Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump do të kthehet si fitimtar në Uashington.
Presidenti Joe Biden do ta mirëpresë atë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën për një vizitë në Zyrën Ovale që është pjesë tradicionale e dorëzimit paqësor të pushtetit – një ritual në të cilin vetë Trump nuk pranoi të merrte pjesë katër vjet më parë.
Përpara vizitës, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson tha se republikanët janë “gati për të përmbushur” agjendën e Trump “Amerika e para”.
Pas fitores së tij në zgjedhje në vitin 2016, Trump u takua me presidentin Barack Obam në Zyrën Ovale dhe e quajti atë “një nder të madh”.
Katër vjet më vonë, Trump kundërshtoi humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Bidenit dhe ai ka vazhduar të pretendojë për mashtrim të gjerë të votuesve.
Ai nuk e ftoi Biden, atëherë presidentin e zgjedhur, në Shtëpinë e Bardhë dhe u largua nga Uashingtoni pa marrë pjesë në inaugurimin e Biden.
Kjo ishte hera e parë që kishte ndodhur që kur Andrew Johnson e anashkaloi betimin e Ulysses S. Grant 155 vjet më parë.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se Biden është i përkushtuar që “të sigurohet që ky tranzicion të jetë efikas dhe ai po e bën këtë sepse është normë, por edhe gjëja e duhur për të bërë për popullin amerikan.