Siguria – edhe për vitin 2024 – në Shqipëri ka qenë e brishtë.
Të tillë e kanë pasqyruar edhe raportet e anketat, prej të cilave ka rezultuar se perceptimet e vet qytetarëve për sigurinë janë në përqindje të ulëta.
Një besim ngjashëm i brishtë, duke marrë në konsideratë se një pjesë e qytetarëve janë shprehur të rezervuar për sigurinë.
Kjo pasi Shqipëria vijon të përballet me një realitet të hidhur dhune, ku konfliktet mes të rinjve dhe dhuna në familje janë ndër fenomenet që minojnë besimin në sigurinë publike.
Rritja e incidenteve të dhunshme dhe femicidi janë sfidat më të cilat përballet i gjithë rajoni, duke nxjerrë në pah nevojën urgjente për masa më të ashpra për të adresuar këto çështje dhe për të garantuar mbrojtjen e të drejtat themelore të individëve.
Nga sondazhi i opinionit publik në vendet e Ballkanit Perëndimor mbi “Qëndrimet ndaj sigurisë: Perceptimet e sigurisë dhe kërcënimet” – SecuriMeter 2024 – ka rezultuar se 39% e qytetarëve besojnë se Ballkani Perëndimor është një vend i sigurt për të jetuar, ose janë plotësisht dakord ose disi dakord me këtë deklaratë.
Por pjesa e të anketuarve që pajtohen plotësisht se rajoni është një vend i sigurt për të jetuar është shumë më i vogël, duke lëvizur midis 3% dhe 8%.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e të anketuarve kanë qenë të rezervuar në pozicionin e tyre. Rreth një e treta janë pajtuar plotësisht ose janë prirur të pajtohen se rajoni është një vend i sigurt për të jetuar, ndërsa 28% nuk kanë mbajtur një pozicion të qartë
Dhe Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë të qytetarëve – të llogaritur në 40% – të cilët nuk pajtohen plotësisht ose kryesisht nuk pajtohen se rajoni është një vend i sigurt.
Përpos krimeve të mirëorganizuara nga grupe kriminale për të ashtuquajturën ‘larje hesapesh’, një fenomen i ri që mund të ndikojë edhe në perceptimet e publikut mbi sigurinë është dhe lulëzimi i një kontingjenti të ri kriminal mes të rinjsh në Shqipëri.
Kjo përfshirje e të rinjve në akte të tilla dhune shihet me shqetësim, pasi prej tyre mbeten viktima – përpos të shënjestruarve – edhe vet autorët e tyre: viktima të dhunës.
Karriera kriminale
Një kontingjent ky, që është evidentuar e raportuar në ambientet ku supozohet që të ngjizet e formohet edukimi i tyre: në shkolla.
Më i rëndë është fakti se ngjarja ka nxitur ngjarjen, dhe pas vrasjes së 18 nëntorit të 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, ka ndodhur një seri ngjarjesh të tjera me natyrë kriminale mes të rinjsh.
Madje, një prej tyre, ende pa u tharë lotët e derdhur në protestën e 21 nëntorit për Martin Canin. Akti i dhunës ndodhi mes studentësh, ku mbeti një i plagosur.
Një cikël i pandërprerë dhune, i cili po vijon. Me thika, doreza, fishekë e armë në duar të adoleshentëve.
Më 13 dhjetor, në Vlorë, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri dhe rreth 130 fishekë, në çantën e një 14-vjeçari.
Pistoleta dhe municioni luftarak mbahej në një çantë dore, ndërsa i mituri u vu në pranga për armëmbajtje pa leje.
Zanafilla është dhuna, e kudogjendur dhe e shfaqur në shumë forma. Më e dhimbshmja, ajo brenda familjes.
Dhuna në Familje
Adresimi i dhunës në familje është përgjithësisht një çështje e heshtur sepse më së shpeshti ndodh prapa dyerve të mbyllura.
Por, nga rastet e vazhdueshme të bëra publike në media, është dëshmuar se fenomeni në vetvete është një çështje e rëndësishme e sigurisë.
Mjaftojnë titujt e lajmeve të kronikës, te të cilat nuk kalon muaji pa raportimin e një rasti të dhunës së ushtruar nga partneri kundrejt bashkëshortes.
14 dhjetor: Vjedhje, dhunë në familje dhe të dehur në timon, arrestohen katër persona në Tiranë.
7 nëntor: Dhunë në familje dhe nën efektin e alkoolit dhe drogës në timon, arrestohen gjashtë persona në Tiranë.
16 tetor: Nga dhuna në familje te droga e drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, disa të arrestuar në Shkodër.
Një çështje e rëndësishme sigurie pasi prek të drejtat themelore të njeriut dhe në shumicën e rasteve mund të rezultojë në lëndime fizike, trauma psikologjike dhe vdekje.
Vendet e rajonit janë bërë nënshkruese të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje që nga viti 2014 dhe kanë krijuar mekanizma për të ndërmarrë masa për t’iu përgjigjur problemit dhe për të matur efektivitetin e tyre.
Por cili është perceptimi i qytetarëve në këtë drejtim?
Nga sondazhi SecuriMeter 2024 është identifikuar se shumica dërrmuese e gati dy të tretave të qytetarëve të rajonit raportuan se nuk kishin miq ose të afërm që kanë përjetuar dhunë në familje.
Në Shqipëri, shifra është 84%.
Por kjo shifër nuk duhet të na bëjë ta marrim si të mirëqenë. Dhuna në familje mund të manifestohet në formën e dhunës fizike ose psikologjike dhe është më e vështirë ta ndash atë me persona të tjerë.
E me këtë ritëm, shumë raste mbeten të pa raportuara. Mes tyre edhe kundrejt vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara.
UN Albania ka drejtuar thirrje së fundmi për veprim për të adresuar dhunën me të cilën përballen gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara në vend.
Pavarësisht kornizave të rëndësishme ligjore dhe politike në fuqi, gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara “vazhdojnë të përballen me forma të shumta dhune, të shoqëruara nga stigma, diskriminimi dhe aksesi i kufizuar në shërbimet e mbështetjes jetike”.
UN Albania ka bërë apel për veprim nga pushteti legjislativ, qendror dhe vendor, gjyqësori, institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, ofruesit e shërbimeve, OSHC-të dhe komuniteti ndërkombëtar.
Disa nga rekomandimet kryesore përfshijnë forcimin e zbatimit të legjislacionit ekzistues dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet ndërkombëtare; të sigurojë akses në shërbime dhe financim për organizatat që mbështesin të mbijetuarit.
Po ashtu ofruesit e shërbimeve të trajnimit për ndërgjegjësimin e aftësisë së kufizuar, nxitjen e ndërgjegjësimit publik dhe nxitjen e përfshirjes në vendimmarrje janë pjesë kritike e përgjigjes.
“Në Shqipëri dhuna ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara shpesh fshihet dhe përkeqësohet nga stigma dhe stereotipet e rrënjosura thellë, që i izolojnë. Kjo redukton mundësitë për arsimim, punësim dhe ndërveprim social dhe kontribuon në varësinë e mëtejshme ekonomike dhe varfërinë”.
Gjithashtu raportohet se gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara përballen me mjekimin e ndaluar, izolimin e detyruar në shtëpi dhe kërcënimet e braktisjes ose institucionalizimit, shpesh nga kujdestarët ose anëtarët e familjes.
Femicidi
Por një historik dhune sjell edhe femicidin. Një tjetër fenomen shqetësues – ngado, jo vetëm në Shqipëri.
Femicidi përkufizohet si një vrasje e qëllimshme me një motivim të lidhur me gjininë. Ndryshe nga vrasja, ku motivimi mund të mos jetë i lidhur me gjininë.
Për herë të parë që nga themelimi i tij në fillim të këtij viti, Observatori Shqiptar i Femicideve pranë Avokatit të Popullit ka publikuar një raport gjithëpërfshirës për vrasjet e grave dhe vajzave, duke zbuluar se 32 gra janë vrarë në vend në tre vitet e fundit.
Raporti ka zbuluar se gati 90 për qind e vrasjeve (27) janë kryer nga partnerët ose anëtarët e familjes së tyre.
Raporti, i zhvilluar nga Avokati i Popullit me mbështetjen e UN Women dhe Qeverisë së Suedisë, zbulon se 24 nga këto raste janë identifikuar si femicide, të përcaktuara si vrasje me dashje të grave ose vajzave për motive të lidhura me gjininë.
Dhe se rreth 60% e femicideve kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës.
Ndërkaq, raporti ka zbuluar se 90% e viktimave të femicideve kanë përjetuar dhunë nga autorët e tyre më parë, duke theksuar se shenjat e hershme paralajmëruese shpesh shfaqen në modelet e abuzimit dhe dhunës. Kjo nënvizon nevojën kritike për masa proaktive dhe përgjigje të fuqishme për të mbrojtur gratë dhe vajzat.
Ndër rekomandimet kryesore, raporti bën thirrje për njohjen e femicidit si një vepër penale të dallueshme në Kodin Penal Shqiptar, forcimin e reagimit të hershëm dhe përmirësimin e koordinimit midis zbatimit të ligjit, shërbimeve sociale dhe sistemit gjyqësor për të mbrojtur më mirë gratë në rrezik.
Raporti po ashtu ka theksuar rëndësinë e mbledhjes së vazhdueshme dhe transparente të të dhënave, e arritur duke përdorur kornizën statistikore të OKB-së për matjen e femicideve.
Zgjidhja për të shmangur sa më shumë episode të tilla dhune? Ndjekja e rekomandimeve e zhvillimi i politikave në dobi të sigurisë dhe një mjedisi të mirë brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë.
Me punë konkrete. (AP)