E shtunë, 15 Shkurt, 2025
3.8 C
Skopje

Thjeshtohen procedurat për subvencionet

Nga ky vit, subvencionet do t’i nënshtrohen disa thjeshtësimeve administrative për të shkurtuar kohën e aplikimit për fermerët. Përmes rishikimit elektronik në Agjencinë e Pagesave, fermerët do të mund të marrin të dhëna për kërkesat e dorëzuara për miratim për subvencionim, shumën e paguar dhe datën e pagesës

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 5 shkurt – Fermerët mund të kenë qasje në mënyrë elektronike ndaj të dhënave më të rëndësishme në lidhje me aplikimet e dorëzuara për subvencionim. Njëherësh, Ministria e Bujqësisë po përgatit një program të ri me disa ndryshime në sistemin e subvencioneve. Nga ky dikaster thonë se kanë evidentuar mangësi në mënyrën e deritanishme të mbështetjes së fermerëve dhe se në kuadër të programeve të reja të mbështetjes financiare për vitin 2025 kanë filluar ndryshimet në sistemin e mbështetjes. Nga ky vit, subvencionet do t’i nënshtrohen disa thjeshtësimeve administrative për të shkurtuar kohën e aplikimit për fermerët. Përmes rishikimit elektronik në Agjencinë e Pagesave, fermerët do të mund të marrin të dhëna për kërkesat e dorëzuara për miratim për subvencionim, shumën e paguar dhe datën e pagesës, si dhe ndryshimet dhe shtesat në të dhëna.

Për të hyrë në kërkim, është e nevojshme të vendosni numrin e identifikimit të një personi fizik ose numrin e kërkesës elektronike për një person juridik. Ndryshime priten edhe në avancimin e subvencioneve që duhet të hiqen si subvencioni për naftën e gjelbër për ta bërë masën më efikase.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se me modelin e vjetër, kishte raportim të dyfishtë të masës themelore apo bazë që raportohet në qershor dhe masës shtesë që raportohet në dhjetor. Kështu , rreth 9 mijë fermerë nuk arritën ta deklaronin këtë subvencionim shtesë pikërisht për shkak të atyre barrierave burokratike. Gjithashtu, do të ketë një rritje të mbështetjes financiare për kulturat e rëndësishme strategjike për të stimuluar fermerët që t’i kthehen procesit të prodhimit. Rritja e masës së mbështetjes nëpërmjet pagesave direkte do të zbatohet në nënsektorët që po përballen me një rënie të rëndë të prodhimit, por që kanë një avantazh krahasues dhe prodhojnë produkte të rëndësishme për ushqimin e popullsisë, si p.sh. nënsektorët e blegtorisë.

Transformimi dhe përmirësimi shtesë i masave do të realizohet përmes programeve në periudhën e ardhshme për shkak të domosdoshmërisë së ndryshimeve të mëparshme ligjore të planifikuara për këtë vit. Paralajmërohen edhe kontrolle të shtuara për të parandaluar keqpërdorimet eventuale të subvencioneve. Dy javë më parë, ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripnovski njoftoi se me iniciativën e tij u mbajt një takim pune me më shumë se 30 shoqata me një agjendë të vetme, e cila ishte shqyrtimi i propozim-programeve të subvencioneve për vitin 2025, konkretisht Programi për pagesa direkte dhe programi për zhvillim rural.

“Temë e këtij takimi ishte krijimi i programeve së bashku me shoqatat bujqësore që do të nxisin dhe rikthejnë prodhimtarinë bujqësore në Republikën e Maqedonisë”, sqaroi ministri. Ministri Tripunovski shtoi se ky është vetëm një nga takimet që është mbajtur dhe se në ditët në vijim do të ketë takime të tjera me aktorët e tjerë në sektorin e bujqësisë.

“Ne do të punojmë së bashku për të miratuar programe që do të çojnë në zhvillimin e bujqësisë maqedonase. Ajo që po bëjmë si aktivitet është fjalë për fjalë hapja e dyerve të Ministrisë me qëllim që të punojmë së bashku dhe në partneritet në këtë sektor”, theksoi Tripunovski. Ai për sivjet premtoi pagesën e rregullt e subvencioneve, hapjen e zyrave të reja rajonale të ministrisë, investimet në sistemet e ujitjes, përkrahjen e gjithë sektorit të bujqësisë, kujdesi për fermerët përmes zgjidhjes së problemeve të marketingut dhe masa të tjera që synojnë përmirësimin e gjendjes në bujqësinë e Maqedonisë. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm