Zlatan Ibrahimovic është lënë zyrtarisht i lirë nga Manchester United që të zgjedhë ekipin ku do të vazhdojë karrierën. Emri i suedezit figuron në listën e publikuar sot nga Premier Leauge me futbollistët që do të jenë të lirë nga çdo lidhje kontaktuale në 1 korrik. Ibrahimovic firmosi për një vit me “djajtë” gjatë verës së kaluar, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër, por Manchester United ka vendosur të heq dorë nga kjo e drejtë dhe zyrtarisht Ibra është një lojtar i lirë në merkato.
Ibrahimovic shënoi 28 gola në 46 ndeshje zyrtare me United dhe e ndihmoi këtë ekip të fitonte Europa League, Kupën e Ligës dhe Superkupën e Anglisë duke u rikthyer në Champions League, por një dëmtim i rëndë i pësuar në fund të prillit kundër Anderlecht, do ta mbajë atë larg fushave deri në shkurt-mars 2018. Në këto kushte, United vendosi të mos rinovojë marrëveshjen me të dhe ta zëvendësojë me Alvaro Morata që do të vijë për 70 milionë euro nga Real Madrid.
Ibrahimovic ishte i vetmi futbollist i lënë i lirë nga Manchester United gjatë kësaj vere, sipas asaj të bën të ditur Federata Angleze e Futbollit, pavarësisht se Ibra është në qendrën stërvitore në Carrington dhe ka nisur rehabilitimin. Nga 1 korriku ai do të jetë i lirë të largohet. Ndërkohë, mes futbollistëve të tjerë të lënë të lirë spikat edhe John Terry i Chelsea, pas 19 vitesh në “Stamford Bridge”. I lirë do të jetë edhe Yaya Sanogo i Arsenal që ka shënuar vetëm 1 gol në 20 ndeshje me “topçinjtë”.