Nga sot(4 janar 2025) ka nisur aplikimi i pagesës në segmentin Thumanë-Kashar. Automjetet që do të zgjedhin kalimin në këtë aks do të paguajnë një tarifë sipas kategorisë ku bëjnë pjesë duke nisur nga 2.5 euro (me TVSH) për automjetet e thjeshta.
Kompania koncesionare G2Infra njoftoi pak javë më parë se kjo rrugë që është pjesë e korridorit Blu do të hyjë në regjimin e pagesës ashtu sikurse është parashikuar qysh në fillesat e saj dhe në marrëveshjen e koncesionit që ajo ka me shtetin shqiptar.
Kategoria 1:
o Motocikletat
o Paguajnë 70% të vlerës bazë prej 2.5 Euro.
o Tarifa përfundimtare: 1.75 Euro (rrumbullakosur në 1.8 Euro) ose 170 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).
B. Kategoria 2:
o Autoveturat (tarifa bazë)
o Tarifa bazë: 2.5 Euro me TVSH.
o Konvertuar në Lekë: 250 Lekë (me kursin EUR/ALL 1:98).
C. Kategoria 3:
o Mjete me 2-3 akse dhe lartësi mbi 2.2 metra
o Paguajnë 250% të vlerës bazë.
o Tarifa përfundimtare: 6.25 Euro (rrumbullakosur në 6.3 Euro) ose 620 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).
D. Kategoria 4:
o Mjete me 4 ose më shumë akse
o Paguajnë 350% të vlerës bazë.
o Tarifa përfundimtare: 8.75 Euro (rrumbullakosur në 8.8 Euro) ose 870 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).
Koncesioni i rrugës
Rruga Thumanë-Kashar u hap për qarkullim në 30 qershor 2024 dhe është një autostradë 21 kilometra. Kjo rrugë u ndërtua nga kompania private mbajtëse e koncesionit 35 vjeçar dhe me një kosto 271 milionë euro sikurse u deklarua gjatë ceremonisë së çeljes pak muaj më parë.
Kontrata me Gener 2 dhe G2 Infra që janë mbajtëse të koncesionit përllogarit që gjatë 35 viteve plani i të ardhurave të jenë rreth 1.3 miliardë lekë pa TVSH.
Një element tjetër i kontratës është ai lidhur me garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës. Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje.
Kështu në vitin e parë plani bazë i të ardhurave për operim dhe mirëmbajtje është 26.85 milionë euro ndërkohë që shteti do të garantojë 8 milionë euro, në vitin e dytë që përkon me vitin 2025 plani bazë i të ardhurave është 25.58 milionë euro dhe garancia e shtetit ulet në 5.6 milionë euro.
Në vitin e tretë të operimit plani i të ardhurave është 25.10 ndërkohë që nëse nuk arrihet ky plan garancia e shtetit është për 3.92 milionë euro. Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke shkuar në 63.15 milionë euro në vitin 2055 teksa mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro.(Monitor)