Nuk kam pasur për qëllim e as që do të shfrytëzoj ndonjëherë veto për të fyer dikë, ndonjë gjuhë apo një pjesë të kombit. Këtë e theksoi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, pasi që ditëve të fundit në opinion kishte reagime për shkak se ajo nuk e ka nënshkruar dekretin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe pretendohej se shkurtohet e drejta për licenca dygjuhëshe. Ajo thotë se këtë e ka vendosur në bazë të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve. Askush nuk e konteston pjesën që kur e jep provimin në gjuhën shqipe, të marr licencë në gjuhën shqipe, tha Siljanovska.
“Unë as kam menduar dhe as do ta bëj ndonjëherë një gjë të tillë që të përdor veton për të fyer ndonjë gjuhë, asnjëherë , e as nuk jam udhëhequr nga këshillat partiak. Vetëm bëra thirrje që të shqyrtohen edhe një herë nenet 9 dhe 10, si dhe të shqyrtohet edhe një herë nëse kjo mënyrë e dhënies së provimit dhe marrja e licencës nuk do të krijonte apo hapte hapësirë për autorizim diskrecional”, tha Gordana Siljanovska Davkova – presidente e RMV-së.
Me të njëjtin qëndrim është edhe kryeministri Mickoski i cili pajtohet se të dy nenet, 9 dhe 10 nga ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe se së shpejti do të korrigjohen dhe do të kthehen në Kuvend.
“Nëse e lexoni këtë ligj, nenin 9 dhe 10, thuhet 20%, kjo është bërë pak në mënyrë të pakujdesshme dhe ky është një formulim që do të tejkalohet shumë shpejt. Përndryshe, dihet, gjuha zyrtare në të gjithë territorin është gjuha maqedonase, por të gjithë ata, në këtë rast shqiptarët të cilët do të kërkojnë që formulari të jetë edhe në gjuhën shqipe, kjo do të përcaktohet tani në mënyrë precize sipas Kushtetutës dhe Ligjit për gjuhët, dhe do ta marrin këtë të drejtë”, u shpreh kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Nga qeveria ditë më parë thanë se ligji për mbrojtjen e fëmijëve do të plotësohet sipas vërejtjeve të presidentes pas çka do të rikthehet në procedurë në Kuvend. Ky është ligji i parë për të cilin Siljanovska nuk e nënshkroi dekretin.
Nga FE dhe VLEN dje me reagime të ashpra duke vlerësuar se me këtë bëhet përpjekje për shkelje të gjuhës shqipe duke thënë se nuk do të lejojnë që dikush të marrë pikë politike në kurriz të gjuhës shqipe.(Tv21)