Sipas statistikave thuhet se Fondi i Shëndetësisë do të kursej të paktën gjysmë milion euro për një vit kur të hiqen drejtorët ekonomikë. Ky kursim është vetëm nga heqja e pozitës së drejtorit organizativ nëpër klinika, sepse përpos tyre nuk do të ketë shpenzime për sekretare, veturë zyrtare, telefona dhe udhëtime jashtë vendit që këta zyrtarë kanë përdorur deri më tani
Zenel MIFTARI
Shkup, 2 korrik – Qeveria e re e udhëhequr nga lideri i VMRO-DPMNE-së – Hristijan Mickoski, që në ditët e para ka paralajmëruar reforma në sektorin e shëndetësisë. Qeveria do të miratojë ligjin e ri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kujdesin shëndetësor, me të cilin do të shfuqizohet pozita e drejtorëve ekonomikë në institucionet publike shëndetësore.
Kryeministri Mickoski, tha se do të heqin drejtorët ekonomikë dhe do vendosin përgjegjësi ndaj udhëheqësve.
“Pas shumë vitesh keqpërdorimesh dhe manipulimesh partiake, Qeveria në seancën e sotme do të shqyrtojë ndryshimet në projektligjin për kujdesin shëndetësor, me të cilin do të shfuqizohet institucioni i ‘drejtorëve ekonomikë’ në institucionet publike shëndetësore. Me këtë masë synojmë të përmirësojmë efikasitetin në menaxhimin e objekteve tona shëndetësore, të ulim kostot administrative dhe të drejtojmë fondet për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Dispozitat e reja ligjore parashikojnë që qendrat shëndetësore me mbi 1000 punonjës, qendrat klinike universitare, klinikat universitare, spitalet klinike dhe institutet do të menaxhohen nga vetëm një drejtor, i cili do të jetë përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e institucionit, si dhe për ligjshmërinë e operacionit”, ka shkruar Mickoski.
Ai ka shkruar se në këtë mënyrë do të lokalizohet përgjegjësia dhe do të hiqet dualizmi në vendimmarrje. “Besoj se kjo reformë do të mundësojë ridrejtimin e fondeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe infrastrukturës, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në operacione, si dhe përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët. Përkushtimi ynë për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve mbetet prioritet dhe ky hap është një tjetër dëshmi e përkushtimit tonë për një kujdes më të mirë shëndetësor”, ka nënvizuar Mickoski.
Sipas statistikave thuhet se Fondi i Shëndetësisë do të kursej të paktën gjysmë milioni euro për një vit kur të hiqen drejtorët ekonomikë. Ky kursim është vetëm nga heqja e pozitës së drejtorit organizativ nëpër klinika, sepse përpos tyre nuk do të ketë shpenzime për sekretare, veturë zyrtare, telefona dhe udhëtime jashtë vendit që këta zyrtarë kanë përdorur deri më tani.
Ky funksion u prezantua në vitin 2007 për të përmirësuar funksionimin e objekteve të kujdesit shëndetësor përmes një nënshkrimi të lidhur.
Nga Qeveri thonë se ky ndryshim ka për qëllim përmirësimin e efikasitetit në menaxhimin e institucioneve shëndetësore, uljen e kostove administrative dhe rritjen e fondeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. “Sipas dispozitave të reja ligjore, do të shfuqizohet ekzistenca e dy pozicioneve drejtuese – drejtorit organizativ dhe mjekësor, të cilat më parë ishin të pranishme në qendrat shëndetësore me mbi 1000 punonjës, qendrat klinike universitare, klinikat universitare dhe spitalet klinike. Tani e tutje këto institucione do të drejtohen nga vetëm një drejtor, i cili do të jetë përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e institucionit, si dhe për ligjshmërinë e funksionimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Gjithashtu me këtë reformë, Qeveria shpreson të përmirësojë kushtet dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, duke mundësuar transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në punën e institucioneve shëndetësore. (koha.mk)