Tetovë, 8 nëntor – Gjendja e sigurisë në Tetovë dhe rrethinë është në nivel. Kështu ka theksuar ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovki, pas takimit që kishte me kryeshefin e SPB-së në Tetovë, Nevahir Shabani dhe bashkëpunëtorët e tij. Spasovski theksoi se Policia e Tetovës është e gatshme që të sigurojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa ka apeluar deri te qytetarët që në rast se kanë kërcënime, shantazhime apo presione nga pjesëtarë të policisë, drejtorë të institucioneve të ndryshme për të votuar ndonjë parti, lirisht mund ta denoncojnë në Sektorin për Punë të Brendshme. “Gjatë procesit zgjedhorë policia duhet të jetë në krye te detyrës që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve fer dhe demokratike, të kemi zgjedhje të lira dhe të qeta dhe të krijojmë kushte që qytetarët e Maqedonisë të votojnë lirshëm”, tha Spasovski. Ai më tej nënvizoi se asnjë polic nuk mund të kyçet në kampanjën zgjedhore, nuk mund të keqpërdoren resurset njerëzore apo pajisjet dhe teknika të shfrytëzohen për kampanjën zgjedhore të asnjë partie politike. Ai është pyetur edhe për fatin e 600 policëve të cilët u pranuan në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kurse para një muaji kishin edhe ceremoninë e inaugurimit, por që ende nuk kanë filluar me punë. Spasovski theksoi se ka marrë njoftim nga Ministria e Financave se policët e pranuar duhet të nënshkruajnë marrëveshje me Ministrinë e Financave. “Dua të njoftoj se nga Ministria e Financave kemi marrë shkresë ku na njoftojnë se ata persona duhet që të parashtrojnë kërkesë të re në vitin 2017, e njëjta të miratohet dhe më pas po ashtu, në vitin 2017, të nënshkruhen marrëveshjet dhe të fillojnë me punë” tha Spasovski, i cili nuk ka komentuar kërkesën e zëvendësministrit plotësues në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë Oliver Andonov, për dorëheqjen e tij. (U.H.)
Artikuj të ngjajshëm

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër