Siç kalojnë vitet ashtu edhe rritet bashkëpunimi mes vendbanimet në të dy anët e kufirit, dhe normalisht në shprehje ka ardhur edhe shkëmbimi i mallrave dhe prodhimeve bujqësore si nga kompanitë ashtu edhe nga banorët
Vjollca SADIKU
Dibër, 6 shtator – Liberalizimi i kufijve pas përfundimit të monizmit në shtetet e Ballkanit, mundësoi që edhe në dy anët e kufirit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të ketë një frekuentim të madh të shtetasve. Ashtu është në vendkalimet kufitare “Blatë” dhe Xhepishtë – Trebishtë, në afërsi të Dibrës. Siç kalojnë vitet ashtu edhe rritet bashkëpunimi mes vendbanimet në të dy anët e kufirit, dhe normalisht në shprehje ka ardhur edhe shkëmbimi i mallrave dhe prodhimeve bujqësore si nga kompanitë ashtu edhe nga banorët. Në tregun e gjelbër në Dibër, shihen shumë shtetas të Shqipërisë të cilët shesin prodhime bujqësore si dhe fruta të cilët janë shumë të preferuara nga dibranët. Janë shitës individual të cilët kryesisht janë nga vendbanimet rurale të Shqipërisë përreth kufirit. Duke filluar nga gushti dhe pastaj edhe në shtator dhe tetor amviset dibrane dalin blejnë frutat e fushave dhe pyjeve dhe përgatisin reçele meqë siç thonë ata, frutat nga ana tjetër e kufirit janë në aspektin ekologjik shumë të pastra.
Këto ditë jo vetëm në tregun e gjelbër por edhe në rrugët e qytetit mund të takohen shumë shitës të manaferrave, kurse siç thonë ata, shumë shpejt do të shiten edhe thanat dhe shumë bimë mjekuese e çaja. Duke patur parasysh se manaferrat janë prezentë në shumë pjesë të Shqipërisë e veçmas në pjesën kufitare me Maqedoninë e Veriut, shiten shumë shpejtë dhe blihen jo vetëm nga dibranët por edhe nga banorë të rajonit të Rekës dhe Zhupës. Shitës janë banorë të fshatrave kufitare shqiptare, Allajbegi, Pocestë, Kërçishtë, Maqellarë, Sodoll, e tjerë. Takojmë Besim Arslanin nga fshatrat e Peshkopisë i cili na thotë se ky është viti i tretë që shet manaferra dhe thana në Dibër. “Dibranët vlerësojnë kualitetin por edhe lokalitetet shumë të pastra ekologjike ku ne i mbledhim këta fruta natyrore”, thotë ai dhe shton se aktualisht çmimi i manaferrave arin edhe 200 denarë për kilogram. Ajri Qoku është nga fshati kufitar i Klloboçishtës dhe është personi më i njohur për dibranët. Ai vitet e fundit në kontinuitet vjen në Dibër sidomos në kohën kur është sezoni i frytit të manaferrës.
“Në fshatin dhe rajonin tonë ka shumë manaferra edhe atë të një kualiteti të lart, pasi që rriten në një lartësi dhe vend shumë të pastër. Familja e ime mbledh dhe shet manaferra në Dibër të Madhe por edhe në Peshkopi. Jemi 6 anëtarë dhe përfitojmë mire nga shitja e manaferrave tani por edhe e thanave pas dy javësh”, potencon Ajri Qoku.
Dibranët edhe në anën tjetër të kufirit mbledhin këtë frutë malor nëpër fshatra apo periferi të qytetit. Mirëpo edhe grumbullimi është i vështirë, kështu që kjo mënyrë e porosisë dhe blerjes është zgjidhja më e duhur për shumicën e familjeve dibrane. Manaferrat i kanë përdorur dibranët gjithmonë dhe me to përgatisin reçel.
Banorët fshatar nga Shqipëria në Dibër shesin edhe fruta të tjera siç janë thanat, lajthijat, arrat, gështenja, por edhe bimë mjekuese të shumta, çajna të llojeve të ndryshme etj. Shitja bëhet pa problem thonë ata, dhe shtojnë se gjatë sezonit veror pritet pak më gjatë në kufi, dhe kërkojnë që të dy vendkalimet kufitare në afërsi të Dibrës duhet që të jenë të përbashkët nga dy shtetet ashtu siç është në Qafë të Thanës, ku Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë një vendkalim kufitar të përbashkët. (koha.mk)