Mesfushori i Newcastle dhe i kombëtares italiane, Sandro Tonali, ka dhënë një intervistë të gjatë dhe interesante për “Vivo Azzurro TV”. Pas dhjetë muajve pezullim për çështjen e basteve, futbollisti i lindur në vitin 2000 u kthye në fushë me fanellën e Italisë më 6 shtator në Paris, kundër Francës. Një ndeshje që shënoi “rilindjen” e tij, por edhe atë të axurrëve:
“Rikthimi im në fushë kundër Francës ishte një çlirim. Ndeshjet e para me Newcastle i përjetova më shumë emocionalisht dhe më pak nga ana futbollistike. Atë ndeshje në Paris e përjetova totalisht nga ana futbollistike. Ishte ndeshja e tretë dhe nuk kisha më emocionet e debutimit. Ishte shumë bukur, gjithçka erdhi natyrshëm”.
Tonali foli gjithashtu për dhjetë muajt e pezullimit të tij: “Sezoni i kaluar ishte një periudhë shumë e vështirë, por edhe shumë produktive. Do ta mbaj gjithmonë në kujtesë vitin që kalova jashtë fushës, sepse është e drejtë të mos e harroj.
Besoj se kur një lojtar stërvitet gjithë javën pa arritur qëllimin e tij përfundimtar, që është ndeshja, ndjen një boshllëk brenda vetes. Nuk ishte aspak e thjeshtë të qëndroja vitin e parë larg shtëpisë, pa luajtur asnjë ndeshje zyrtare, duke u përpjekur vetëm të ruaja formën fizike. Kjo ishte sfida që duhej ta përballoja në mënyrën më serioze të mundshme”.
Gjatë intervistës, Tonali foli edhe për raportin e tij me trajnerin e kombëtares: “Me mister Spalletti kam pasur një marrëdhënie shumë të rëndësishme; ai ka qenë rregullisht pranë meje. Nuk kemi komunikuar shumë shpesh, por jemi kontaktuar në momentet e duhura, si para ashtu edhe pas Europianit. Ai shpresonte të më gjente në një formë normale, duke e ditur se pas një viti jashtë fushave nuk mund të isha në gjendjen më të mirë të mundshme”.
Së fundi, një analizë për “rilindjen” e Italisë pas Europianit: “Po punojmë për një aspekt, që është thjeshtësia. Secili ka bërë atë që di të bëjë më mirë, pa shpikur asgjë. Në këtë mënyrë, të gjithë lojtarët vlerësohen, si teknikisht ashtu edhe fizikisht, secili ndihmon shokun e tij dhe nuk ka individualizëm. Kjo ka bërë diferencën deri tani. Të gjithë kemi ëndrrën të fitojmë çdo ndeshje dhe të përpiqemi të fitojmë trofe. Një fitore me kombëtaren mbetet përgjithmonë dhe vlen më shumë se çdo gjë tjetër”.