Rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës nuk ka marrë shumicën e votave.
Nga 84 deputetë të cilët morën pjesë në votim, 25 ligjvënës ishin pro. Kundër nuk votoi asnjë deputetë.
Ndërsa 59 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë abstenuar, prandaj kjo rezolutë nuk ka kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte.
Votimi i Rezolutës për Policinë e Kosovës kishte dështuar për disa seanca me radhë meqë deputetët e partisë mazhoritare kishin bojkotuar seancat.
Grupi Parlamentar i LVV-së kishte bërë të ditur mospjesëmarrjen në seancat ku do të shqyrtohej kjo Rezolutë me arsyetimin se opozita nuk e ka hallin me Policinë, por me pushtetin.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kishte thënë se tendenca e PDK-së nuk ka të bëjë me gjendjen e policisë, por me arsyetimin se kinse Qeveria nuk është duke u angazhuar sa duhet dhe synimi i tyre i vetëm është vetëm pushteti dhe jo interesi i shtetit.
Por, çfarë parasheh draft-rezoluta e propozuar nga opozita?
Pika e parë e draft-rezolutës për Policinë e Kosovës obligon Qeverinë e Kosovës që brenda afatit prej 15 dite nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyrë retroaktive nga dita e hyrjes në fuqi për Pagat në Sektorin Publik.
“OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozoj buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës, nga data 1 janar 2024”, thuhet në pikën e dytë të draft-rezolutës.
Draft-rezoluta e cila dështoi të miratohet, në pikën e tretë të saj, obligon Qeverinë e Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm të zyrtarëve policorë dhe punonjësit e Inspektoratit.
“ZOTOHET që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta bëjë në procedurë të përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit”, shkruhet në pikën e katër të draft-rezolutës.
Ndërkohë partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, në mungesë të partisë mazhoritare, kritikuan këtë të fundit për mos-pjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar mbi Policinë e Kosovës./Albanianpost.com