Tetë pacientë nga të lënduarit në tragjedinë në Koçan u kthyen nga trajtimi, prej të cilëve pesë nga Turqia, dy nga Bullgaria dhe një nga Sllovenia. Për trajtim jashtë shtetit vazhdojnë të qëndrojnë edhe 18 pacientë.
Sipas protokollit, pesë pacientë do të jenë nën vëzhgim në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, dy pacientë në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe një pacient në Klinikën Kirurgjikale “Shën Naum Ohërti”.
Një pjesë e të lënduarve që janë kthyer në vend gjatë periudhës së kaluar tashmë kanë filluar procesin e rehabilitimit në Spitalin e Përgjithshëm në Koçan, ku, në varësi të lëndimeve, po trajtohen në repartet e neurologjisë, kirurgjisë dhe terapisë fizikale.Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit. (Portalb.mk)