Që nga Struga, Kërçova, Dibra, Gostivari, Tetova, Shkupi i pjesës shqiptare dhe në Kumanov ka rënë dukshëm shitja e ujit që vjen nga Serbia. Biznesi shqiptarë që merr pjesë me përqindje të madhe në tregun e Maqedonisë, ka nis ta ofrojë ujin “Rugova” dhe llojet e tjera që vijnë nga Kosova dhe në masë më të vogël edhe nga Shqipëria. Kjo duket të jetë arsyeja pse AUV në Shkup ka nis propagandë kundër ujit dhe produkteve tjera nga Kosova, të pranishme në tregjet e Maqedonisë
Evis HALILI
Shkup, 6 mars – Uji “Rugova” kontrollohet rregullisht në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe në të “nuk janë gjetur asnjëherë baktere të dëmshme për shëndetin e konsumuesve”, thotë Ergyl Binçe, drejtor i Laboratorëve për Analizat e Ujit dhe Ushqimeve në këtë institucion. Radio Evropa e Lirë ka siguruar deklaratën e tij një ditë pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Maqedonisë së Veriut (AUV) njoftoi se është duke i inspektuar të gjitha dërgesat e ujit burimor nga Kosova, pasi siç tha, disa analiza të mëhershme zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji. Mediat në Maqedoni publikuan ditë më parë vendimin e agjencisë, sipas të cilit, bëhet fjalë për mostra të ujit “Rugova”. Kjo kompani e Kosovës reagoi se produkti i saj është në rregull dhe se shitjet në shtetin fqinj janë duke vazhduar.
REAGON KOMPANIA NGA KOSOVA
Uji “Rugova”, sipas kompanisë, i nënshtrohet kontrolleve të përditshme nga laboratori ynë i brendshëm, disa herë brenda ditës – në mëngjes, gjatë ditës dhe në mbrëmje. “Përveç kësaj, produktet tona certifikohen rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, duke garantuar sigurinë dhe cilësinë maksimale. Gjithashtu, ujë ‘Rugova’ eksporton produktet e tij në disa tregje ndërkombëtare, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Gjermaninë, Zvicrën, Arabinë Saudite, Austrinë, Anglinë, Amerikën, si dhe bazat ushtarake të NATO-s në Evropën Juglindore. Çdo eksport i yni i nënshtrohet analizave strikte te AUVK (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës) si dhe analizave të shteteve respektive, ku çdo herë i ka kaluar me sukses të gjitha testimet”, thuhet në reagimin e kompanisë kosovare.
Për këtë arsye, vijon më tej reagimi, çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë dhe sigurinë e ujit tonë është i pabazuar dhe i pavërtetë. Jemi të përkushtuar të ofrojmë vetëm produkte të sigurta dhe cilësore për konsumatorët tanë, kudo ku operojmë dhe për këtë sigurojmë qytetarët që asnjë shishe e ujit nuk hidhet në treg pa i kaluar të gjitha testimet laboratorike. Njëkohësisht, të gjitha institucionet në Maqedoni i kanë dhe analizat e ujit tonë nga Instituti i Certifikuar Maqedonas ‘Food Lab’ dhe IKSHPK, që vërtetojnë cilësinë e lartë të ujit tonë”.
ÇKA THOTË “IKSHP” E KOSOVËS?
Ergyl Binçe, drejtor i Laboratorëve për Analizat e Ujit dhe Ushqimeve, konfirmon se kompania që prodhon ujin “Rugova” i bën vazhdimisht analizat në IKSHPK, “madje edhe për stoqet që i eksporton jashtë vendit”. Ai beson se vërejtjet që kanë përmendur autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, lidhur me “praninë e bakterit koliform” te uji i ambalazhuar “Rugove”, nuk qëndrojnë. “Këtë bakter që e përmendin, nuk e kemi gjetur kurrë, jo vetëm tek uji ‘Rugova’, por tek asnjë [nga ujërat e ambalazhuara të kompanive tjera kosovare]”, thotë Binçe.
Ai shton se është e rëndësishme që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës të marrë një rol më aktiv, duke shkuar në Maqedoninë e Veriut dhe duke verifikuar në mënyrë të pavarur burimin e problemit.
Ekspertja për ujëra në IKSHPK, Burbuqe Nushi-Latifi, shpreh habi me konstatimin e kolegëve maqedonas. Sipas saj, ai mund të jetë “gabim njerëzor në laborator ose në diagnostikim”. “Gjatë përpunimit [të ujit], duart e palara mund ta bartin [bakterin]… vetëm një koloni, dy, tri ose katër. Më pas, ato zhvillohen në ujë, sepse uji është jetik jo vetëm për njerëz, por edhe për baktere”, thotë Nushi – Latifi për Radion Evropa e Lirë.
KUJT I PENGON UJI “RUGOVA”?
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se përveç ujit “Rugova” si problematike, po inspektohen të gjitha dërgesat e ujit burimor të importuar nga Kosova, “pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji nga shteti fqinj”. Kështu që, përveç ujit, të të gjitha llojeve që futet nga Kosova në Maqedoni, AUV në Shkup ka nis inspektimin edhe të të gjitha pijeve joalkoolike që vijnë nga Kosova. Inspektorë të kësaj agjencie rregullisht gjenden në Bllacë dhe Jazhincë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Shkup ka nis inspektimet e secilës dërgesë së ujit burimor dhe pijeve joalkoolike me origjinë nga Kosova. Do të merren mostra laboratorike për testimin e mikroorganizmave, në përputhje me Rregulloren për kërkesat specifike, që kanë të bëjnë me kriteret mikrobiologjike për ushqim. Paralelisht, kemi intensifikuar kontrollet edhe për frutat dhe perimet e importuara nga të gjitha vendet, për të monitoruar mbetjet e pesticideve. Produktet nuk do të lejohen në treg pa i pasur rezultatet që e konfirmojnë sigurinë e tyre”, thotë AUV në SHkup.
Por, çfarë konkretisht fshihet pas këtyre inspektimeve? Sipas të dhënave të Byrosë së Prokurimit Publik të Maqedonisë së Veriut, janë 23 institucione të këtij vendi, të cilat, përmes një kompanie të atjeshme, furnizohen me ujin “Rugova”. Disa prej këtyre institucioneve – si Ministria e Administratës Publike – e kanë konsumuar dhe vazhdojnë ta konsumojnë ujin “Rugova”. Madje, edhe institucione tjera shteti, agjenci, drejtori dhe ndërmarrje e konsumojnë këtë ujë. Dhe, dyshimet janë se, pikërisht pse uji në fjalë vjen nga Kosova, i njëjti duhet të hiqet nga përdorimi dhe të zëvendësohet me ujin që vjen nga Serbia. Bëhet fjalë për ujin nga kompani serbe si “Rosa”, “Aqua Viva”, “Knjaz Millosh”…
Kjo sepse që nga Struga, Kërçova, Dibra, Gostivari, Tetova, Shkupi i pjesës shqiptare dhe në Kumanov ka rënë dukshëm shitja e ujit që vjen nga Serbia. Biznesi shqiptarë që merr pjesë me përqindje të madhe në tregun e Maqedonisë, ka nis ta ofrojë ujin “Rugova” dhe llojet e tjera që vijnë nga Kosova dhe në masë më të vogël edhe nga Shqipëria. Të paktë janë marketet dhe dyqanet me pronarë shqiptarë që ofrojnë tashmë ujin “Rosa” apo edhe “Knjaz Milloshin”. “Shqiptarët pa dyshim se duhet ta heqin nga shitja dhe konsumin e ujit që vjen nga Serbia, sepse edhe është më i shtrenjtë dhe si shenjë hakmarrje ndaj institucioneve të shtetit tonë që, me çdo kusht dëshirojnë të ndalin importin e ujit nga Kosova me arsyetime se kanë gjetur baktere dhe me këtë, të përhapin panik të rrejshme”, thotë Armendi, pronar i një mini-marketi në Shkup. Ai është i vetëdijshëm se bëhet fjalë për propagandë dhe tendencë për të dëmtuar produktet nga Kosova në favor të atyre nga Serbia.
Ndryshe nga më parë, Kosova tashmë e ka rritur importin e mallrave e pijeve dhe produkteve ushqimore në Maqedoni. Nëse deri para disa viteve Kosova ishte tregu më i madh eksporteve të prodhimeve nga Maqedonia, tash po ndodhë e kundërta. Mallrat bujqësore Maqedonia futen në masë të vogël në Kosovë, ndërsa nga Kosova kryesisht vijnë produkte ushqimore, ujë dhe pije joalkoolike. Ekspert-Importi i Maqedonisë me Kosovën ka nis të barazohet dhe kjo duket se i pengon autoriteteve në Shkup. (koha.mk)