Kalimet e parregullta të zbuluara në Bashkimin Evropian ranë 42 për qind në nëntë muajt e parë të 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha të martën agjencia kufitare e BE-së, Frontex.
Frontex publikoi statistikat e tij më të fundit pak përpara një samiti të liderëve të bllokut në Bruksel më vonë këtë javë, ku imigrimi është një nga temat kryesore në agjendë, raporton AFP-ja.
Numri i kalimeve të zbuluara në BE “ra me 42 përqind në 166 mijë në nëntë muajt e parë të këtij viti”, theksoi Frontex.
Agjencia sqaroi se rëniet më të mëdha ishin përgjatë rrugëve përmes Ballkanit Perëndimor dhe Mesdheut Qendror.
Gati 17 mijë azilkërkues të mundshëm kaluan në BE përmes Ballkanit Perëndimor, një rënie prej 79 për qind. Rreth 47 mijë e 700 hynë përmes Mesdheut Qendror, një rënie prej 64 për qind.
Në të kundërt, Frontex tha se kalimet përmes rrugës së Afrikës Perëndimore ishin dyfishuar, duke arritur në mbi 30 mijë e 600 në nëntë muajt e parë të vitit.
Rritja më e madhe u regjistrua në kufijtë tokësorë lindorë të BE-së, duke përfshirë Poloninë.
U zbuluan pothuajse 13 mijë e 200 kalime, një rritje prej 192 për qind në periudhën janar-shtator 2023.
Polonia dhe fqinji i saj i Evropës Qendrore, Republika Çeke, bënë thirrje javën e kaluar për kufizime të BE-së që janë më të ashpra se ato në paktin e ri të bllokut për migracionin dhe azilin, i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2026.
Rregullat, të miratuara në maj, synojnë të ndajnë përgjegjësinë për pritjen e azilkërkuesve në të 27 vendet e BE-së dhe të përshpejtojnë dëbimin e njerëzve që konsiderohen të papërshtatshëm për të qëndruar.