Igor Tudor ka marrë frenat e Juventus pas shkarkimit të Thiago Motta me bindje të madhe dhe siguri për të qenë njeriu i duhur në kohën e duhur. Dje ai drejtoi seancën e tij të parë stërvitore (me vetëm njëmbëdhjetë lojtarë të pranishëm), një rikthim për të në stolin bardhezi.
Më herët, ai shërbeu si ndihmës i Andrea Pirlo në sezonin 2020/21 dhe në ditët në vijim do të fillojë një seri intervistash individuale me lojtarët për të punuar, shumë, mbi kokën e tyre. Synimi i trajnerit të ri është të rizgjojë krenarinë e një grupi të dëshpëruar nga eliminimet thumbuese në Champions League dhe Kupën e Italisë si dhe humbjet ndaj Atalanta dhe Fiorentina.
“Ne jemi Juventus, duhet tregojmë në fushë se jemi të denjë për këtë fanellë”, ishte thelbi i fjalëve të para të Tudor drejtuar skuadrës (i pranishëm edhe Giuntoli), i cili insistoi shumë për krenarinë, për ndjenjën e përkatësisë dhe për ADN-në bardhezi.
Objektivi që është kualifikimi në Champions League nuk mund të mungojë dhe për ta arritur atë trajneri është mbështetur menjëherë në aftësitë e tij si komunikues dhe motivues.
Një vit më parë Tudor u bë trajner i Lazio, kur deri në fund të kampionatit kishin mbetur edhe nëntë ndeshje. Ecuria ishte 5 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje: gjithsej 18 pikë, të cilat po të përsëritej do ta sillnin Juventus në 72 pikë dhe rrjedhimisht, sipas të gjitha gjasave, në vendin e katërt që do të thotë Champions League.