E shtunë, 22 Mars, 2025
16.8 C
Skopje

SI PO POZICIONOHEN PARTITË PËR KOALICIONET? Qëndrimet e partive politike në Kosovë për koalicionet

Ndryshe nga Haradinaj, një qëndrim më pozitivë për mundësinë e një koalicioni me LVV-në dha partneri i koalicionit, Fatmir Limaj, i cili siguroi tri deputetë brenda koalicionit. Limaj bëri një prerje duke deklaruar se AAK-ja e NISMA ndonëse garuan brenda një koalicioni, janë parti të ndara, andaj edhe nuk e kanë të domosdoshme të votojnë njëjtë. Duke e vënë në pah kontekstin nacional, Limaj nuk e mohoj as mundësinë që të ulet në një tavolinë me Kurtin për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit

Lëvizja Vetëvendosje në Zgjedhjet Parlamentare doli partia e parë me mbi 40 për qind të votave të fituara, por jo mjaftueshëm sa për të formuar e vetme qeverinë e re. Asaj i duhen edhe 13 deputetë shtesë për të formuar një ekzekutiv të brishtë me 61 ligjvënës. Partia aktuale në pushtet është e bindur se do ta formojë qeverinë e re, ndonëse për një gjë të tillë i duhet një partner qeverisës. Për Albin Kurtin është ende herët të flitet për mundësitë e koalicioneve, meqë lideri i LVV-së fillimisht po pret certifikimin e rezultateve. Më e qartë në këtë aspekt është shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së në legjislaturën e kaluar, Mimoza Kusari – Lila, e cila tha se LVV-ja nuk është e hapur për koalicione “jo-parimore” apo për “pazare politike”. Me mbi 22 për qind të votave të fituara, Partia Demokratike e Kosovës doli partia e dytë më 9 shkurt. Lideri i kësaj partie, Memli Krasniqi, u tregua kategorike, duke refuzuar çdo mundësi bashkëpunimi me LVV-në në legjislaturën e 9-të të Kuvendit të Kosovës.

“Jo, nuk shkojmë në koalicion, në asnjë formë, pikë”, tha ai i bindur gjatë një interviste në RTV Dukagjini. Në vlerësimin e tij PDK-ja dhe LVV-në nuk përputhen në pothuajse “asgjë”, andaj, sipas tij, PDK-ja nuk bën koalicion me LVV-në as në skenarin kur asaj i takon posti i kryeministrit.

Përkundrazi PDK-ja po synon që si partia e dytë të punojë për të formuar një qeveri të partive opozitare, në rast se LVV-ja dështon në krijimin e institucioneve të reja. “Si partia e dytë më e madhe ne do të ndërmarrim hapat e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës së votuesve. Ne do të punojmë që të japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar shumica. Nëse nuk mundet partia e parë të formojë institucionet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund ta bëjë qeverinë e re”, tha kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas procesit zgjedhor. Kategorik ndaj LVV-së u treguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e cila u rendit e treta më 9 shkurt. Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, megjithatë la të nënkuptohet se partia e saj me mbi 17 për qind të votave të fituara nuk do të jap “dritë të gjelbër” as një koalicioni të gjerë opozitar për të formuar qeverinë e radhës.

“Nëse populli vendos të na mbajë në opozitë, ne do të qëndrojmë në opozitë”, tha ai. Çdo mundësi bashkëpunim me partinë e parë e ka hedhur poshtë edhe kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – NISMA Socialdemokrate, Ramush Haradinaj.

Në vlerësimin e tij qeverinë e re duhet ta formojnë partitë opozitare, meqë shumicën e ka opozita (52 mandate). “Ka komunikim të ndërsjellë [me opozitën], nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese, por besoj ka gatishmëri që të ecim”, deklaroi Haradinaj. Ndryshe nga Haradinaj, një qëndrim më pozitivë për mundësinë e një koalicioni me LVV-në dha partneri i koalicionit, Fatmir Limaj, i cili siguroi tri deputetë brenda koalicionit. Limaj bëri një prerje duke deklaruar se AAK-ja e NISMA ndonëse garuan brenda një koalicioni, janë parti të ndara, andaj edhe nuk e kanë të domosdoshme të votojnë njëjtë. Duke e vënë në pah kontekstin nacional, Limaj nuk e mohoj as mundësinë që të ulet në një tavolinë me Kurtin për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit.

“Kush të më fton në tavolinë, unë shkoj e ulna, për tema nacionale”, tha ai. Për këtë ofertë të hapur LVV-ja ende nuk dha një qëndrim zyrtar, ndonëse Kusari – Lila tha se në këtë rast nuk mjafton vetëm gatishmëria. “Duhet të diskutohen çështjet më përmbajtjesore”, shtoi ajo. Por, as me votat e NISMËS, Kurti nuk mund të formojë qeverinë, atij i duhen edhe 10 mandate të tjera, të cilët mund t’i gjejë te komunitetet.

Në këtë kontekst pro Kurtit u pozicionua zëvendëskryeministrja aktuale e Kosovës, Emilija Rexhepi, e cila u rizgjodh si deputete nga komuniteti boshnjak. Ajo tha se vota e saj do të jetë për një qeveri të formuar nga Albin Kurti. “Jam e sigurt që Kurti do ta formojë Qeverinë, nuk jam nga ata që ndryshojnë karakterin apo principet brenda natës, të jesh zëvendëskryeministre nga komuniteti boshnjak nuk ka qenë praktikë, në atë pozitë gjithmonë është emëruar ndokush nga komuniteti serb”, u shpreh ajo. Rexhepi u deklarua kundër çdo bashkëpunimi me opozitën. “Jo, nuk shkoj me opozitën”, tha ajo e bindur. Partitë e tjera të komuniteteve nuk janë deklaruar ende për qëndrimet e tyre karshi koalicioneve, ndërkohë Kosova ka hyrë në një fazë të komplikuar të formimit të institucioneve në rrethanat kritike të ndryshimeve gjeopolitike. (Albanian Post)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm