E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024
6.8 C
Skopje

Treni Shkup-Beograd-Budapest, prioriteti mbi prioritetet!

Nikollovski përsëriti se ky projekt është fitimprurës dhe se tashmë ka një projekt të vitit 1978 për ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të parashikuar prej 140 deri në 250 km në orë. Sipas tij, hekurudha e shpejtë Shkup-Beograd-Selanik do të nënkuptojë zhvillimin e vendit në tërësi, sepse pranë hekurudhës mund të ndërtohen zona potenciale ekonomike që do ta përdorin hekurudhën si transport më të lirë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 20 shtator – Ndërtimi i hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 (Shkup-Beograd-Budapest) është prioriteti më i lartë për shtetin. Do ta nis dhe do ta ndërtoj në dy mandate. Ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm nga aspekti ekonomik dhe do t’i mundësojë vendit të arrijë hapin me botën, në vend që të mbetet “zorrë qore”, tha të enjten mbrëma zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Për më tepër, Ai theksoi se ky projekt është fitimprurës dhe se tashmë ka një projekt të vitit 1978 për ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të parashikuar prej 140 deri në 250 km në orë. Sipas tij, hekurudha e shpejtë Shkup-Beograd-Selanik do të nënkuptojë zhvillimin e vendit në tërësi, sepse pranë hekurudhës mund të ndërtohen zona potenciale ekonomike që do ta përdorin hekurudhën si transport më të lirë.

Megjithëse tha se nuk është kundër ndërtimit të hekurudhës për në Bullgari, Nikollovski nuk ka dha asnjë afat se kur mund të vazhdojnë punimet për Korridorin 8 (Burgas-Shkup-Durrës-Bari)

“Unë nuk jam kundër ndërtimit të një hekurudhe drejt Bullgarisë, por ajo nuk do të ndërtohet në një rrugë të parealizueshme, shumë të kushtueshme dhe në një farë mënyre me tentativa korrupsioni ndaj meje dhe kryeministrit, gjë që u theksua publikisht”, theksoi ministri në lidhje me fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë. Nëse më pyetni për kosto-efektivitetin, është me kosto efektive kjo me Serbinë, vijoi ai. “Projekti në atë kohë nuk u realizua, ndoshta për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë. Dhe ai projekt do të na kushtonte më lirë se hekurudha për Bullgarinë, diku nga 6 deri në 10 milionë euro për kilometër, që do të thotë se nëse Maqedonia ka rreth 215 km hekurudhë nga Tabanoca deri në Gjevgjeli, kjo do të thotë diku nga 1.6 miliardë deri në 2.1 miliardë euro për të ndërtuar një hekurudhë me dy linja. E potencoj se do të jetë një hekurudhë me dy linja. Do ta përfundoj projektin dhe nuk do ta ndërtojë ndonjë kompani ruse, kineze apo indiane, do ta filloj dhe do ta përfundoj, sepse pres që VMRO-DPMNE të ketë dy mandate, theksoi ministri Nikoloski.

Nga ana tjetër, nisma konkrete për ndërtimin dhe modernizimin e hekurudhës nga Shkupi deri në Nish u paralajmërua që në nëntorin e vitit 2023. Gjithashtu, 11 muaj më parë u nënshkrua Memorandumi për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Nishi në Shkup, për të cilën të dyja vendet bashkërisht do të kërkojnë mjete nga Bashkimi Evropian. Marrëveshja atëkohë u nënshkrua nga ministri Bllagoja Boçvarski dhe ministrit nga Serbia, Goran Vesiq. Nga pala serbe u theksua se kjo hekurudhë do të modernizohet dhe elektrizohet me shpejtësi prej 120 kilometrash në orë. Njëherësh, projektimi i seksionit Nish-Preshevë, 135 kilometra, është duke u zhvilluar, ndërsa pritet që partnerët maqedonas të projektojnë seksionin prej rreth 50 kilometra nga kufiri deri në Shkup.

Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve parlamentare vitin e kaluar në Serbi dhe në pranverë në Maqedoni, dinamika e takimeve dhe e komunikimit ndërmjet dy palëve ishte ngadalësuar, por ishte paralajmëruar se së shpejti grupet punuese nga të dyja vendet do të kenë takimet radhës së punës. “Nga ana e Maqedonisë ndërkohë po punohet edhe në pikëkalimin e përbashkët hekurudhor të Tabanocës, i cili do të jetë në anën maqedonase dhe do të jetë i përbashkët nga të dyja vendet. Planet po ecin shpejt dhe të gjitha ato procedura dhe procese që do të ndodhin në periudhën e ardhshme do të jenë me interes për të dyja vendet, dhe për qytetarët”, pati thënë pak para zgjedhjeve, ish-ministri Boçvarski. Nga Ministria e Transportit që atëherë u paralajmërua se do të fillojë puna për studimin e asaj hekurudhe, si dhe për zhvillimin e projektit bazë. Pra, po punohej në të gjitha procedurat që ajo të realizohet sipas planit dhe se realizimi i asaj hekurudhe do të bëhej me dinamikë të mirë pa probleme në ndërtim.

Në ndërkohë, autoritetet serbe janë lavdëruar se hekurudha e re do të zhvillojë rajonin dhe ekonomitë e vendeve që lidhen me Korridorin 10.

“Hekurudha e shpejtë Budapest-Athinë, 1512 kilometra e gjatë, e cila kryesisht do të kalojë përmes Serbisë, do të jetë shtylla kurrizore e trafikut hekurudhor në Ballkan, e rëndësishme për transportin më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, që do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendeve në itinerarin e saj, thekson ministri i Ndërtimit, trafikut dhe infrastrukturës të Serbisë, Goran Vesiq.

“Ne tashmë kemi 76 kilometra hekurudhë të shpejtë nga Beogradi në Novi Sad, deri në fund të vitit do të përfundojnë edhe 108 kilometra të tjera deri në Suboticë. Ne do të ndërtojmë një hekurudhë drejt Nishit dhe më tej drejt Shkupit, dhe tani, falë Marrëveshja e Aleksandër Vuçiqit dhe Kirjakos Mitsotakis, në këtë projekt po hyn edhe Greqia, që do të thotë se në vitet e ardhshme do të arrijmë në Selanik dhe Athinë me hekurudhë të shpejtësisë së lartë.” shton ai.

Hekurudha nga Beogradi deri në Nish do të jetë 230 kilometra, vlera e projektit është 2.75 miliardë euro, prej të cilave granti i Bashkimit Evropian është 610 milionë euro. Njëherësh, Greqia tashmë ka një hekurudhë nga Selaniku në Athinë, me shpejtësi 150 kilometra në orë, e cila është duke u rindërtuar , ndërsa pritet të ndërtohen edhe 76 kilometra të tjera hekurudhë të shpejtë nga Selaniku deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut që mund të financohet me fonde evropiane.

Pritshmëritë janë që kur të ndërtohet pjesa nga Shkupi deri në Idomeni, që është në kufirin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, do të ketë një hekurudhë të shpejtë nga Budapesti, përmes Suboticës, Novi Sadit, Beogradit, Nishit dhe Shkupit, deri në Selanik dhe Athinë e gjatë 1512 kilometra i gjatë.

Ajo do të shërbejë jo vetëm për transport më të shpejtë të njerëzve, por edhe për transportin e mallrave, dhe Serbia, Hungaria dhe Maqedonia e Veriut do të mund të lidhen me portet e Pireut dhe Athinës. Hekurudha e re moderne nga Beogradi deri në Nish pritet të jetë gati deri në fund të vitit 2028, ndërsa Maqedonia pritet që për 8-9 vite apo deri në vitin 2032-2033 të përfundojë pjesën e saj të modernizimit të hekurudhës. Serbia është në përfundim e sipër të modernizimit të hekurudhës Beograd-Suboticë, ndërsa pritet që edhe Hungaria të përfundojë modernizimin e pjesës së saj nga Budapesti deri në Suboticë në kufirin Serbi-Hungari deri në vitin 2025. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm