E mërkurë, 19 Mars, 2025
8.8 C
Skopje

Taravari në Bratislavë nënshkroi memorandum për infrastrukturë më moderne digjitale shëndetësore

Në një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit shëndetësor, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Sllovakisë, duke vënë theksin në E-shëndetësinë dhe telemjekësinë – dy fusha kyçe për të ardhmen e shërbimeve shëndetësore, informojnë sot pasdite nga kabineti i Taravarit.

“Në Bratisllavë, ministrat Arben Taravari dhe Kamil Shashko firmosën marrëveshjen që forcon bashkëpunimin dypalësh në inovacionin mjekësor, shkëmbimin e ekspertizës dhe trajnimin e profesionistëve të shëndetësisë. Ky memorandum synon modernizimin e infrastrukturës digjitale shëndetësore, duke lehtësuar konsultat mjekësore në distancë dhe përmirësuar qasjen e pacientëve në shërbimet mjekësore”, sqarohet në kumtesë.

Në deklaratën me shkrim të Taravarit bëhet e ditur se ky është ky është një hap i madh drejt një sistemi shëndetësor më të qasshëm dhe efikas.

“Partneriteti me Sllovakinë do të na ndihmojë të përfitojmë nga përvoja dhe teknologjia e tyre e avancuar në E-shëndetësi dhe telemjekësi”, theksoi ministri pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

Siç shtohet në kumtesë, ky bashkëpunim hap dyert për projekte konkrete që do të sjellin teknologji inovative në shëndetësi, duke përmirësuar kujdesin për pacientët dhe përgatitur profesionistët shëndetësorë për sfidat e epokës digjitale.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm