Banka Popullore ka ulur normën e interesit të bonove të thesarit me 0.2 pikë përqindje në 5.35 për qind, duke reflektuar prirje pozitive në inflacion dhe rezervat valutore. “Ulja e normës pritet të ndihmojë në zvogëlimin e shpenzimeve bankare për kompanitë dhe të nxjerrë përfitime për investimet”
Albina REKA
Shkup, 10 mars – Ekonomia dhe qytetarët mund të presin norma më të ulëta të interesit për kreditë nga bankat komerciale në periudhën e ardhshme, pas uljes së normës së interesit për bonot e thesarit nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut (BPMV). Bankat komerciale zakonisht ndjekin politikat e Bankës Popullore, dhe ulja e normës së interesit të bonove të thesarit mund të sjellë ulje të normave të interesit për kredite, megjithatë, ky proces mund të kërkojë kohë dhe analiza të brendshme, shkruan gazeta KOHA.
Banka Popullore ka ulur normën e interesit të bonove të thesarit me 0.2 pikë përqindje në 5.35 për qind, duke reflektuar prirje pozitive në inflacion dhe rezervat valutore. Ulja e normës pritet të ndihmojë në zvogëlimin e shpenzimeve bankare për kompanitë dhe të nxjerrë përfitime për investimet. Ndërkohë, bankat komerciale pritet të përshtaten gradualisht me këto ndryshime, duke ulur normat aktive dhe pasive të interesit.
Banka Popullore, në njoftimin e fundit për aktivitetin kreditor, ka paralajmëruar përmirësime të kushteve të kreditimit për kompanitë. Në tremujorin e katërt të vitit 2024, sipas bankës, është regjistruar një lehtësim neto i kushteve të kreditimit për korporatat, por më të dobët se në tremujorin e mëparshëm. “Megjithatë, 98 për qind e bankave raportuan kushte të pandryshuara. Tremujori i parë i vitit 2025, pritet të përfundojë me një lehtësim neto të mëtejshëm, por në një shkallë më të moderuar”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.
Të dhënat e fundit tregojnë se normat e interesit bankar janë në rënie. Norma mesatare e interesit për kreditë e lëshuara në janar 2025 ka rënë në 5.21 për qind, një ulje prej 0.09 pikë përqindje në muaj dhe 0.34 pikë përqindje në vit. Norma mesatare për kreditë e reja të miratuara në janar 2025 ishte 4.70 për qind, krahasuar me 5.22 për qind një vit më parë. Gjithashtu, norma e interesit për kreditë e kompanive ishte 4.85 për qind, ndërsa për qytetarët 5.55 për qind. Kompanitë kanë treguar vazhdimisht se u mungojnë kreditë “motivuese”, apo kredi që do të nxisin rritjen.
“Biznesi gjithmonë ka nevojë për para për investime dhe nga sa dimë nga anketat, do të ketë programe investimi që presin të zbatohen. Së bashku, bankat duke ulur normat e interesit të tyre të rregullt për aktivitetet investive dhe shteti me këtë ndihmë duhet të ndihmojnë biznesin të bëjë një hap përpara dhe të mos na vijë më turp nga shifrat e rritjes së PBB-së prej 1.8 për qind, por ta rrisim atë siç parashikohet në 3-4 për qind që të jemi në një garë të barabartë me të gjithë. Me një mesatare që është në nivel të ulët prej 30 vitesh, ne praktikisht po rrezikojmë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe nuk mund ta ndalojmë procesin e emigrimit”, theksoi së fundmi Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)