Në total, 5644 shtetas nga Turqia kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi në Maqedoni, ndërsa arsyet më të shpeshta janë studimi (2408 persona) dhe punësimi (2247 persona). Po ashtu, janë lëshuar 578 leje për bashkim familjar dhe 219 leje me bazë familjare
Albina REKA
Shkup, 28 shkurt – Shtetasit turq kanë zënë vendin e parë sa i përket numrit të lejeve të përkohshme të qëndrimit të lëshuara për të huajt në vitin 2024. Ky trend mund të lidhet me marrëdhëniet e ngushta midis dy shteteve, si dhe me interesin e qytetarëve turq për të jetuar ose investuar në Maqedoni. Kështu thonë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas të cilës,një mundësi tjetër është se qytetarët e Turqisë mund të shfrytëzojnë mundësitë ekonomike dhe sociale që ofron Maqedonia, shkruan gazeta KOHA.
Në total, 5644 shtetas nga Turqia kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi në Maqedoni, ndërsa arsyet më të shpeshta janë studimi (2408 persona) dhe punësimi (2247 persona). Po ashtu, janë lëshuar 578 leje për bashkim familjar dhe 219 leje me bazë familjare. Përgjithësisht, 14.151 persona nga 125 shtete kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi në Maqedoni për arsye të ndryshme. Përveç Turqisë, një numër i konsiderueshëm i lejeve të përkohshme qëndrimi janë lëshuar edhe për qytetarët e Kosovës, gjithsej 1426. Arsyet janë të ndryshme, ku pothuajse gjysma e personave – 734, kanë marrë leje me bazë familjare, ndërsa 286 persona kanë marrë leje për punësim dhe 262 për studim.
Vitin e kaluar, 948 persona nga Serbia kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi, shumica prej të cilëve, 640 për arsye të bashkimit familjar dhe 138 për punësim. Po ashtu, nga Shqipëria kanë marrë leje qëndrimi 934 persona, ku 585 janë për arsye familjare, 144 për bashkim familjar dhe 133 për punësim.
Në vitin 2024, numri më i madh i lejeve të përkohshme të qëndrimit të lëshuara në Maqedoni ishin për punësim, gjithsej 4943. Shtetasit turq udhëhoqën edhe këtë kategori me 2247 persona, ndërsa leje punësimi kanë marrë gjithashtu 425 persona nga Nepali, 375 nga Bangladeshi, 362 nga India, 286 nga Kosova, 138 nga Serbia dhe 133 nga Shqipëria. Gjithashtu, janë lëshuar 3619 leje qëndrimi në bazë familjare. Pjesa më e madhe e këtyre lejeve është dhënë për qytetarët e Kosovës – 734, pasuar nga 640 shtetas të Serbisë dhe 585 shtetas të Shqipërisë. Për arsye studimi, 2816 shtetas të huaj kanë marrë leje qëndrimi në Maqedoni, ku 85.5 për qind e tyre janë qytetarë të Turqisë. Po ashtu, leje për studim kanë marrë 114 shtetas të Kosovës, 69 nga Pakistani, 59 nga Shqipëria dhe 40 nga Serbia.
Gjithsej janë lëshuar 399 leje për arsye humanitare, me numrin më të madh të personave që vijnë nga Ukraina (255), pasuar nga Afganistani (64) dhe 47 persona pa shtetësi. (koha.mk)