Pesë emërimet e sotme janë që të gjithë kuadro të VMRO-së, ashtu sikurse shtatë emërimet e para një jave
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot mbajti mbledhjen e dytë ku u morën disa vendime, ndër të cilat vendimi për heqjen e drejtorëve ekonomikë të klinikave dhe vendim për emërimin e udhëheqësve drejtues të pesë institucioneve shtetërore.
Goce Dimovski është emëruar në pozitën е ushtruesit të detyrës të Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale. Dimovski, sipas biografisë së publikuar në faqen e Qeverisë, është doktor i shkencave, ka përvojë pune shumëvjeçare në institucione dhe kompani si OSBE-ODIHR, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Parku Nacional “Mavrovë”, Këshilli për furnizime publike të Maqedonisë…, raporton gazeta KOHA.
Në ndërkohë, Qeveria e ka emëruar Aleksandar Pandov për ushtrues detyre të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve. Pandov ka diplomuar në histori në Institutin për histori në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ndërkohë që ka qenë deputet në Parlamentin e Maqedonisë nga viti 1998 deri në vitin 2002.
Për ushtrues detyre në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, Qeveria ka emëruar Sasho Klekovski. Klekovski ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe programi akademik MBA në UACS. Ka një përvojë tridhjetëvjeçare si menaxher, analist, konsulent në sektorin publik, civil dhe privat. Ai është themelues dhe anëtar i organeve të disa organizatave të shoqërisë civile, si dhe ka bashkëpunuar me një numër të madh organizatash të shoqërisë civile, rrjete dhe platforma nga fusha të ndryshme.
Po sot, Qeveria caktoi Oliver Milanov për ushtrues detyre drejtor të të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërkohë që i rekomandoi Bordit të Drejtorëve të NP për menaxhim me pyjet shtetërore “Pyjet Nacionale” që të zgjedhë Zdravko Trajanov për ushtrues detyre të “Pyjeve Nacionale”.
Njëherit, me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, Qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorëve ekonomikë në institucionet publike shëndetësore, përkatësisht ekzistimin e dy pozitave drejtuese – drejtorit organizativ dhe atij mjekësor, të cilat deri më tani ishin të pranishme në qendrat shëndetësore.
Pesë emërimet e sotme janë që të gjithë kuadro të VMRO-së, ashtu sikurse shtatë emërimet e para një jave. Konkretisht, javën e kaluar (28 qershor), Igor Janushev u emërua Sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, Ivica Tomovski u emërua Drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Elena Petrova në Drejtorinë për të Ardhurat Publike, Boban Nikollovski drejtor i Drejtorisë Doganore, Aleksandar Janev drejtor i Byrosë për Siguri Publike, Sasho Petrushevski u emërua për Sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shef i zyrës së Kryetarit të Qeverisë është emëruar Vladimir Neloski, ndërsa zëvendës i tij është Sashe Pavloski. (koha.mk)