Në Maqedoninë e Veriut, ky paralajmërim mbetet aktual. Çlirimi nga ky cikël kërkon jo vetëm ndërrimin e elitave, por një transformim të thellë të vetëdijes shoqërore: një kthim nga politika e përkatësive drejt politikës së vlerave; nga frika ndaj sistemit, drejt guximit për ta sfiduar atë; nga ndarja, drejt solidaritetit të vërtetë
Nga Emin AXHAMI
George Orwell, në romanin e tij vizionar 1984, paraqet një ndarje të përhershme dhe ciklike të shoqërisë në tri grupe: Të Epërmit, Të Mesmit dhe Të Ulëtit. Sipas tij, historia është një zinxhir i pafund i luftës për pushtet mes këtyre shtresave: Të Mesmit përdorin Të Ulëtit për të përmbysur Të Epërmit, pastaj marrin pushtetin dhe i shtypin Të Ulëtit ashtu si paraardhësit. Ky rreth vicioz është i pranishëm edhe në realitetin e sotëm, dhe Maqedonia e Veriut përbën një shembull ku ky model mund të shihet qartë – në raportet mes politikës, qytetarëve dhe strukturave të interesit.
Në Maqedoninë e Veriut, “Të Epërmit” përfaqësohen nga elitat politike dhe ekonomike që, pavarësisht ndryshimeve të partive dhe përkatësive etnike, ruajnë monopolin mbi vendimmarrjen, resurset dhe drejtësinë. Ato përfaqësojnë një kastë të mbyllur që i përshtatet çdo realiteti të ri politik duke e ruajtur thelbin e privilegjeve të veta. Kjo shtresë ndërton një sistem klientelist, ku besnikëria shpërblehet dhe çdo tentativë për meritokraci pengohet nga korrupsioni sistematik.
“Të Mesmit”, në këtë kontekst, janë segmentet e klasës së mesme, intelektualët, administrata publike dhe të rinjtë që përpiqen të ngjiten në hierarkinë sociale. Ata shpesh përdoren nga elitat si instrument për të justifikuar ndryshime politike, reforma të rreme apo për të krijuar fasada pluralizmi. Kjo shtresë ka ambicie për ndryshim, por shpesh komprometohet, ngase mjeti i vetëm për ngritje është nënshtrimi ndaj logjikës së partisë dhe jo vlerave të dijes apo profesionalizmit. Në këtë mënyrë, shumë prej tyre përfundojnë duke u bërë një version i ri i “Të Epërmve”, duke trashëguar edhe të njëjtën mënyrë shtypjeje ndaj “Të Ulëtëve”.
“Të Ulëtit” janë qytetarët e zakonshëm, punëtorët, të papunët, pensionistët, komunitetet margjinale – ata që e përjetojnë më drejtpërdrejt dështimin e sistemit. Ata janë të privuar nga mundësia reale për ndryshim, dhe shpesh manipulohen me slogane boshe, ndarje etnike, nacionalizëm ose premtime për integrime evropiane që vonohen pafundësisht. Është pikërisht kjo shtresë që mobilizohet nëpër zgjedhje, protesta apo fushata, por që kurrë nuk gëzon rezultatet e premtuara. Ata përbëjnë shumicën, por kanë zërin më të dobët.
Në këtë cikël oruellian, çdo rotacion pushteti në Maqedoni është më shumë një rikonfigurim i “Të Mesmëve” që bëhen “Të Epërm”, sesa një revolucion i vërtetë nga poshtë. Populli përdoret si karburant elektoral, ndërsa realiteti i përditshëm nuk ndryshon në thelb: korrupsion i lartë, drejtësi selektive, arsim i dobët dhe shëndetësi e rrënuar. Ndërkohë, të rinjtë largohen masivisht nga vendi, ngase e shohin se pavarësisht përpjekjeve, ndarja klasore dhe nepotizmi i bllokojnë mundësitë për një jetë dinjitoze.
Orwell thekson se për të ruajtur pushtetin, “Të Epërmit” duhet të sigurohen që “Të Ulëtit” të mbeten të pavetëdijshëm dhe të pasigurt. Kjo ide reflektohet në realitetin e përditshëm në Maqedoni, ku vëmendja e shoqërisë shpesh zhvendoset drejt skandaleve të njëpasnjëshme pa pasoja konkrete. Diskutimi publik dominohet nga retorika boshe dhe ndarjet etnike, duke lënë në hije temat thelbësore si varfëria, drejtësia, barazia apo shpresa për një të ardhme më të mirë.
Në vend që të ndodhë emancipimi i “Të Ulëtve”, ai shtypet me një ndjesi të përgjithshme apatie dhe mosbesimi. Përpjekjet për ndryshim, përmes organizatave joqeveritare apo lëvizjeve qytetare, kanë një ndikim të kufizuar sepse përballen me një sistem të fortifikuar ku rregullat ndryshohen për të mbajtur status quo-në.
Në përfundim, Orwell nuk jep zgjidhje, por një paralajmërim: sa kohë që nuk thyhet cikli i këtyre tri shtresave, drejtësia sociale dhe demokracia do të jenë gjithmonë iluzione. Në Maqedoninë e Veriut, ky paralajmërim mbetet aktual. Çlirimi nga ky cikël kërkon jo vetëm ndërrimin e elitave, por një transformim të thellë të vetëdijes shoqërore: një kthim nga politika e përkatësive drejt politikës së vlerave; nga frika ndaj sistemit, drejt guximit për ta sfiduar atë; nga ndarja, drejt solidaritetit të vërtetë.
Vetëm atëherë do mund të ndërtohet një shoqëri që nuk riciklon të njëjtin skenar, por synon drejt barazisë reale dhe dinjitetit njerëzor për të gjithë. (koha.mk)