E ardhmja e Europës qëndron mbi unitetin dhe solidaritetin. Duke pranuar vendet që ndajnë vlerat dhe aspiratat europiane dhe duke i mbështetur fuqishëm në rrugën e tyre të reformave dhe modernizimit, po ndërtojmë një Bashkim Europian më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për brezat që do të vijnë. Sot, ndërsa nderojmë vizionin e etërve themelues për një Europë paqësore, të bashkuar dhe të begatë, më shumë se kurrë theksojmë rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit me Ukrainën. Sepse Ukraina është në vijën e parë të betejës për të mbrojtur këtë vizion. Për të gjithë ne në Europë
Nga Mihalis ROKAS dhe Larisa DIR
Këto ditë, do të shënohen dy ngjarje të rëndësishme në historinë europiane: më 8 maj shënuam Ditën e Kujtimit dhe Fitores kundër Nazizmit, ditën kur 80 vite më parë përfundoi Lufta e Dytë Botërore në Europë. Ndërsa sot, më 9 maj, po e shënojmë Ditën e Europës. Festojmë lindjen e një Europe paqësore, të bashkuar dhe të begatë. Pikërisht 75 vite më parë, pas konfliktit më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit, ministri i jashtëm francez Robert Schuman shpalosi vizionin e tij. Në thelb të këtij vizioni ishte zëvendësimi i konfliktit me bashkëpunim; bashkimi i ish-armiqve dhe tejkalimi i mosmarrëveshjeve të së kaluarës; promovimi i paqes dhe stabilitetit, begatisë dhe demokracisë. Ky ishte vizioni nga i cili lindi Bashkimi Europian.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ukraina ishte një nga fushëbetejat kryesore dhe pësoi humbje të mëdha në atë konflikt. Sot, fatkeqësisht, vizioni i themeluesve të BE-së po sfidohet sërish në mënyrë rrënjësore nga lufta agresive ruse kundër Ukrainës.
Rusia ka rikthyer terrorin dhe shkatërrimin e shkaktuar nga lufta në tokën europiane, duke synuar të zhdukë Ukrainën ose të paktën t’ia mohojë të drejtën sovrane për të zgjedhur të ardhmen e saj. Sulmet ruse vrasin pa dallim burra, gra dhe fëmijë, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare. Goditjet me raketa dhe dronë të nisura nga agresori synojnë në mënyrë të qëllimshme objektet civile dhe infrastrukturën kritike. Përballë agresionit, populli ukrainas ka treguar trimëri heroike në mbrojtjen e vendit të tij. Por ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm atdheun e tyre. Ata po mbrojnë lirinë e të gjithë Europës. Ne nderojmë të gjithë ata që dhanë jetën e tyre dhe shprehim ngushëllimet tona për ata që humbën të dashurit e tyre në këtë luftë.
Në muajt e fundit, është folur shumë për paqen. Askush nuk dëshiron më shumë mbarimin e luftës dhe vuajtjeve sesa vetë ukrainasit. Por çfarë kemi parë në praktikë? Ndërkohë që Presidenti Zelenski e pranoi propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, Moska nuk u përgjigj. Përkundrazi, Rusia vazhdimisht tregon se nuk ka interes për paqe, duke vazhduar sulmet e pamatura mbi Kryvyi Rih, Sumy, Kiev, Dnipro, Kharkiv, Kherson, Odesa dhe qytete të tjera. Dhe propaganda e saj e luftës dhe dezinformimi përpiqen të zhvendosin fajin për luftën, të normalizojnë okupimin dhe të arsyetojnë apo edhe të mohojnë mizoritë e kryera.
Lufta e shkaktuar nga Rusia duhet të përfundojë në një mënyrë që lejon një paqë të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, dhe që respekton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Të gjithë të burgosurit dhe pengjet duhet të kthehen në shtëpi, fëmijët ukrainas të rrëmbyer duhet të ribashkohen me prindërit ose të afërmit e tyre. Të gjithë autorët e krimeve të kryera në Ukrainë, përfshirë drejtuesit e Rusisë, duhet të mbahen plotësisht përgjegjës për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare. Ukraina duhet të kompensohet për dëmet materiale që ka pësuar. Dhe më në fund, Ukraina duhet të marrë garanci ndërkombëtare të besueshme që një agresion i tillë të mos përsëritet kurrë më.
Në këtë situatë, BE-ja vazhdon të japë mbështetje të palëkundur për Ukrainën, për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Vizioni ynë për paqe është i qartë: Nuk mund të ketë negociata për Ukrainën pa Ukrainën, ashtu siç nuk mund të ketë negociata që ndikojnë në sigurinë europiane pa Europën. Çdo armëpushim duhet të jetë i ndërsjellë dhe i drejtë dhe duhet të jetë pjesë e një procesi më të gjerë paqeje. Në këtë proces, Ukraina ka nevojë për garanci të forta dhe të besueshme për siguri, për të parandaluar agresione të ardhshme. Më në fund, paqja duhet të mbështesë fuqishëm integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe t’i mundësojë asaj të zgjedhë të ardhmen e saj.
Qëllimi ynë është ta vendosim Ukrainën në një pozitë force për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Për ta arritur këtë, BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj të plotë, në mbështetje të hapave të ardhshëm, së bashku me Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, e cila ka treguar lidership përmes mbështetjes së saj për Ukrainën. Me këtë rast, e përgëzojmë Maqedoninë e Veriut për përputhjen me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, si dhe për ndihmën ushtarake dhe humanitare.
Për më tepër, zgjerimi i Bashkimit Europian ka rëndësi strategjike për sigurimin e paqes, sigurisë dhe begatisë afatgjatë në të gjithë kontinentin. Ukraina dhe Maqedonia e Veriut janë palë të domosdoshme në këtë përpjekje historike.
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut do të forcojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Europën Juglindore, do të lehtësojë bashkëpunimin në sigurinë e brendshme dhe menaxhimin e kufijve, do të rrisë mundësitë ekonomike, si dhe lidhshmërinë në fushën e transportit dhe energjisë.
Anëtarësimi i Ukrainës në të ardhmen do të rrisë ndjeshëm qëndrueshmërinë gjeopolitike të Bashkimit Europian, do të kontribuojë në sigurinë ushqimore europiane dhe globale, do të forcojë pavarësinë energjetike dhe do të mbështesë vlerat demokratike përgjatë kufirit lindor të Unionit.
E ardhmja e Europës qëndron mbi unitetin dhe solidaritetin. Duke pranuar vendet që ndajnë vlerat dhe aspiratat europiane dhe duke i mbështetur fuqishëm në rrugën e tyre të reformave dhe modernizimit, po ndërtojmë një Bashkim Europian më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për brezat që do të vijnë.
Sot, ndërsa nderojmë vizionin e etërve themelues për një Europë paqësore, të bashkuar dhe të begatë, më shumë se kurrë theksojmë rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit me Ukrainën. Sepse Ukraina është në vijën e parë të betejës për të mbrojtur këtë vizion. Për të gjithë ne në Europë.
(Mihalis Rokas është ambasador i Bashkimit Evropian, ndërsa Larisa Dir është ambasadore e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut. Gazeta KOHA është media e vetme në gjuhën shqipe e përzgjedhur për publikimin e kësaj kolumne)