Sulmet ajrore në strehimoret e OKB-së, të mbushura me njerëz, në kampin e refugjatëve Jabalia të Gazës veriore, vranë më shumë se 80 njerëz të shtunën, ndërsa planet izraelite për të zgjeruar operacionet në Gazën jugore thelluan frikën për qindra mijëra civilë, që kanë kërkuar strehim atje.
Duke nënvizuar kujtesën se nuk ka askund të sigurt për civilët e Gazës, një sulm ajror jashtë qytetit jugor të Khan Younis vrau të paktën 26 njerëz në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Spitali më i madh i Gazës Veriore, al-Shifa, zbrazi të gjithë, përveç 120 pacientëve më të rrezikuar dhe pesë mjekë që kujdeseshin për ta. Ndërsa bombat vazhdonin të binin, zona kishte vetëm burime bazë mjekësore për viktimat e reja.
Të paktën 50 njerëz u vranë në një sulm në agim, në një shkollë të drejtuar nga OKB-ja në kampin Jabalia dhe një sulm në një ndërtesë tjetër atje vrau 32 anëtarë të një familje të vetme – 19 prej tyre fëmijë – thanë zyrtarët nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Më shumë se 20 trupa të rreshtuar dhe të mbështjellë me çarçafë të njollosur me gjak u shfaqën në fotografitë e bëra jashtë spitalit indonezian. Zyrtarët e OKB-së dënuan vdekjet.
“Strehëzat janë një vend për siguri. Shkollat janë një vend për të mësuar. Lajmet tragjike për fëmijët, gratë dhe burrat e vrarë ndërsa strehoheshin në shkollën al-Fakhouri në Gazën veriore,” tha shefi humanitar i OKB-së Martin Griffiths në X. “Civilët nuk mund dhe nuk duhet ta durojnë më këtë”.
Ushtria izraelite, e cila kishte paralajmëruar banorët e Jabalia të largoheshin në një postim në mediat sociale në arabisht, nuk pranoi të komentonte menjëherë kur u pyet për sulmet.
Për javë të tëra, Izraeli u ka kërkuar civilëve në dhe rreth qytetit të Gazës që të shkojnë në jug për të mbrojtur veten dhe një numër i madh u pajtua. Javën e kaluar, për herë të parë ushtria izraelite u bëri thirrje njerëzve të largohen nga zonat në jug, rreth qytetit Khan Younis, ku banorët përfshijnë shumë të zhvendosur së fundmi nga veriu.
Një kolonë mjekësh, pacientësh dhe refugjatësh u larguan nga spitali al-Shifa, më i madhi në Gaza, ku trupat izraelite kaluan ditën e katërt duke kërkuar prova të një nyje komanduese të nëndheshme të Hamasit.