(Dëshmia e gazetares Rita Baroud pas bombardimeve izraelite të spitalit Al-Alhi)
Në Deir al-Balah, i vetmi spital që ende funksionon është Spitali i Martirëve Al-Aksa. Merr të plagosur nga bombardimet, raste kritike dhe gra që lindin, por është i rraskapitur. Furnizimet mjekësore janë thuajse të shteruara. Stafi përsërit se po operon pa anestezi të plotë dhe ripërdorin të njëjtat instrumente disa herë. Jo vetëm që ka mungesë ilaçesh dhe antibiotikësh, por edhe mungesë garzash, dorezash dhe qesesh gjaku. Çadrat janë shndërruar në klinika fushore përreth spitalit. Fillimisht ishin strehimore, tani janë stacione të ndihmës së parë. Mjekët dhe vullnetarët mezi arrijnë të ofrojnë shërbimin minimal në këto struktura të improvizuara.
Nuk ka pajisje dhe nuk është e mundur të bëhen teste diagnostikuese, thjesht mund të bëhen përpjekje për të lehtësuar dhimbjet. Një infermiere thotë se nuk dihet më ku t’i dërgojnë pacientët. “Disa flenë nëpër korridore, të tjerë presin jashtë, nën diell, me orë të tëra”.
Me mbylljen e pikave kufitare dhe bllokimin e ndihmave për mbi 41 ditë, askush nuk e di se sa do të mund të mbajë struktura. Sot, të sëmuresh në Gaza mund të jetë e barabartë me një dënim me vdekje. Shumë objekte shëndetësore janë prekur ose nuk pranojnë më pacientë. Disa kërkojnë ndihmë nga një klinikë fushore në tjetrën, të tjerët qëndrojnë në shtëpi, pa alternativa. Një mjek ka rrëfyer se “ajo që dhemb më shumë nuk janë të plagosurit, por njerëzit që vdesin në heshtje sepse askush nuk mund t’i shpëtojë”. Sot godina e bashkisë u bombardua, pranë një klinike të vogël me burime minimale. Atje, të rinj vullnetarë përpiqen të kompensojnë mungesën e personelit dhe pajisjeve në çadrat e ngritura në oborr, sikur të ishin shumë afër reparteve.
Pacientët ishin në panik, edhe stafi ishte i frikësuar. Klinika është plot me çadra dhe tendat nuk mbrojnë nga asgjë. Mjekët pa Kufij sakaq kanë ngritur alarmin: gjendja shëndetësore në Gaza po përkeqësohet me një shpejtësi të frikshme.
Nëse ndjen shenja jo të mira, mjekët të përgjigjen: “Mos hajde, klinika është plot me raste të rënda, mund të infektohesh me diçka më të keqe”. “Rri në shtrat, pi diçka të ngrohtë. Barnatoret gjithsesi janë bosh, nuk ka më ilaçe!”. Më shumë se 1 mijë e 550 punonjës shëndetësorë janë vrarë. Rreth 70 mijë fëmijë janë në rrezik të kequshqyerjes së rëndë. 650 mijë janë duke pritur për një vaksinë kundër poliomielitit, por imunizimi është bllokuar. Sistemi shëndetësor është në kolaps. Njëzet e shtatë spitale nuk janë më funksionale. Midis tyre është Spitali i Miqësisë Turko-Palestineze, e vetmja qendër e kancerit në Rripin e Gazës.
Sëmundjet përhapen me shpejtësi: ethet, astenia, sëmundjet infektive të lëkurës. Uji është i ndotur, higjiena është e pamundur. Edhe pluhuri nga rrënojat është kthyer në mjet infeksionesh. Me afrimin e verës, ekziston frika nga shpërthimet e zgjebes, infeksionet mykotike dhe dermatiti. 59% e barnave esenciale dhe 37% e furnizimeve mjekësore janë jashtë stokut. Një mjek ka shpjeguar se “çdo javë shohim simptoma të reja”. “Diagnostifikojmë me intuitë, pa analiza. Nuk ka laboratorë, nuk ka makineri. Dhe me verën kemi frikë nga më e keqja”. Në fund të fundit, për një kohë të gjatë, vera në Gaza nuk ka qenë më det dhe dritë, por vapë, infeksione, erëra dhe plagë që nuk shërohen. Një mjek, duke folur për sulmin në spitalin Al-Ahli në qytetin e Gazës, ka thënë se “nuk e dimë më nëse po shpëtojmë jetë apo po përpiqemi të mbrojmë tonat”. “Të gjithë jemi bërë objektiva dhe mjekësia është bërë një rrezik i përditshëm”.
Al-Alhi ishte një nga strehimoret e fundit për pacientët kronikë dhe gratë shtatzëna. Tani as strukturat me simbolin e Kryqit të Kuq nuk konsiderohen më të sigurta. Khalil ka thënë se “kjo është detyra ime dhe unë dua të bëj gjithçka që mundem”. “Por unë jam i lodhur, ne po shohim gjëra që mendja njerëzore nuk mund t’i përpunojë. Dhe nuk kemi me kë të flasim për këtë”. Dhimbja është kudo. Nuk ka më kohë për t’u shëruar, nuk ka vende të sigurta, nuk ka ilaç.
A mund të mjaftojnë fjalët kur edhe ilaçi ka mbaruar?
(Ditar nga Gaza, për të përditshmen italiane “La Repubblica”)