Edhe përkundër shumë premtimeve, ndërtimi i stadiumit të qytetit të Tetovës mbetet prioritet për administratën aktuale të komunës së Tetovës. Megjithatë, nuk ka ende një qartësim se si do të bëhet financimi i stadiumit të ri
Urim HASIPI
Tetovë, 29 dhjetor – Rreth 5 milionë euro janë investuar gjatë vitit 2023 në infrastrukturën rrugore në komunën e Tetovës. Kështu ka thënë kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, gjatë një takimi me gazetarë. Sipas tij, komuna është munduar që të përfshijë të gjitha rrugët që kanë qenë në gjendje më të rëndë, ndërsa nënvizoi rrugën në lagjen e vikend shtëpizave, rrugën për në fshatin Vicë, Bozovcë, Veshallë e kështu me radhë. “Kemi hapur bulevarde, rrugë të reja, rikonstrumin e disa rrugëve dytësore të cilat ishin lënë në harresë, investime në të gjitha fshatrat e komunës, në rrugë, kanalizime, shkolla etj, poashtu të mos harrojmë edhe projektin madhor i financuar nga IPA fondet Kolektori për kanalizimin e ujërave të zeza dhe filter stacioni. Poashtu ne kemi arritur që të ulim edhe borxhin e trashëguar”, deklaroi kryetari Kasami.
Megjithatë Kasami tha se sfidë për komunën e Tetovës mbetet problemi me qentë endacak, problemi me rregullimin e gypit kryesor I ujësjellësit për Tetovën, mos mbështetja financiare e Ministrisë së Transportit për përpilimin e Planit Gjeneral Urbanistik për Tetovën, kur dihet se prej vitit 2013 komuna e Tetovës funksionon pa këtë plan. Sipas tij, përkushtimi mbetet I njejtë edhe në vitin që vjen, për të pasur një qytet të zhvilluar. “Të mos harrojmë edhe depërtimin e bulevadrit ‘Bllagoja Toska’, i cili është një projekt i madh dhe i rëndësishëm për mbarëvajtjen e komunikacionit në qytetin e Tetovës. Bashkë me ekipin tim, jemi të përkushtuar të punojmë edhe më fort për të siguruar një ardhmëri më të ndritshme për të gjithë. Propozimet tona për investime në të gjitha sferat e jetës shoqërore janë hapat e radhës dhe të rëndësishëm drejt një komune më të fuqishme dhe më të mirë. Në vitin e ardhshëm, synojmë të thellojmë këtë lidhje të veçantë dhe të bëjmë komunën tonë një vend ku çdo zë, çdo mendim dhe çdo kontribut do të llogaritet. Propozimet tona për investime në sfera të ndryshme janë pjesë e një vizioni të qartë për një komunitet më të zhvilluar”, nënvizoi ai.
Edhe përkundër shumë premtimeve, ndërtimi i stadiumit të qytetit të Tetovës mbetet prioritet për administratën aktuale të komunës së Tetovës. Megjithatë, nuk ka ende një qartësim se si do të bëhet financimi i stadiumit të ri. “Poashtu zgjidhja është afër edhe me ndërtimin e stadiumit të qytetit, i cili do të jetë i rregulluar dhe do të pajiset me të gjitha elementet e nevojshme për të gjene në stadium konform rregullave të UEFA-së. Sa i përket stadiumit të qytetit dua të theksoj se me 13 janar 2024 do të hapen ofertat dhe pastaj do të vazhdojmë me përzgjedhjen e operatorit, përzgjedhja pritet të bëhet në fillim të muajt shkurt”, ka thënë kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.
Ndërkohë, Kasami është shprehur se komuna që drejton ai, edhe pse ka gjetur mbi tre mijë lëndë për legalizim, megjithatë të njëjtat tashmë kanë marrë vendim dhe nuk ka lëndë që presin në sirtarë për tu zgjidhur. (koha.mk)