E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024
6.8 C
Skopje

Të vizatosh lavdinë e të parëve tanë

Delvina KËRLUKU

Bashkim Mexhiti ka lindur më 16 korrik të vitit 1965, në Gostivar. Ka kryer shkollën fillore në vendlindje dhe atë të mesme teknike në vitin 1986/87 regjistrohet në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në degën e pikturës te klasa e prof. Tahir Emrës, ku edhe diplomoi në vitin 1991. Po në të njëjtin Universitet, në vitin 1998 i kreu me sukses studimet pasdiplomike dhe mori thirrjen: Magjistër i pikturës. Prej vitit 1994 angazhohet si kuadër arsimor në Akademinë e Arteve në Tetovë dhe është njëri ndër themeluesit e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, ku me sukses vazhdoi të japë kontribut profesional deri në ditët tona. Në vitin 2004 avancohet dhe e merr thirrjen Docent në lëndën Akti i mbrëmjes. Pas përvojës shumëvjeçare, në vitin 2013 merr thirrjen Inordinar në po të njëjtën lëndë. Në krijimtarinë artistike ka realizuar 14 ekspozita brenda dhe jashtë vendit, ku është vlerësuar mjaft kualiteti i tij krijues nga kritika profesionale e artit. Gjithashtu, të shumta janë edhe ekspozitat kolektive, mbi 80 ekspozita ku mori pjesë, si dhe pjesëmarrje në bienale të ndryshme të artit. Bashkim Mexhiti në mënyrë aktive merret me pikturë dhe skulpturë, është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë “Draudacum”. Po ashtu, ka qenë si kryetar i parë i të njëjtës shoqatë, duke dhënë kontributin e tij deri në regjistrimin e saj si shoqatë e nivelit republikan gjatë viteve 1999-2000. Është pjesëmarrës gati se në të gjitha ekspozitat dhe kolonitë e artit, të organizuara si në Maqedoni ashtu edhe jashtë saj. Është fitues i disa çmimeve si në vitin 2004 u nderua për kontribut të veçantë në lëmin e Artit Figurativ, nga Komuna e Gostivarit. Në vitin 2009, ka arritur çmimin e parë “28 Nëntori”, nga SHAFM. DRAUDACUM. Më 2011 çmimin e tretë në skulpturë “Pjetër Bogdani” nr.08-54/1, Komuna Qendër, Shkup. Po në këtë vit merr çmimin e parë në skulpturë “Josif Bageri’ në bashkëpunim me piktorë të tjerë, nga Komuna Qendër, Shkup. Si dhe në vitin 2015, nderohet për Kontribut të veçantë për memorialin dhe shtatoren e heroit kombëtar “Aqif Reçani”.

KOHA: Pasioni, arti, dhe talenti, lind me njeriun, por nganjëherë shpërthen si vullkan, në një moment të jetës. Si nisi karriera juaj si piktor?

MEXHITI: Pasionin e kam nxitës për sfida të reja, që më përqendron në atë çka është më e rëndësishmja në konceptin e krijimtarisë figurative konkretisht në pikturë, duke më ofruar mendime dhe ide pa gjykime mbi reflektimin e pasqyrimit të ndjenjave shpirtërore në pëlhurë. Më ndihmon që t’i thyej qëllimet afatshkurtre në pikturë, duke më inkurajuar në kërkimin dhe procesin e zhvillimit të një pikture të ngjeshur dhe dinamike.

Sa i përket artit, kjo është një pyetje komplekse, nuk ka ndonjë definicion të prerë, kuptimi i ynë mbi artin ka ndërruar nëpër shekuj. Mendimi apo definicioni tradicional, thotë se arti është prezantim kreativ i njeriut, pavarësisht nga mënyra apo stili i tij.

Përvoja ime në pikturën abstrakte ekspresioniste më ka mësuar që artin ta shoh si një nga format e shprehjes së ndjenjave apo mendimeve që e preokupojnë artistin, duke rrugëtuar përmes procesit të kreativitetit shumëdimensional, me veprim që aktiviteti artistik të ketë për qëllim stimulimin e intelektit mbi prezantimin e frymës së brendshme si formë e përkryer komunikimi, duke i kaluar të gjitha barrierat gjuhësore, kohore dhe hapësinore…

Sa i përket talentit, mendoj që për tu arritur suksesi i duhur në krijimtarinë artistike nuk është i mjaftueshëm vetëm talenti. Talenti është vetëm një hap për në botën e artit, kurse lëvizjet e hapave në vazhdim me një punë të përkushtuar me pasion ndaj profesionit, me një ekuilibër dhe pavarësi garanton suksesin. Me mbarimin e studimeve në drejtimin e pikturës, në vitin 1991, në Fakultetit e Arteve Figurative pranë Universitetit të Prishtinës dhe më vonë pas kryerjes së studimeve pas diplomike me sukses në vitin 1998 te klasa e profesorit shumë të respektuar Tahir Emra në Prishtinë, fillon edhe prezantimi im i parë në frymë kreative me ekspozitë personale në pikturë.

Do të theksoja edhe se vitet 1991-1996, kanë qenë vite të vazhdimësisë së punës akademike duke punuar ne portrete dhe peizazhe në frymën e realizmit.

Në vitin 1998 në hapësirat e galerisë së atëhershme “Europe Gallery” në Gostivar, u prezantova me ekspozitën e titulluar “Figuracioni në Hapësirë”, një cikël kushtuar nënqiellit tonë, kompozicione me lojë dinamike, kontraste, teksturale, simbolike… të gjitha të përfunduara duke i gërshetuar në kuadër të harmonisë.

Në ciklin e radhës, e bëna tërheqjen e figuracionit dhe e lashë vetëm peizazhin të pikturuar ne frymë të ekspresionizmit, të ngjeshur me ngjyra pastuoze, me dominim të kolorit arkaik, ku fjalën kryesore e ka simbolika e ngjyrave e cila ka për qëllim rumbullakësimin përfundimtar të idesë mbi mesazhin e peizazhit para dashamirëve të artit pamor.

Rruga e krijimtarisë mbi peizazhin më zgjati deri në vitin 2006. Kjo periudhë e krijimtarisë më hapi shtigje të reja në të shprehurit e kreativitetit artistik në prezantimin e ndjenjave të mia për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë si popull.

Nga viti 2007 fillova ciklin mbi shtresimin e periudhave kohore me përmbajtje frymëzuese nga qëndresa shumëshekullore e historisë të kombit tonë.

KOHA: Jeni piktor që u kanë vlerësuar, por edhe skulptor, vizatues dhe grafist i spikatur. Çfarë kanë të përbashkët dhe ku dallohen këto arte pamore, që ju i punoni?

MEXHITI: I falënderoj përzemërsisht të gjithë kritikët e artit, dekanin e Fakultetit të Arteve në Tetovë, Prof.Ord. Miftar Memeti, Prof. Dr. Hivzi Muharemi – Prishtinë, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, Prof. Dr. Salajdin Saliu, Prof.Dr. Metin Izetit, Prof. Dr. Mixhait Pollozhani, Prof. Dr. Jëlldës Asani, Aleksandra Zinovski-Viliq…, të gjithë kolegët dhe artdashësit, të cilët me fjalët e tyre mjeshtërore kanë bërë prezantimin dhe vlerësimin e frymës së krijimtarisë time për çdo ekspozitë.

Të jesh artist dhe të njohësh bazën e shtyllës kryesore të figuratives – vizatimin, është kënaqësia më e madhe. Kjo është lënda kryesore në Fakultetin e Arteve, e cila jep pasaportën që artisti ta ketë si leje kalim, me të cilën lirisht mund të kalojë dhe ta ndjejë forcën dhe madhështinë e çdo drejtimi, si në pikturë, skulpturë, grafikë, apo në ndonjë lloj tjetër të artit konceptual.

Nga përvoja ime në këto drejtime, mund të them se e përbashkëta e tyre, është ajo se të gjitha këto merren me të bukurën dhe të madhërishmen, edhe pse ato veçohen për nga natyra se në çka prezantohen. E kam fjalën si materiale bartëse se ku prezantohen si pëlhura, letra, bronzi, guri…. Por, alfabeti figurativ është i përbashkët, me të cilin përshkruhen ndjenjat, emocionet, mendimet, mesazhet kreative të artistit…

Nuk mund tua përshkruaj atë ndjesi të mrekullueshme kur gjendem përpara pëlhurës së bardhë, me ide për të shkaktuar një kaos dhe më pas të arrij në një balancë qetësie, me përmbajtje dramatike, lirike, poetike.., dhe në përfundim të mbretëron lavdia dhe e bukura në pikturë. Përvoja ime në skulpturë është kryesisht modelimi me argjilë. Kjo më jep kënaqësi në modelim, duke kërkuar format e duhura, vendosjen, lëvizjen, karakterin, personalitetin… Skulptura e ka ndjesinë tjetër. Për dallim nga piktura dhe grafika, ajo punohet dhe prezantohet në gurë, dru, argjil, hekur, duke na dhënë mundësinë që ta prekim, ta ndjejmë në formë, madhësi, lartësi, teksturë, me idenë se bukuria dhe madhështia e saj do të përfundojë në hapësirë të dedikuar për të.

Në vitin 2001 kam qenë pjesëmarrës në punëtorinë grafike te klasa e prof.Dimitar Milladinov në Shkup, në teknikën gjilpëra e thatë. Në kuadër të projektit tremujor, sipas programit të paraparë, arrita që të përfundoj tre vepra të ndryshme, të suksesshme. Gjatë realizimit përfundimtar të ideve në pllaka të zinkut, të cilat paraprakisht i kisha përzgjedhur dhe përgatitur në letër. Kjo përvojë e dëshmon atë që e thashë në fillim për vizatimin. Vizatimi është ajo që artistit ia heq drojën duke i dhënë kurajë për kërkime të reja, pavarësisht se me cilin lloj të artit ai do të merret. Kryesore është që kreativiteti artistik të shpërthejë dhe ta zë vendin e merituar në këtë shoqëri.

KOHA: Në veprat tuaja veçohet kontrasti i vijave dhe sipërfaqet në përgjithësi, ndërsa dritë -hija, që krijohet në “imazh”, duket si dukuri e natyrës, në veçanti. Si arrini ti harmonizoni vijat dhe cili është simboli?

MEXHITI: Po, në tabllot e mia veçohet kontrasti, thyerja grafike, sipërfaqet me ngjyrat e shtruara lirshëm, tonet, shkronjat. Me një fjalë, shumë nga elementet figurative transmetojnë atmosferën e imazheve si dukuri të natyrës nëpër kohëra, të cilat janë nën kujdesin e dritës dhe hijes. Me anë të ngjyrave, si mjet elementar shprehës, të shtruara mbi sipërfaqen e pëlhurës, demonstroj temperamentin e lëvizjes gjestuale, duke arritur që të fitoj një kolorit mjaft intensive dhe me tinguj tejet lirik. Nëpërmjet lirizmit, pasqyroj raportin esencial metaforik të poetikës së formave abstrakte në pikturë, duke u hapur rrugë imazheve, të cilat janë të udhëhequra nga dimensioni shpirtëror, në ndjeshmëri të barabartë me letërsinë, muzikën simfonike, historinë…Tabllot e mia janë në kërkim të dialogut vizual midis meje dhe spektatorit. Pjesa tjetër mbetet në dorën e tij, të zbulojë kuptimin nëpërmjet këndvështrimit tim mbi përmbajtjen e pikturës.

KOHA: Arti gëzon një rrjet të gjerë studimi, përhapja dhe konservimi i gjithë trashëgimisë artistike të njeriut përgjatë historisë. Si nisi dëshira juaj për të studiuar. Nga kush u përkrahët?

MEXHITI: Vet zhvillimi historik i artit gjatë periudhave të ndryshme të cilave iu është nënshtruar, duke lënë pas vetes vepra nga fusha të ndryshme të veprimtarisë mendore dhe krijuese, shndërrohet në një thesar të njerëzimit, burim, përçues, apo urë lidhëse në mes brezave njerëzore, para dhe pas. Për tu ruajtur ky zinxhir i trashëgimisë artistike të njeriut përgjatë historisë dhe për të vazhduar në kërkim të mëtutjeshëm të artit, janë paraparë përhapja e institucioneve të ndryshme kulturore, muzeve, fondacioneve të ndryshme për investime në kulturë, Galeri… etj. Dëshirën për të studiuar artin figurativ e kam pasur qysh si i ri, qysh në fëmijërinë e hershme vizatimin e kam pasur pasion, për këtë dhunti ndaj vizatimit çdo herë i kam pasur krah prindërit e mi, duke m’i plotësuar kërkesat e mia për edukatën figurative. Vendimi për të studiuar drejtimin e pikturës u përkrah me shumë kënaqësi nga prindërit, sepse ata i kishin parasysh virtytet e mia mbi figurativen.

KOHA: Keni ekspozuar katërmbëdhjetë ekspozita personale. Këto ekspozita pasqyrojnë rrugëtimin e gjatë historik të trojeve tona nëpër kohëra, apo historinë e vetë autorit, në botën që e rrethon?

MEXHITI: Ekspozitat e mëhershme, edhe pse në motive kanë qenë të ndryshme nga kjo e fundit, por në karakter përmbajtjesor të idesë së mendimit filozofik janë të ngjashme. Në kuadër të krijimtarisë sime aktive, i kam kaluar dy cikle: e para, figuracioni në hapësirë dhe e dyta peizazhi, pikturat që datojnë nga viti 2007 i takojnë ciklit të tretë, është cikli në të cilën figuracionin e kam tërhequr plotësisht. Pra, vetvetiu nga përvoja, intuita në krijimtarinë time më kërkoi që të futem në kërkime të reja artistike kreative pa figuracione, thjeshtë vetëm shtrirje ngjyrash, në të cilën punën më të madhe për të drejtuar kahun mbi kuptimin e përmbajtjes thelbësore të mendimit do ta bëjnë elementet dhe parimet figurative. Ekspozita e fundit në QIK- Shkup ishte ekspozita e katërmbëdhjetë me titull “Dimensione kohore”. Nëpërmjet pikturave të kësaj ekspozite tentoj të përcjelli emocione, ndjesi, mendime, filozofi, poetikë, tregim, mesazh si dhe shpirtin e vet pikturës. Motivi etimologjik i veprave pasqyron rrugëtimin e gjatë historik të trojeve tona nëpër kohëra, qëndresa shumëshekullore të periudhave të ndryshme, hyjnizimi i gjuhës, shkrimi i lashtë si dhe lavdia e të parëve tanë… Të gjitha këto motive të lartpërmendura shtresohen në piktura abstrakte ekspresioniste me tema që bazohet në atë që shihet: ngjyra, forma, vija, shkronja, si dhe vet procesi i veprimit në pikturë … janë nën ombrellën e simbolikës dhe flasin me gjuhën e simbolikës që përfundojnë në kompozicione duke shprehur lirikën e dhimbjes dhe dashurisë.

KOHA: Keni realizuar edhe shumë skulptura, ndër të cilat shquhen shtatoret e Xhemë Hasës, Haqif Krosit, Komandant Tigrit dhe Josif Bagerit. Si nisi puna e skulpturës dhe ç’flet historia e figurave të përmendura?

MEXHITI: Puna e skulpturës nisi më 2004/2005, me konkursin e hapur nga Këshilli iniciativë i fshatit Simnicë të Gostivarit për figurën e shquar të Xhemë Hasë – Gostivarit.

Pasi mu besua konkursi për realizimin e shtatores, fillova punën rreth realizimit të veprës me lartësi prej 3.30 metra, e cila u shpalos në vitin 2006 në f. Simnicë.

Po në të njëjtin vit, 2005, u shpall edhe konkursi për Aqif Krosi – Reçani, konkurs ky që për mua ishte tepër i mirëseardhur, për arsye se pata bërë një përvojë të mirë me shtatoren e Xhemë Hasës, të cilën e kisha afruar kah përfundimi.

Ka qenë një kënaqësi mbresëlënëse kur ma thanë se e kisha fituar edhe këtë konkurs. E fillova punën pa humbur kohë, kështu që në atelienë ku punoja, u bënë dy shtatore në një hapësirë shumë të vogël. Kjo nuk ishte vetëm dëshira e madhe për të promovuar aftësitë e mia në skulpturë, ishte edhe një sfidë ndaj vetes time. Besoj fortë se kjo do të kishte qenë sfidë për çdo artist, por jo çdokush u hyn këtyre sfidave. Për shkak të problemeve me lokacionin, shtatorja e Aqif Reçanit u shpalos në vitin 2015, me lartësi prej 3.30 me bazament 2.00 metra. Në kuadër të vendit ku u vendos shtatorja, përgatita edhe projektin e plotë të memorialit, shqiponja në prapavijë e realizuar në beton me dimensione 15.00m/3.50m. Kjo përvojë e mirë në skulpturë, më hapi rrugët që lirshëm të marr pjesë në çdo konkurs që shpalleshin në vend dhe jashtë vendit…

Komandant Tigri – Fadil Nimani, është shtatore me lartësi 4 m. e vendosur në Vaksincë të Komunës së Likovës, që u shpalos në vitin 2008 në bashkëpunim me kolegun Muamer Sadiku. Pas kësaj, pason konkursi i projekti “Shkupi 2014”, ku morëm pjesë bashkërisht me Sadikun, duke konkurruar me tri ide zgjedhore të tre personaliteteve të shquar shqiptarë: Josif Bageri në emër të M. Sadiku, Pjetër Bogdani në emrin tim dhe Nexhat Agolli në emër të Astrit Sadiku. Nga ky konkurs arritëm të korrim sukses duke fituar vendin e parë me idenë zgjedhore të Pjetër Bogdanit. Pas tre muajsh, konkursi u përsërit dhe nga vendi i parë mua ma ndanë vendin e tretë, kurse vendin e parë na e ndanë për Josif Bagerin. Kush, dhe si u prish konkursi, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre, gjithkush mund të harrojë, por ndërgjegjja nuk të harron.

Shtatorja e Josif Bagerit me lartësi prej 5.00 metra u vendos në një postament të rrethuar dhe të pasur me libra reliefike të bronzit, në vitin 2016.

KOHA: Si profesor, çfarë flet karriera juaj në Fakultetin e Arteve Figurative pranë Universitetit të Tetovës? Dhe, si e shihni arsimin shqip sot në krahasim me dekada më parë?

MEXHITI: Karriera ime në kuadër të fakultetit nuk flet shumë, por ia vlen të përmendi dy elemente me të cilat krenohem: e para, mburrem që jam në mesin e kolegëve me të cilët bashkërisht kontribuuam në themelimin e Fakultetit të Arteve pranë Universitetit të Tetovës me Prof. Ord. Miftar Memeti, Prof. Meli Zenku, Prof. ord. Xhelil Rufati, Prof. Ord. Nafi Jashari dhe Prof. ord. Nehat Beqiri, me theks të veçantë duke i kujtuar dhe falënderuar profesorët e Prishtinës, Prof. ord Tahir Emra, Prof. Ord. Muslim Mulliqi – i ndjerë, Prof. Ord. Rexhep Ferri dhe Prof. dr. Hivzi Muharemi

E dyta, krenohem me të gjitha gjeneratat e shkëlqyera që i kemi përcjellë, si dhe me studentët që i kemi në vijim të procesit mësimor, të cilët me punën e tyre me përgjegjësi dhe ndërgjegjshmëri, janë të përgatitur me cilësi të larta artistike, që sot i kemi edhe kolegë, të cilët përfaqësojnë shoqërinë e dijes dhe të artit.

Sa i përket arsimit shqip, mendoj se tekstet dhe programet shkollore duhet plotësisht të përfaqësojnë vlerat dhe kulturën kombëtare të nxënësve shqiptarë, duhet të bëhet përmirësimi i infrastrukturës në shumë objekte shkollore, si dhe mbështetja e plotë financiare institucioneve të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

KOHA: Si mendoni, artistët sot në Maqedoni përkrahen nga institucioni ku punojnë, vetë financim apo Ministria e Kulturës, për të realizuar një vepër – ekspozitë?

MEXHITI: Sa i përket kësaj pyetjeje, mendoj që së pari unë duhet të jem autokritik. Si dhe sa unë në mënyrë të rregullt i kam përcjellë konkurset? A kam konkurruar dhe proceduralisht a i kam plotësuar kërkesat e dhëna në konkurs..?

Megjithatë, duke parë aktivitetet kulturore shqiptare në Maqedoni, sidomos të vitit të kaluar 2017, ka qenë vit që u prezantua dukshëm me aktivitete galerive, teatrale, muzikore… Parë nga ky këndvështrim, fitojmë përshtypje se është gjithçka në rregull, por shtrohet pyetja se me sa mjete buxhetore ato mbulohen. Në komunikim me kolegët e mi piktorë dhe me kolegët e drejtimeve të tjera, kuptojmë se mjetet që lëshohen nuk janë të mjaftueshme. Pra, në këtë drejtim duhet që përfaqësuesit shqiptarë nëpër komisione të Ministrisë për Kulturë, të jenë më këmbëngulës në plotësimin e kërkesave të artistëve shqiptarë dhe po i njëjti vullnet duhet të përfundojë me firmosjen e fundit nga ana e Ministrisë.

KOHA: Si e përshkruani jetën e fëmijërisë në vendlindje, dhe a është e gërshetuar ajo në veprat tuaja, si shtëpia, kopshti, fusha, malet?

MEXHITI: Fëmijëria është diçka shumë e veçantë, në vete ngërthen shumë kujtime që na bën rob të nostalgjisë, qofshin ato të ëmbla ose të hidhura. Është një periudhë e jetës ku fillojmë të japim dhe t’i shfaqim afinitetet tona për diçka, afinitete që na kanë mbajtur në pafajësinë e pastër të kreativitetit fëmijëror, të cilat, ndonjëherë ndodhën që të prezantojmë ndonjë detaj nga imazhet e kujtimeve fëmijërore, bazuar nga vendlindja dhe tregimet e gjyshërve, duke i gërshetuar ato me njohuritë e fundit.

KOHA: Familja juaj është fuqia dhe dobësia e juaj?

MEXHITI: Për familjen janë të dyja, edhe fuqia edhe dobësia, që barazohet me jetën. Shkurt, familja është jeta.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm