Çdo e treta kontratë për prokurim publik në periudhën janar-qershor 2023, është lidhur në një procedurë në të cilën ka marrë pjesë vetëm një kompani. Vendimet e marra gjatë zbatimit të prokurimeve publike nuk janë të arsyetuara në mënyrë adekuate dhe precize, gjë që vë në dyshim objektivitetin dhe ligjshmërinë e veprimeve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 mars – Çdo e treta kontratë për prokurim publik në periudhën janar-qershor 2023, është lidhur në një procedurë në të cilën ka marrë pjesë vetëm një kompani. Me këtë mungesë konkurrence janë lidhur kontrata me vlerë të përgjithshme prej 283 milionë euro. Vendimet e marra gjatë zbatimit të prokurimeve publike nuk janë të arsyetuara në mënyrë adekuate dhe precize, gjë që vë në dyshim objektivitetin dhe ligjshmërinë e veprimeve. Kjo kryesisht ka të bëjë me vendimet për refuzimin e ofertave të dorëzuara dhe për anulimin e tenderëve.
Në një pjesë të konsiderueshme të procedurave nuk përcaktohen sasitë e asaj që prokurohet, gjë që pamundëson kompanitë të ofrojnë çmime më të ulëta për sasi më të mëdha të prokurimit. Kjo mundëson manipulime dhe abuzime në fazën e zbatimit të kontratës. Me fjalë tjera, akoma vazhdojnë të realizohen në vend tenderë me procedura jo llogaridhënëse apo mungesë konkurrence . Këto të dhëna janë pjesë e raportit më të ri të monitorimit të furnizimeve publike të Qendrës për Komunikime Qytetare.
“Arsyeja kryesore e dyshimeve për objektivitetin, por edhe ligjshmërinë e veprimeve kur janë shpenzuar paratë publike, është se vendimet e marra gjatë realizimit të prokurimeve publike nuk shpjegohen saktësisht”, thuhet në Raport.
Në gjysmën e parë të vitit 2023 janë publikuar gjithsej 11.930 shpallje për prokurime publike.
Pothuajse të gjitha këto shpallje kanë të njëjtin kriter të përbashkët për zgjedhjen e ofertës më të favorshme, që është çmimi më i ulët. Vetëm 646 prokurime janë kryer në bazë të raportit më të mirë të çmimit dhe cilësisë.
“Ajo që ne po apelojmë në vazhdimësi është të përpiqemi të blejmë atë që është më e shpagueshme në prokurim publik sepse shpenzohen paratë e huaja. E gjithë kjo duhet të planifikohet mirë, të ndiqet plani, dhe të arsyetohen vendimet. Njëherësh duhet krahasuar atë që është e blerë me prokurim me atë me të cilën kemi dëshiruar të furnizohemi sipas nevojës”, thotë German Filkov nga Qendra për Komunkime Qytetare.
Sipas tij, nevojitet të bëhen përpjekje për të rritur konkurrencën me qëllim që gjitha këto para prej 1.5 miliardë euro në vit që shpenzohen përmes prokurimet publike, të shpenzohen me të vërtetë për nevojat e qytetarëve.
Raporti më tej thekson se në procedurën jo transparente me negocim pa shpallje paraprake të shpalljes, në gjysmën e parë të vitit 2023 janë lidhur kontrata me vlerë totale rreth 11 milionë euro. Rreth 91 për qind e këtyre kontratave janë lidhur në negociata vetëm me një kompani. Vlera më e madhe e këtij lloji të kontratave ka kompania e shtetit Elektranat e Maqedonisë.
Hulumtimi i çmimeve të tenderit të trajtimit të qenve tregon konkurrencë shumë të ulët prej vetëm 1.5 ofertash për tender. Për disa shërbime, si “qëndrimi njëditor i qenit në strehimore” çmimi më i lartë është 244 për qind më i lartë se mesatarja dhe për një shërbim tjetër “kap, transport në ambulancë dhe kthim”, çmimi më i lartë është për 12.5 herë më i lartë se çmimi më i ulët. (koha.mk)