Ky donacion i kompanisë Ecolog ka një vlerë prej 1 milion euro, ndërsa memorandumi për pranimin e këtij donacioni është nënshkruar më 10 dhjetor të vitit të kaluar
Urim HASIPI
Tetovë, 15 gusht – Blloku internistik në Spitalin Klinik të Tetovës ka marrë pamje krejtësisht të re. Kjo falë një donacioni të kompanisë Ecolog në krye me filantropin Lazim Destani. Pacientët tash e tutje do të kenë kushte ekstra më të mira gjatë qëndrimit në këtë bllokun internistik. Promovimi i donacionit është bërë në praninë e filantropit Lazim Destani, Ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari, drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës Agim Berisha, ish drejtorit të këtij spitali Ilir Demiri, mjekëve dhe mysafirëve tjerë. Pronari i kompanisë Ecolog filantropi Lazim Destani tha se ky inevestim është bërë që edhe Spitali Klinik i Tetovës të merr një pamje evropiane. “Dua ta falënderoj iniciatorin e kësaj pune, ish drejtorin Ilir Demiri, i cili na motivoi që të bëjmë këtë investim. Ne afaristët gjithmonë kemi dëshirë, duam të ndihmojmë, por kemi nevojë që dikush edhe të na motivojë dhe të aktivizohemi në atë drejtim ku është në të mirën e shoqërisë, në të mirën e njerëzve tanë, sepse secili e dëshiron të mirën dhe duam të bëjmë gjëra të mira por duhet edhe ti ecim punët në drejtim të mirë. Besoj se drejtori i ri i Spitalit do ta vazhdojë punën ku ka mbetur, por besoj se do të ketë edhe angazhim në mirëmbajtjen e asaj që është investuar. Besoj se kjo pjesë që është bërë bashkë me pjesën tjetër mjekët do të kenë kushte më të mira për punë”, tha filantropi Lazim Destani.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, ftoi kompanitë që të ndjekin hapin e Lazim Destanit dhe të investojnë nëpër spitale.
“Unë e përgëzoj zotin Destani për këtë gjest që e ka bërë dhe besoj se kjo do t`I shtyjë edhe njerëzit tjerë, kompanitë që kanë përgjegjësi shoqërore që në periudhën e ardhshme të investojnë në reparte të ndryshme në të gjitha Spitalet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Unë e di se shumica e kompanive, sidomos në Maqedoninë Perëndimore investojnë nëpër xhami, që është shumë mirë, por dua t`i rikujtoj se shumë më shumë sevape do të keni nëse investohet në shkolla dhe nëpër spitale, sepse i përmirësojmë kushtet ku mësojnë fëmijët tanë ose ku marrim shërbime shëndetësore”, tha Taravari.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Agim Berisha tha se këto donacione të karakterit humanitar janë më se të nevojshme për këtë spital. “Ky projekt i realizuar në Spitalin Klinik të Tetovës është mjaft cilësor dhe bashkëkohor. Me këtë investim do të përmirësohen kualitetet e shërbimeve tona të përditshme ndaj pacientëve tanë. Kompania Ecolog shquhet për humanitet në fusha të ndryshme ku një ndër ta është edhe ky promovim. Këto donacione të karakterit humanitar janë më se të nevojshme, prandaj shpresojmë që në të ardhmen, kjo kompani të vazhdojë me projektet e këtij karakteri për Spitalin Klinik të Tetovës”, tha drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Agim Berisha.
Ish drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Ilir Demiri, falënderoi filantropin Lazim Destani për këtë donacion, ku sipas tij, me vlerën prej 1 milion euro, kompania Ecolog është donatori më i madh për këtë spital.
“Unë do të kisha cituar një hadith i cili thotë se ma i mirë prej juve është ai që është më i dobishëm për tjerët. Kjo është motoja e jetës sime, me këtë moto udhëhiqem, shpresoj që zoti të pranojë donacionin dhe bamirësinë e zotit Destani, të ketë ai shëndet dhe të tjerët që janë të angazhuar rreth tij”, tha Demiri.
Ky donacion i kompanisë Ecolog ka një vlerë prej 1 milion euro, ndërsa memorandumi për pranimin e këtij donacioni është nënshkruar më 10 dhjetor të vitit të kaluar. Me këtë rast, falë këtij donacioni, 6 reparte të bllokut internistike dhe atë pediatria, endikronologjia, psikiatria, reparti i sëmundjeve interne, kabinetet, laboratorët tashmë kanë kushte moderne dhe bashkëkohore, ku secila dhomë ka banjo dhe tualet veçmas si dhe televizor. (koha.mk)