E mërkurë, 12 Shkurt, 2025
5.8 C
Skopje

Të rikthehet Pedagogjia në arsimin e mesëm

Instituti i Pedagogjisë ka kërkuar që lënda e Pedagogjisë të mbetet pjesë e kurrikulës për arsimin e mesëm, pasi siç thonë ata, e njëjta ofron një kontribut të mëtejshëm në zhvillimin e nxënësve, si dhe është pjesë e rëndësishme në përgatitjen e tyre për jetën shoqërore dhe profesionale

Anëmsha SHABANI

Shkup, 5 shkurt – Instituti i Pedagogjisë, në seancën e jashtëzakonshme, shqyrtoi thirrjen publike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), të publikuar më 16 janar të këtij viti për Konceptin e ri të arsimit të mesëm. Ky projekt-koncept për reforma në shkolla, thuhet në njoftimin e Institutit të Pedagogjisë, si pjesë e një historie prej disa dekadash, ka kontribuar vazhdimisht në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe kërkon të përfshihet në krijimin e dokumenteve strategjike arsimore. Megjithatë, ata kërkojnë që eksperienca e tyre mësimore dhe shkencore të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve për modernizimin e procesit arsimor.

“Në frymën e përcaktimeve të tilla, mirëpresim me kënaqësi të gjitha iniciativat dhe përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së arsimit të mesëm, reformat dhe rolin e tij kyç në zhvillimin e aftësive personale dhe profesionale të të rinjve. Të udhëhequr nga ndershmëria dhe detyrimi profesional, besojmë se iniciativa e fundit për shfuqizimin e lëndës së Pedagogjisë me Konceptin e propozuar për arsimin e mesëm nuk do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të mesëm, që të gjithë e dëshirojmë dhe nuk do të japë rezultatet e pritur”, thonë nga Instituti.

Sipas tyre, heqja e lëndës do të varfëronte mundësitë e nxënësve për të mësuar dhe përvetësuar njohuri dhe aftësi të rëndësishme për zhvillimin e tyre.

“Vetë lënda, me njësitë tematike që ofron si Shoqëria dhe Edukimi, Pedagogjia dhe Konceptet Bazë Pedagogjike, Faktorët në Zhvillimin e Personalitetit, Nxënës-Edukator, Edukimi Familjar, Sistemi shkollor, Parimet moderne të arsimit, Pedagogjia e kohës së lirë, u mundëson nxënësve të fitojnë njohuri bazë për pedagogjinë, edukimin, zhvillimin e aftësive praktike dhe aftësive për të zhvilluar aftësitë ndërvepruese problemet arsimore, për të respektuar diversitetin, gjithëpërfshirjen dhe multikulturalizmin, si dhe për të zhvilluar aftësi për të gjeneruar ide të reja”, thuhet në njoftimin e Institutit të Pedagogjisë, ndërsa kërkon që lënda e Pedagogjisë të mbetet pjesë e kurrikulës për arsimin e mesëm, pasi sipas tyre, e njëjta ofron një kontribut të mëtejshëm në zhvillimin e nxënësve, si dhe është pjesë e rëndësishme në përgatitjen e tyre për jetën shoqërore dhe profesionale.

Instituti kërkon që kërkesa e tyre të të merret në konsideratë dhe mos të lejohet që lënda e Pedagogjisë të shfuqizohet pa arsyetim të qartë dhe të bazuar në argumente të forta pedagogjike dhe shkencore.

“Koncepti i arsimit të mesëm duhet të pranojë sfidat, të zbatojë në mënyrë sistematike dhe gjithëpërfshirëse reformat dhe jo të shfuqizojë lëndët që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e aftësive dhe aftësive personale dhe profesionale prej vitesh. Heqja e lëndës Pedagogji bie ndesh me modernizimin e kurrikulave me të drejtën e garantuar ligjërisht për marrjen e njohurive dhe zhvillimin e aftësive intelektuale përmes lëndëve nga fusha të ndryshme, si shkencat shoqërore dhe humane”, thanë ata.

Ndër të tjera, siç sqaroi Instituti, lënda e Pedagogjisë është lëndë zgjedhore në vitin e tretë në arsimin e mesëm, me dy orë në javë dhe 72 orë në vit. Ndryshe, një hulumtim i viteve më parë i kryer nga BZHA ka treguar se nuk ka argumente të mjaftueshme për heqjen e lëndës së Pedagogjisë, madje përkundrazi, mësuesit mendojnë se duhet rritur numri i lëndëve zgjedhore. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm