Më shumë se 57 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian vlerësojnë se mediat kombëtare në vendet e tyre nuk sigurojnë informacione, të cilat janë të pavarura prej presionit politik dhe komercial, tregon anketa e sivjetme e Eurobarometrit për pluralizmin medial dhe demokracinë. Madje, mbi 60 për qind e qytetarëve evropianë vlerësojnë se serviset publike kombëtare nuk janë të çliruara nga presioni politik, ndërsa shumica e evropianëve janë të bindur se rregullatorët medial në vendet e tyre nuk janë të lira dhe të pavarura nga presionet politike, qeveritare dhe komerciale. Në kumtesën e sotme, Komisioni Evropian porositi se tërësisht është i përkushtuar në liritë mediale dhe se pluralizmi medial është mbrojtës kyç i demokracisë së shëndoshë, bashkë me lirinë e të shprehurit, si palcë e vlerave kryesore demokratike të Unionit. Megjithatë, anketa e Eurobarometrit, e zbatuar në shtator dhe tetor të këtij viti me 28 mijë banorë të 28 vendeve anëtare të BE-së, tregon pikëpamje të ndryshme për gjendjet mediale në BE nga qytetarët e saj dhe se në sytë e evropianëve akoma duhet të punohet shumë që të përmirësohen që të sigurohet pavarësi në mediat nacionale dhe të mbillet besimi në to. “Përvoja e gjerë e gjuhës së urrejtjes, keqpërdorimet dhe kanosjet në hapësirën onlajn, gjithashtu, duhet të zgjidhen që të sigurohet që të gjithë qytetarët të ndjehen të sigurt dhe që të mund të shprehen në internet”, theksohet në kumtesën e Eurokomisionit. Konkretisht, mbi 57 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “jo” në pyetjen “nëse mediat nacionale sigurojnë informacione, të cilat lirohen nga presioni politik dhe komercial”, ndërsa vetëm 38 për qind prej tyre u përgjigjën me “po”. Veçanërisht zhgënjyese për Bashkimin Evropian janë të dhënat se, 60 për qind e të anketuarve vlerësojnë se serviset publike kombëtare nuk janë të çliruara nga presionet politike, kundrejt 35 përqindëshit që janë përgjigjur se ka liri. Shumicë e ngushtë prej 53 kundrejt 44 për qind nga të anketuarit në BE janë dakorduar se mediat e tyre kombëtare sigurojnë informacione të besueshme, ndërsa në raport me mediat, besim më të madh qytetarët kanë në radio (66 për qind), e pastaj pasojnë televizioni dhe gazetat e shtypura dhe onlajn (55 për qind), ndërsa vetëm 32 për qind e të anketuarve kanë besim në mediat sociale. Sipas anketës së Eurobarometër, vetëm tre nga dhjetë të anketuarit (31 për qind) janë përgjigjur se janë të njoftuar me trupin që i mbikëqyr mediat audio-vizuale në vendin e tyre, ndërsa madje tetë nga dhjetë personat ose nuk e kanë ditur fare ose kanë dhënë përgjigje jo të saktë. Madje, gjysma e qytetarëve të anketuar të BE-së (46 për qind) konsiderojnë se rregullatorët e tyre medialë nacionalë nuk janë të lira dhe të pavarura nga trysnia politika, qeveritare dhe komerciale.
Artikulli paraprak
Artikulli tjetër