Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se në vendin ku tashmë është shkolla e mesme Tekstile, do të ndërtohet edhe objekti për shkollën e mesme të gjimnazit “7 Marsi”
Urim HASIPI
Tetovë, 29 dhjetor – Vitin e ardhshëm pritet të fillojë ndërtimi i objektit të ri të Shkollës së Mesme Tekstile në Tetovë. Objekti i kësaj shkolle është ndërtuar në vitet e 50-ta, ndërsa me kalimin e kohës, objekti aspak nuk i ka plotësuar nevojat për zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor. Disa herë ka patur ndërhyrje vetëm në aspektin e mirëmbajtjes së këtij objekti, por rikonstruim të gjerë nuk është bërë. Duke patur parasysh se në këtë shkollë funksionojnë edhe shumë kabinete për lëndë profesionale, ishte nevojë e kohës që të ketë një objekt të ri për këtë shkollë. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se objekti do të kushtojë rreth 5 milionë euro.
“Fillimisht është ndërtimi i një objekti të shkollës së mesme Tekstile, projekt që do të kushtojë rreth 5 milionë euro, i cili pjesërisht do të financohet nga mjetet e Qeverisë për vitin 2024, për çka veçmë kemi nënshkruar marrëveshje dhe pjesërisht do të financohet po ashtu nga mjetet e Qeverisë për vitin 2025”, deklaroi Kasami.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se në vendin ku tashmë është shkolla e mesme Tekstile, do të ndërtohet edhe objekti për shkollën e mesme të gjimnazit “7 Marsi”. “Plani i Komunës së Tetovës është që shkolla e mesme Tekstile dhe gjimnazi ‘7 Marsi’, të jenë në dy objekte, pra në adresën aktuale ose oborrin ku tash ndodhet shkolla e mesme Tekstile, me një fjalë të dy shkollat do të jenë në atë lokacion. Të gjitha kabinetet që janë aktualisht do të jenë edhe në objektin e ri dhe normalisht se do të pajisen edhe me inventar tjetër të nevojshëm”, deklaroi Nazmi Dauti nga Sektori për arsim në Tetovë.
Nga Sektori për arsim bëjnë të ditur se kur të fillojnë punimet për ndërtimin e objektit të shkollës së mesme tekstile, nxënësit pritet që mësimin ta ndjekin në ndonjë shkollë të afërt fillore.
Nga viti 2005 me ligjin për decentralizim të pushtetit dhe ligjit për ndarje territoriale, kjo shkollë funksionon si shkollë të mesme publike komunale. Ndërkaq, lidhur me transferimin e gjimnazit “7 Marsi”, sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, në këtë gjimnaz gjithnjë ka interesim më të vogël për regjistrim. Një ndër arsyet kryesore e rënies së numrit të nxënësve është edhe largësia e objektit nga qyteti, pasi i njëjti ndodhet në një lagje perferike, respektivisht në lagjen Drenovec, ku ndodhet edhe shkolla fillore “Migjeni”. Ndryshimi i lokacionit apo ndërtimi i objektit në një vend me shkollën e mesme Tekstile shihet si një zgjidhje për të tërhequr më shumë nxënës në këtë gjimnaz. (koha.mk)