E enjte, 17 Korrik, 2025
20.8 C
Skopje

Trump shpallë marrëveshjen tregtare me Vietnamin, 20 % taksë për mallrat që hyjnë në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka arritur një marrëveshje tregtare me Vietnamin, sipas së cilës ky i fundit do t’i nënshtrohet një takse minimale prej 20% për eksportet drejt SHBA-ve dhe do të hapë tregun për produktet amerikane.

Marrëveshja vjen më pak se një javë para afatit të 9 korrikut, të vendosur nga vetë Trump, për vendosjen e tarifave më të larta ndaj partnerëve tregtarë që nuk arrijnë marrëveshje me Uashingtonin.

Aksionet e kompanive të veshjeve dhe pajisjeve sportive, që kanë praninë më të madhe të prodhimit në Vietnam, fillimisht u rritën pas lajmit, por më pas pësuan rënie të ndjeshme pasi presidenti publikoi detajet e marrëveshjes, përfshirë edhe tarifat që rezultuan më të larta nga sa pritej.

Nëse konfirmohet zyrtarisht, kjo marrëveshje do të rrisë ndjeshëm çmimet e këpucëve dhe veshjeve vietnameze që importohen në SHBA, megjithatë Vietnami i shpëton kërcënimit të një tarife prej 46%, të paralajmëruar nga Trump në muajin prill.

“Është një nder i madh për mua të shpall se sapo kam arritur një Marrëveshje Tregtare me Republikën Socialiste të Vietnamit, pas një bisede me To Lam, Sekretarin e Përgjithshëm shumë të respektuar të Partisë Komuniste të Vietnamit,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Sipas tij, në kuadër të kësaj “Marrëveshjeje të Madhe Bashkëpunimi”, mallrat vietnameze që eksportohen në SHBA do të përballen me një tarifë prej 20%, ndërsa ato që kalojnë nëpërmjet Vietnamit për të shmangur barriera të tjera tregtare, praktika e njohur si transshippingm do të tatohen me 40%.

Trump deklaroi se në këmbim të këtyre tarifave, Vietnami do të ofrojë për herë të parë “AKSES TË PLOTË” për produktet amerikane në tregun e tij.

“Me fjalë të tjera, ata do të ‘HAPIN TREGUN E TYRE PËR SHTETET E BASHKUARA’, që do të thotë se do të jemi në gjendje të shesim produktet tona në Vietnam me TAKSË ZERO,” shtoi ai.

Presidenti vuri në dukje se automjetet SUV të prodhimit amerikan, që kanë sukses në tregun vendas, mund të jenë një shtesë e rëndësishme në linjat e produkteve të ofruara në Vietnam.

Në një deklaratë zyrtare, qeveria vietnameze konfirmoi se ekipet negociuese kanë arritur një marrëveshje për të adresuar çështjet e tarifave reciproke, megjithatë nuk dha detaje të mëtejshme mbi termat specifikë të marrëveshjes.

Në deklaratë thuhej gjithashtu se Trump “konfirmoi se SHBA do të reduktojë ndjeshëm tarifat për shumë prej produkteve vietnameze dhe do të vijojë bashkëpunimin me Vietnamin për të zgjidhur vështirësitë në marrëdhëniet tregtare dypalëshe, veçanërisht në sektorët që të dyja palët i konsiderojnë prioritare.”

 

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm