Yann Sommer foli për sezonin e tij tek Interi, në një intervistë për “Neue Zurcher Zeitung”, media zvicerane: “Organizimi i Inzaghit më bëri përshtypje që nga dita e parë. Nuk ka ndeshje të lehta në Serie A, të gjitha skuadrat janë të organizuara shumë mire. Këtu ka shumë vëmendje për detajet. Trajneri ynë nuk i lë asgjë rastësisë, por ne mund t’i ndjekim udhëzimet duke përdorur edhe kreativitetin tonë.
Interi është në krye me ambientet stërvitore, me departamentin mjekësor dhe në të gjitha hallkat si klub. Nëse jemi ndër tre më të mirët në Evropë? Është e mundur. Të martën do të përballemi me Atlético Madridin, në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, një duel 50 me 50. Mjafton vetëm një ndeshje e keqe dhe gjithçka ka mbaruar.
Sidoqoftë, ka një gjë që e ndjej çdo ditë tek Interi: uria e madhe për sukses. Arritja në finalen e Champions League sezonin e kaluar iu dha lojtarëve dhe të gjithë klubit një imazh të jashtëzakonshëm për veten. Atmosfera në të gjithë klubin është pozitive, ekipi ynë është me përvojë, i lidhur ngushtë dhe i fortë.
Ka veteranë si Henrikh Mkhitaryan, i cili është 35 vjeç, por vrapon si një 20-vjeçar. Ne kemi lojtarë si Lautaro Martínez, Nicolò Barella dhe Benjamin Pavard, për të përmendur vetëm tre, të cilët sjellin shumë përvojë dhe mishërojnë cilësinë më të lartë ndërkombëtare.
“San Siro”? Këtu në Itali pasioni i spektatorëve është i jashtëzakonshëm. Para se të transferohesha, e dija që Interi ishte një klub i pasur me traditë. Ishte e qartë për mua që “San Siro” ishte stadium legjendar. Pastaj, kur luajta për herë të parë me Interin në një stadium me bileta të shitura plotësisht, ishte vërtet speciale. Këto emocione janë të pamasa, dashuria e tifozëve për Interin është pothuajse e pakufishme”.