E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

Sot bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së kryeministrit në mes Kovaçevskit dhe Talat Xhaferit

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta kuvendare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, ndërsa zgjedhjet e shtata presidenciale më 24 prill. Deri në formimin e qeverisë së re në fund të qershorit, vendi do të udhëhiqet nga qeveria teknike e kryesuar nga kryeministri Talat Xhaferi.

 

Kjo qeveri kalimtare u zgjodh dje me 65 vota “për” dhe tre “kundër”. Opozita maqedonase ishte në sallë, por abstenoi nga votimi, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare nuk morën pjesë fare në seancë.

Në Qeveri sot është planifikuar të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës në mes të kryeministrit aktual Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Qeverisë kalimtare Talat Xhaferi. Pas mbërritjes në objektin e Qeverisë, është planifikuar që kryeministrat Kovacevski dhe Xhaferi të kenë një takim të shkurtër. Pritet që të ketë pranim-dorëzim funksionesh në të gjitha ministritë.

Xhaferi, dje në fjalimin e tij para deputetëve në seancën plenare të 141-të, tha se për të si mandatar i kësaj Qeverie, “nuk ka dallim nëse është një apo 100 ditë, Qeveri teknike apo kalimtare”.

Dua t’ju siguroj se në asnjë moment nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë të jesh një institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe një institucion me kompetenca të qarta të përcaktuara me Kushtetutë në raport me shtyllat e tjera të qeverisjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Xhaferi.

Xhaferi përsëriti se e pranon mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë dhe me shpresë se ministrat e propozuar do t’i përmbushin pritjet.

Në përbërjen e qeverisë kalimtare, Bojan Mariçiq është zëvendëskryeministër i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për çështje evropiane, ndërsa Artan Grubi është ministër i sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve. Me propozim të VMRO-DPMNE-së, ministër i Punëve të Brendshme është Pançe Toshkovski, ndërsa për Punë dhe Politikë Sociale Gjoko Velkovski.

Krenar Loga – ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kresnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë, Ljupço Nikolovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti – Mministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit, Risto Penov – ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska – ministre e Kulturës, Azir Aliu – ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Blagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova – ministre e Mjedisit, Fatmir Bytyqi – ministër pa portofol përgjegjës për çështjet ekonomike dhe Slavica Grkovska – ministre pa portofol përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë.

Ndryshe, Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të planifikuara për 8 maj. Mandati i Qeverisë kalimtare zgjat nga zgjedhjet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet për deputetë dhe zgjedhjen e qeverisë së re politike.

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm