Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Dibër, Skënder Daci, për gazetën KOHA tregon se në Dibër, në kuadër të Qendrës, funksionon Qendra Ditore për persona me aftësi ndryshe. Por, sipas tij, këtu sillen vetëm 10 persona të kësaj kategorie, edhe pse disa herë më shumë është numri i atyre që janë të evidentuar si persona me aftësi ndryshe
Vjollca SADIKU
Dibër, 3 dhjetor – Në Ditën ndërkombëtare e personave me aftësi ndryshe – 3 dhjetori, në Dibër me të drejtë debatohet nga shoqatat të personave në fjalë nevoja për tejkalimin e barrierave me akseset, por edhe nevoja që të rritet vetëdija e prindërve që ata të shfrytëzojnë institucionet për një jetë më të integruar dhe më të mirë të personave, e veçmas fëmijëve të cilët kanë nevoja të veçanta. Dibra posedon institucione ku mundësohet integrimi i fëmijëve në fjalë, por njëkohësisht shoqatat potencojnë se tek disa familje, të cilët kanë anëtarë me persona të kësaj kategorie, ka një ngurrim që të njëjtit të mos i dërgojnë në institucionet që janë themeluar për këtë çështje. Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Dibër, Skënder Daci, për gazetën KOHA tregon se në Dibër, në kuadër të Qendrës, funksionon Qendra Ditore për persona me aftësi ndryshe. Por, sipas tij, këtu sillen vetëm 10 persona të kësaj kategorie, edhe pse disa herë më shumë është numri i atyre që janë të evidentuar si persona me aftësi ndryshe.
“Mentaliteti i një pjese e familjarëve edhe më tej është kundër pjesëmarrjes të fëmijëve me aftësi ndryshe në këtë institucion. Edhe pse bëhet fjalë për institucion ditor, i cili i posedon të gjithë kushtet, ka një staf shumë të mirë profesional që interesohet për fëmijët, ndërsa transportin e organizon vetë Qendra ditore”, potencon drejtori Daci.
Në shoqatën “Porosia” në Dibër, e cila është angazhuar për përkrahjen e fëmijëve me autizëm, thonë se Dibrës i duhet të hap një Qendër për autizëm. Kryetari i shoqatës, Bekim Ame, thotë se ka prindër të cilët nuk i paraqesin fëmijët autik në institucione, ndërsa potencon se kjo paraqet një problem në vete. “Kemi evidentuar në shoqatë vetëm shtatë fëmijë me autizëm, por kemi informata se numri është më i madh. Jemi të bindur se problemi qëndron tek prindërit, të cilën edhe pse kanë fëmijë të këtillë, nuk i paraqesin fëmijët në institucione, që atyre tu ndihmohet në kohë. Problemi është tek mentaliteti”, thotë Ame. Kur jemi tek kushtet për këta fëmijë, duhet potencuar se në çerdhen “Breshia” ka një dhomë të posaçme për fëmijët në fjalë.
Megjithatë, një problem serioz mbetet mungesa e qasjeve në disa objekte publike, dhe pamundësia e personave që përdorin karroca – paraplegjik. Sipas shoqatës “Hëna”, edhe pse janë realizuar shumë projekte, në Dibër edhe më tej ka institucione si banka, posta, dhe institucione të tjera të disa njësi të ministrive, që paraqesin barriera për personat në fjalë. Me aktivitete dhe projekte të deritashme janë ndërtuar në të kaluarën aksese në objektin e Komunës Dibër, në shkollat fillore dhe të mesme, Qendrën për kulturë dhe disa objekte të tjera, por vlerësohet se këta persona kanë edhe më tej probleme në disa institucione si lokale, ashtu edhe qendrore.
Por kur jemi tek këta persona, një problem akut është ndryshimi i mentalitetit që të mos mbajnë në shtëpi personat me aftësi ndryshe, meqë atyre u duhet patjetër integrim dhe socializim. Shoqatat të cilët merren me problemet e këtyre personave potencojnë se institucionet kompetente duhet shumë e më shumë të punojnë në rritjen e vetëdijes që të ndërmarrin aktivitete për një integrim më të madh të personave me aftësi ndryshe, që edhe ata të jenë pjesë e përditshmërisë. (koha.mk)