të bëhet dallimi mes asaj – se ç’far është nacionale e nacionaliste. A thua është e mundur që fëmijët në një mjedis ku e kanë historinë e vet, janë vra personalitete, hero kombëtar për liri dhe të drejtat, për kombin maqedonas dhe kombësitë – shqiptare e turke, ata të mos e dinë ku dhe përse është vra ai njeri, për cilët ideale është vra, ndërsa e dinë për Bajram Currin, për Lidhjen e Prizrenit, dinë shumë më tepër për Komitetin Shqiptar. Kjo temë duhet të analizohet. A është e mundur në librat tona të mësohet për Komitetin Kombëtar Shqiptar. Gjatë kohës së LNÇ-së në vitin 1941, të gjitha organizatat reaksionare fashiste, sidomos Balli Kombëtar, filluan me shfrytëzimin e tezës së atyre Komiteteve Kombëtare Shqiptare. Motivi bazë, strategjia e tyre themelore orientonte kah qëllimi i komitetit nacionalist shqiptar. Kjo qëndron në librat shkollor me të cilat edukohen fëmijët tanë, rinia jonë….”.
Fjalimi i plotë i Xh. Veselit, ruhet në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fondi KQ i LKM-së (427), të cilin në vazhdim po e paraqesim të plotë:
“…Xhemail Veseli:
Mendoj se është mirë se Kryesia diskuton kështu konkretisht për këto dukuri dhe situata në arsim, më konkretisht në sferën e dukurive në arsim nga kombësitë, posaçërisht nga kombësia shqiptare. Materiali në mënyrë fakto-grafike i jep të gjitha të arriturat dhe situatat e deritanishme në Republikën tonë, nga arsimi fillor e deri te i lartë, si dhe atë – se në atë drejtim ç’far është kryer deri më tash, ç’far rezultate janë arritur në këto fushë në Republikën tonë, me atë që pjesa e dytë – dukuritë dhe devijimet ideologjike si dhe dukuritë ekstreme armiqësore nacionaliste dhe irredentiste, na japin të drejtë që për secilën nga këto çështje, Lidhja e Komunistëve këto procese duhet t’i përcjell vazhdimisht dhe nga një aspekt t’i trajtoj dhe të merr qëndrime të caktuara me qëllim që këto dukuri negative t’i largojmë me kohë.
Mirëpo, kur njeriu do të futej më thellë në esencën e kësaj, do të shoh se ka dukuri dhe tendenca edhe më të rënda dhe më të shprehura në sferën e arsimit, e cila një kohë të gjatë prapa, 10 – 15 vite, në një mënyrë të përsosur, në një mënyrë që nën emblemën nacionale, që askush në shoqërinë tonë socialiste as që është përpjekur ta mohoj, por përkundrazi, janë përpjekur që të arrihet deri te emancipimi sa më i shpejtë i kombësive, konkretisht shqiptare në Republikën tonë, turke etj., paralelisht me afirmimin dhe emancipimin, zhvillimin e marrëdhënieve në Republikën tonë dhe kombit maqedonas.
Duke i vlerësuar të gjitha ato të arritura, njeriu që është anash, i cili mund më konkretisht të arrij deri te këto të dhëna edhe pse ato nuk janë të panjohura në praktikë, për shkak se njerëzit e dinë se këto çështje kanë ndodhur poshtë në bazë, në arsim, në institucione parashkollore, në shkollat tona, institucionet kulturore, në fakultete, etj., a thua është e mundur që në këtë mënyrë një agresivitet, një tendencë, duke e pranuar këtë që shoku Dimçe Bellovski e tha, se nacionalizmi, irredentizmi dhe dukuritë, e kanë autoktoninë e tyre në Republikën tonë, me qëllimin e njëjtë, më gjerësisht dhe jashtë Republikës, që përmes të gjitha këtyre përpjekjeve të mundshme në sferën e arsimit, dhe jo vetëm aty, të krijohet ajo që erdhi në shprehje edhe në Kosovë, ndërsa nga viti 1968, krijimi i Shqipërisë së Madhe. Qëllimi i tezës është ky, pa marrë parasysh dukuritë autoktone të nacionalizmit në sferën e arsimit në Republikën tonë. Prandaj mendoj, se nuk do mundet tërë ajo të ndahet nga qëllimi i tendencave dhe dukurive të tilla.
Meqenëse kjo ka ardhur në shprehje shumë më tepër në arsim përmes literaturës, përmes librave, etj., logjikën e vet e ka në një kritikë më të gjerë të organeve, të njerëzve të cilët kanë pasur mundësi të drejtpërdrejt, të cilët për nga fuqia e kompetencave dhe të ligjeve, në një farë mënyre kanë qenë kompetent të kryejnë një far inspektimi ndaj asaj – se si po edukohet gjenerata e jonë e re, me ç’far literature shfrytëzohet. Jo për shkak se tash japim vlerësime se rinia na është indoktrinuar shumë pas ngjarjes së Kosovës. Ne vërtetë duhet të bëjmë analiza më të thella për atë – si është e mundur në një libër shkollor fëmijët të mësojnë histori – 80 për qind historinë e Shqipërisë, qoftë para luftës ose gjatë luftës, e 20 për qind ndoshta edhe jo aq, të mos e mësojnë historinë e popullit të vet, të kombeve e kombësive të Jugosllavisë, të vendit të vet, e kjo të gjithë, punëtorët e arsimit madje edhe komunistët, udhëheqja, e shohin se kjo është kështu. Nga aspekti politik dhe ideologjik sa kjo është e padrejtë që deri tash këto çështje ti shohim në mënyrë aq pasive. Kjo mund lirisht të vlerësohet se kjo është një sjellje oportuniste. Nuk mund të pranohet teza se nuk mund të bëhet dallimi mes asaj – se ç’far është nacionale e nacionaliste. A thua është e mundur që fëmijët në një mjedis ku e kanë historinë e vet, janë vra personalitete, hero kombëtar për liri dhe të drejtat, për kombin maqedonas dhe kombësitë – shqiptare e turke, ata të mos e dinë ku dhe përse është vra ai njeri, për cilët ideale është vra, ndërsa e dinë për Bajram Currin, për Lidhjen e Prizrenit, dinë shumë më tepër për Komitetin Shqiptar. Kjo temë duhet të analizohet. A është e mundur në librat tona të mësohet për Komitetin Kombëtar Shqiptar. Gjatë kohës së LNÇ-së në vitin 1941, të gjitha organizatat reaksionare fashiste, sidomos Balli Kombëtar, filluan me shfrytëzimin e tezës së atyre Komiteteve Kombëtare Shqiptare. Motivi bazë, strategjia e tyre themelore orientonte kah qëllimi i komitetit nacionalist shqiptar. Kjo qëndron në librat shkollor me të cilat edukohen fëmijët tanë, rinia jonë.
Së dyti, këtu u përmend Lidhja e Prizrenit. Nuk mund të thuhet se në atë kohë nuk kanë luftuar për çlirimin kombëtar, por a nuk mund t’ju thuhet njerëzve, përse nuk bëjnë dallim ndërmjet e asaj se ç’far është Lidhja e Prizrenit në planin kombëtar, e ç’far në planin nacionalist, i cili lufton për ndarjen e kombeve ballkanike, më konkretisht në krijimin e tezës së atij komiteti, krijimi i Shqipërisë së Madhe. Është e njohur se atje kanë marrë pjesë njerëz të lartë politik nga Krahina dhe se për këtë kanë mbajtur referat kryesor, që më pas kanë marrë pjesë në Simpoziumin në Dubrovnik në Cavtat për marrëdhëniet nacionale në Jugosllavi me tezë të tillë. Këto nuk ishin çështje të panjohura në vendin tonë, këto nuk ishin të panjohura për të gjithë ne në Republikën tonë.
Më tej, kur flasim për një tendencë tjetër në sferën e literaturës dhe librave shkollor. Kjo është përcjell që nga viti 1968 me tezën për Shqipërinë e Madhe, e cila tash erdhi në shprehje në Kosovë për krijimin e republikës me tendencat e saj edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe të shqiptarëve gjerësisht në Jugosllavi. Atëherë teza me siguri ishte fillimisht, krijimi i qendrës politike për shqiptarët në Jugosllavi, që tash konkretisht u shndërrua në republikë.
Ajo tezë e vitit 1968 nuk dallohet nga e tanishmja. Sjellja e disa njerëzve nga udhëheqja ndaj këtyre dukurive, nuk mund të vlerësohet vetëm si oportunizëm, por mbështetje të vetëdijshme edhe në Kosovë edhe te ne. Merreni shembullin e vitit 1968 në Tetovë. Nacionalistët dhe irredentistët shqiptar dolën me tezën: meqenëse në Tetovë ka më shumë shqiptarë në plan të parë duhet të jenë shqiptarët, e më pas të tjerët. Tendenca nacionaliste vërehej edhe te udhëheqja e Kosovës. Shembull: regjistrimi i popullsisë në vite 1971 – 1981, kujdes dhe interes i madh, sa është numri dhe situata e vërtetë të shqiptarëve në Jugosllavi e konkretisht në Republikën tonë. Kjo mund të vërehet përmes të gjitha kontakteve, kur interesoheshin për numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Ç’far nën kupton kjo? Të numërohemi – sa jemi dhe ç’far jemi dhe në një mënyrë të tillë paternaliste të shtrohen çështjet para një koncepti tonë të qartë për arritjen e politikës së barazisë së kombeve e kombësive në Maqedoni, përkatësisht në Jugosllavi. Kjo ndikon shumë keq dhe lë pasoja të thella edhe në sferën e arsimit përmes asaj që erdhi në shprehje, mohimit, bojkotimit për ta mësuar gjuhën maqedonase, pa ndonjë sjellje kritike, që do të thotë se në atë mënyrë të izolohet një kombësi, ta mësoj vetëm gjuhën e vet, ta mohoj nevojën që të mësohet gjuha maqedonase. Për këtë nuk është thënë, por përkundrazi, kjo është mbështetur me fjalët: “Pasi maqedonasit nuk e mësojnë lëndën e gjuhës shqipe edhe ne nuk e mësojmë lëndën e gjuhës maqedonase”. Por, në të njëjtën kohë nuk është thënë asgjë përse maqedonasit e mësojnë lëndën e gjuhës serbo-kroate, pastaj askush nuk e ka shtruar pyetjen – përse serbët nuk e mësojnë gjuhën maqedonase. Kjo është një çështje e tillë e cila merr përmasa dhe është shumë jo-parimore dhe nga pikëpamja ideologjike në kundërshtim me konceptin tonë të ideologjisë së Lidhjes së Komunistëve, të vëllazërim bashkimit, që vetvetiu erdhi deri te akti konkret të mohohet, të bojkotohet mësimi i gjuhës maqedonase në shkolla të caktuara, siç është në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Tetovë, pastaj në Gostivar në Gjimnazin në Kërçovë, Strugë në Kumanovë në disa klasa etj. Mendoj se kjo, rrënjët e veta i ka shumë më gjerë se sa mendojmë, e që sot me disa thënie tona mundemi këtë ta bëjmë për tërësinë e marrëdhënieve kah krijimi i asaj bashkësie tonë jo vetëm histori të përbashkët për popullin maqedonas, por edhe kulturë të përbashkët, etj.
Nuk mund të mos them asgjë për disa vite prapa, duke filluar nga viti 1968. Së pari, me shkrimin e “Flakës së Vëllazërimit” – “Tetova shikuar së afërmi”, pasi nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shënjestër u ishte Tetova, me atë artikull, bënë një atak ndaj sistemit tonë. Pastaj, me importimin e librave nga Shqipëria të cilat ishin të rrezikshme me ideologjinë dhe me përmbajtjen e Enver Hoxhës dhe udhëheqësit tjerë të Shqipërisë. Për ato libra, Ismail Bajra – asaj kohe deputet në Kuvendin Federativ, hapi debat para deputetëve dhe na akuzoi neve maqedonasve, përse organet tona i kanë ndaluar ato libra në kufirin me Strugën. I njëjti njeri tash e udhëheq resorin për informim pranë KIF – Beograd. Me të drejtë pyesim se si munde ai njeri të jetë në një vend të tillë?
Më tej, libri i Ali Hadrit që është botuar në Republikën tonë, i cili me siguri se është botuar edhe në Kosovë. Në vitin 1981 e lexova hyrjen e atij libri. Mendoj se nuk duhet ta mbyllim rrethin me atë libër, por sërish të aktualizohet dhe të analizohet deri në fund aspekti politik, historiografik dhe shkencor i atij libri.
Në librin e Ali Hadrit – sulmohet ashpër sistemi ynë – LNÇ-ja jonë, sulmohet politika dhe ideologjia e Lidhjes së Komunistëve, vëllazërim bashkimi i kombeve dhe kombësive tona. Ai e lartëson politikën dhe ideologjinë e Enver Hoxhës dhe të Partisë së Punës në Shqipëri.
Çështja e dytë qe, përpjekja për botimin e antologjisë së poezisë shqiptare. Edhe kjo e ka një përse. Së pari, përse ishin aq këmbëngulës disa personalitete që ajo të botohet në Jugosllavi, konkretisht te ne në Maqedoni, edhe pse aty ka shumë pak shkrimtarë të kombësisë shqiptare si nga Republika e jonë po ashtu edhe nga Kosova, por 90 për qind ishin nga Shqipëria. Mirë është që nuk erdhi deri te botimi i asaj antalogjie, që është meritë e njerëzve të caktuar të cilët e bënë atë me kohë dhe nuk lejuan që ajo antologji të botohet.
Me një fjalë, çështja është shumë ma e gjerë, sesa ne mundemi ti qasemi më konkretisht këtij problemi, konkretisht problemit për atë që edhe Dimçe e përmendi – mbajtja e dy orëve në javë në shkollë të gjuhës maqedonase, përkatësisht mësimin në gjuhën maqedonase. Por, konsideroj se ne duhet të kemi propozim konkret për këtë. Kjo është edhe dëshira, kjo është kërkesa dhe nevoja që fëmijët të kombësisë shqiptare që nuk mund të mësojnë në maqedonisht, në programet mësimore të parashihet që në shkollimin fillor, nëse jo nga klasa e parë, atëherë nga klasa e dytë të mësohet gjuha maqedonase më shumë se 2 orë.
Mendoj se, do të thosha me të drejtë, nëse tashmë maqedonasit e mësojnë lëndën e gjuhës serbo-kroate, së paku në shkollat e mesme ndoshta është mirë edhe shqiptarët të kenë nga ndonjë orë nga gjuha serbokroate, për arsye se nga praktika kjo hapësirë gjuhësore në Jugosllavi është shumë më e pranishme dhe vihet deri te komunikimi, prandaj do të ishte mirë ta njohin edhe këtë gjuhë. Për këtë arsye, propozoj që së paku të zgjerohet në shkollat e mesme, nuk e di se sa kjo është e nevojshme dhe e pranueshme”. (koha.mk)