E diel, 9 Shkurt, 2025
5.8 C
Skopje

Ushtria shqiptare në Kroaci (6): Kosova Republikë, çështje e kryer

Kuvendi i Kaçanikut dhe Kushtetuta e shpallur e Kosovës ishin temë e një debate mes Ibrahim Rugovës, Hysen Ramadanit, Riza Halimit dhe Lazër Krasniqit. Përderisa tre të parët diskutonin rreth asaj se sa do të ndikonte Republika e Kosovës në statusin e shqiptarëve jashtë kufijve, Lazer Krasniqi ndërpret debatin duke kërkuar që kjo teme të pranohet si e tillë. Krasniqi tha se shpallja e Kosovës Republikë në Kuvendin e Kaçanikut ishte vullnet i popullit dhe kjo është, sipas tij, një punë e kryer.

Përfaqësuesi i Partisë për Prosperitet Demokratik nga Maqedonia, Hysen Ramadani, në takimin në Stubiçke Toplicë, diskutimin e tij e filloi bazuar në dy opsione, nëse ngel dhe nëse nuk ngel Jugosllavia si një tërësi. Në rastin e parë, nëse Jugosllavia ngel si shoqëri e përbashkët e gjithë qytetarëve, ai tha se mbeten dy opsione të cilat janë të observueshme. Opsioni i parë është që republikat ekzistuese të bëhen shtete të pavarura, ndërsa opsioni i dytë ishte që në shtetet e formuara të pavarura shtetformues të jenë popujt. “Në këto suaza vihet para nesh nevoja e riprecizimit të disa elementeve në programet tona ekzistuese”, tha në fjalë e tij Hysen Ramadani. Ai më tej shtoi se ka mundësi që Jugosllavia të mbetet në të ardhmen si një kombinim i elementeve të federatës dhe konfederatës. Ramadani kërkoi që në këtë takim të bisedohet vetëm për statusin dhe rregullimin e pozitës së shqiptarëve në Jugosllavi, e jo të bisedohet për çështjet mbarëkombëtare, meqë nuk kishte të pranishëm përfaqësues politik nga Shqipëria, ndërsa të pranishmit në këtë takim nuk kishin mandate për të diskutuar për çështjen mbarëkombëtare, veçanërisht për Shqipërinë. Ai kërkoi që të dilet me konkluzione dhe platformë të përbashkët për shqiptarët në Jugosllavi. “Tri gjëra parimore dhe prioritare janë prezent. E para është se në këto marrëveshje që bëhen tash në Jugosllavi ne duhet të dalim me platformën, pa marrë parasysh se a do të marrim pjesë apo jo në këto biseda, pra duhet të dalim me kërkesën për statusin e shqiptarëve si popull në Jugosllavi, gjë që historikisht na takon”, tha Ramadani. Ai më tej në vlerësimin e tij tha se shqiptarët në jugosllavi si popull janë të barabartë me popujt e tjerë si nga pikëpamja historike, të autoktonisë, të kompaktësisë dhe të numrit me popujt me të cilët jetojnë. E dyta duhet të dalim me kërkesë që Kosovës t’i njihet normativisht dhe faktikisht subjektiviteti shoqëror dhe shtetëror ashtu sit ë gjitha njësive të tjera që do të përbëjnë shoqërinë e ardhshme, pa marrë parasysh a do të jetë me elemente konfederate ose me ndonjë element federativ apo do të jetë ndonjë kombinim tjetër. Unë kisha thënë se në këtë moment, si pjesë e strategjisë së përgjithshme, por si kërkesë konkrete për kahe dhe aspekti taktik është mirë të ngelim në këtë qëndrim, shtoi më tej Hysen Ramadani. Ai më tej në fjalimin e tij u ndal në statusin e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi dhe propozoi dy opsione, atë të autonomisë dhe opsioni i dytë ishte pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet si faktorë shtetformues. “Mua më duket se për ne në Maqedoni do të ishte më mirë në këtë moment solucioni i dytë, pra të insistojmë programet e deritanishme që i kemi në partitë tona, se Maqedoninë e përbëjnë maqedonasit dhe shqiptarët si popuj shtetformues. Kemi shpresë se ky qëndrim do të objektivizohet dhe do ta pranojnë edhe ata që tash për tash nuk janë të gatshëm për një solucion të tillë. Kjo vlen edhe për situatën në Mal të Zi”, u shpreh Hysen Ramadani, i cili më tej diskutimin e tij e përqendroi në tezën e dytë të takimit, mënyrat e veprimit. Ramadani shprehi keqardhje për mosprezencën e deputetëve të parlamentit federativ, me të cilët ai tha se do të kishte dashur të konsultohen mbi rezolutën që kishin propozuar ata dhe për të njëjtën kërkoi mendimin e të pranishmëve në kuvend. “Në këtë apel-rezolutë kërkohet shfuqizimi i të gjitha akteve të cilat e kanë vendosur situatën e jashtëzakonshme nga Serbia, pra të gjitha aktet e dhunës, i gjithë sistemit policorë”, sqaroi Hysen Ramadani, I cili tha se nuk pret që kjo rezolutë të kalojë lehtë në Parlamentin federativ, por sipas tij edhe nëse kjo ndodh, Serbia nuk do të tërhiqej nga veprimet e saja, por kjo do t’u hapte rrugën dhe do t’ua lehtësonte punën politikës dhe strukturave shqiptare si në aspektin taktit ashtu dhe në atë strategjik. “Jam i bindur se për të marrë numrin e mjaftueshëm të votave do të varet prej asaj se çfarë përgjigje do të japim në pyetjen që na është bërë publikisht. Pra, thjeshtë nesë mundësohet tubimi i Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës, bëhet pyetja me cilën kushtetutë do të punojë Kuvendi i Kosovës? Unë po e bëj këtë pyetje për t’u konsultuar me ju, se një farë përgjigje duhet dhënë. Jam i sigurt se kolegët e Kuvendit federativ do të veprojnë sipas sugjerimit tonë këtu”, tha Hysën Ramadani, i cili më tej shtoi se për të kaluar kjo rezolutë duhet të çmohet se deri në cilën shkallë elasticiteti mund të shkohet me rezolutën para Kuvendit federativ dhe para opinionit botëror. “Do të ishte më lehtë, besoj se do të kalonte sikur të ishte e përcjelle me një deklaratë me kërkesën e shfuqizimit të Kushtetutës së Serbisë dhe të gjitha aktet e dhunës deri sa të bëhet marrëveshja për rendin e ardhshëm në Jugosllavi”, tha Hysen Ramadani. Nga ana tjetër, ai kërkoi të deklarohen për të pezulluar edhe aktet e Kuvendit të Kosovës deri sa të bëhet marrëveshja e re. “Do të isha shumë i kënaqur sikur të ishte prezent këtu edhe Iljaz Kurteshi ose dikush tjetër. Nëse vendosim me këtë mënyrë, kjo nuk është kthim prapa, por është në vijën e strategjisë, është një bazë për një aktivitet shumë të madh në qarqet tjera të Jugosllavisë dhe jashtë në Europë dhe Amerikë. Pra, deri sa të bëhet marrëveshja, bëjmë një moment frymëmarrje për popullin tonë, në aspektin e fuqizimit, kondensimit të tij material – psikik”, tha në fund të fjalës së tij, Hysen Ramadani.

Pas Ramadanit ndërhyri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kërkoi një sqarim më të hollësishëm dhe një vendim se me cilën Kushtetutë do të duhej të punohet në të ardhmen. “Nëse pezullohet puna e Kuvendit të Kosovës, për të cilën Kushtetutë mendoni se duhet të jetë në fuqi ajo e 1989 apo ajo e 1974?

Kemi Kushtetutën e 1974, 1989 dhe Kushtetutën e Kaçanikut 2 Shtator 1990”, tha Ibrahim Rugova. Hysen Ramadani tha se, sipas tij, më e pëlqyeshme ishte Kushtetuta e vitit 1974 bashkë me amandamentet për çështjet ekonomike që u aprovuan për ndryshimin e sistemit ekonomik. Pas Rugovës dhe Ramadanit, fjalën e mori përfaqësuesi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, i cili tërhoqi vërejtjen se pa të drejtë, por me bindje se edhe pa ndonjë qëllim të keq, gjatë diskutimit u përmendën vetëm Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, ndërsa jo edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Halimi tha se mendimi i tij i parë ishte se kjo ndoshta ka ndodhur për shkak të termit të palakmueshëm që përdorej deri më atëherë, Serbia Jugore ose emrit të gjatë Preshevë-Medvegjë-Bujanoc. Ai gjithashtu tërhoqi vërejtjen se edhe në shtypin e kohës paraqitet u njëjti lëshim, që sipas tij nuk duhet të përsëritej më, meqë edhe këto janë troje ku shqiptarët janë autokton. Riza Halimi në pjesën e synimeve dhe në diskutimin për statusin e Kosovës, tha se duhet shqyrtuar dy zgjidhjet, Republika e Kosovës të 7 shtatorit të Kaçanikut dhe opsioni tjetër Republika e Shqiptarëve. “Mendoj se duhet t’i shqyrtojmë problemet brenda rrethanave në të cilat gjendemi, prandaj zgjedhjen e çështjes kombëtare duhet marrë gradualisht në etape. Ky është edhe orientimi i Partisë për Veprim Demokratik, e cila angazhohet dhe lufton për statusin e kombit për shqiptarët në Jugosllavi dhe për Republikën e Kosovës në një konfederatë çfarë do të jetë ajo e ardhmja”, tha Riza Halimi. Kosova Republikë, sipas Halimit, do të ishte një fitore e madhe për të gjithë shqiptarët jashtë atij kuptimi gjeografik që quhet Kosovë. Me Republikën e Kosovës, Riza Halimi, vlerëson se realizohet hapi i parë në arritjen e statusit të kombit për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi. Halimi bëri dhe një vlerësim të situatës politike të asaj kohe, duke përmendur aspektet negative dhe pozitive bashkërisht. “Në situatën politike mund të dallohen disa pika pozitive, disa orientime pozitive që po vërehen në kohët e fundit. Këtë duhet përmendur, si për ngritjen e vetëdijes politike dhe sidomos të asaj kombëtare, te të gjithë shqiptarët, natyrisht me dallime, varur nga hapësira ku jetojmë, mandej formimi i partive dhe shprehja më e lirë e opsioneve politike dhe kombëtare, që në krahasim me ato të mëparshëm, vitin e fundit paraqet një hap të madh” u shpreh Riza Halimi. Në Preshevë dhe Bujanovc, Halimi tha se shumë më lirshëm shprehet vullneti politik, ndërsa nga aspekti i organizimit të asaj kohe, ai tha se janë në gjendje të shprehin në mënyrë dhe kushte më të volitshme se në Kosovë, mirëpo për shkak të situatës politike dhe agresionit serb në Kosovë uniteti i shqiptarëve nuk është i njëjte. Sipas tij, shqiptarët e viseve të tjera nuk janë unik si ata të Kosovës, të cilët rrethanat i kanë detyruar në një unitet më të madh. “Deri para një kohe kam qenë mjaft pesimist për trevën ku jetoj unë, ku partia në pushtet shumë letë i ka zbatuar vendimet nëpërmjet të delegatëve shqiptarë, bile vendime që kanë qenë tejet të disfavorshme për shqiptarët. P.sh. kuvendi komunal ka sjellë vendim për aplikimin e masave të jashtëzakonshme në qendrën arsimore. Pra prej shumicës shqiptare prej 80%deri para disa muaj janë sjellë vendime të tilla. Një kohë me të vërtetë isha pesimist për gjendjen ndër shqiptarët ku mungonte uniteti kombëtarë. Mirëpo rrjedhat e fundit tregojnë se gjërat kanë ndryshuar dukshëm”, tha më tej Halimi. Ai gjithashtu vlerësoi se degradimi i pozitës shqiptare në Jugosllavi nuk ishte gjithkund i njëjtë. Për shkak të taktizimeve të caktuara, Halimi tha se, pushteti i asaj kohe është ruajtur që mos të bëjë represalie në Preshevë dhe Bujanovc njëjtë si në Kosovë. Riza Halimi kritikoi edhe për mosunitet dhe lëshimet në shtypin ditor të asaj kohe, ku sipas tij, partitë më të mëdha në Kosovë liheshin anash dhe gjenin vendin e duhur në këto gazeta. “Po më duket se pa të drejtë partitë politike në Kosovë kanë filluar të lehen anash në gazetat tona, e kjo është si një parakusht për dezintegrimin e opsioneve dhe të unitetit. Në këtë plan, ma merr mendja se në atë seri të propozimeve që i dha diskutuesi i parë, vendin e parë duhet ta ketë eliminimi i këtyre mosmarrëveshjeve dhe arritjen e një uniteti të domosdoshëm që i përgjigjet situatës drastike në të cilën gjendemi”, tha Riza Halimi. Ai më tej u përqendrua edhe në format e rezistencën, duke u ndalur në rezistencën aktive. “E pamë se çka ndodhi në Litvani, ata e ruajtën vendin e punës, por prapë erdhi te gjakderdhja. Ne po deklarohemi për metoda demokratike, por pa gjakderdhje. Bëhet pyetja a është dashtë të vihet rezistencë për vendet e punës, çfarë rezistencë dhe me çfarë çmimi”, tha Halimi para të pranishmëve në Stubiçke Toplicë. Ai këtë rast e krahasoi edhe me situatën e asaj kohe në Preshevë kur pritej të fillojë gjysmëvjetori i dytë në shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa ekzistonte rreziku që pushteti t’i largojë nga puna disa arsimtarë të gjuhës shqipe dhe historisë. Në këtë situatë, sipas Halimit, nuk mund të gjendej një formë e rezistencës për shkak se të pranishëm ishin edhe nxënësit, ndërsa nga ana tjetër, shoqata e arsimtarëve kundërshtonte plan-programin e Serbisë dhe kërkonte që në shkolla të zbatohet plani i hartuar nga institucionet e asaj kohe paralele të Kosovës. “Aty nuk është në pyetje vetëm programi, por edhe ligji për zbatimin e dokumenteve, dëftesave, diplomave, ajo që është duke u aplikuar në Preshevë, Bujanoc qe 4-5 vjet edhe në Maqedoni qe 7-8 vjet, faktikisht me atë ligj që po flitet aq shumë dhe aq në mënyrë pompoze në Serbi, është ai që do të aplikohet edhe në Kosovë. Është i qartë qëndrimi që ato mos të pranohen, se ajo nuk do të ishte më shkollë shqiptare, ku nuk do të mësohet historia shqiptare ose kur t’i zgjedhim cilët shkrimtarë do t’i mësosh, dihet se çka ndodh prej kësaj”, tha Riza Halimi. Ai gjithashtu vlerësoi se edhe institucionet kulturore dhe shkencore të Kosovës kanë mbetur pas. Ndërsa gjithashtu. tha se ndjehet edhe mungesa e veprimit të Akademisë së Shkencave të Kosovës. Ai tha se janë për t’u përshëndetur nismat që po ndërmerren kohët e fundit, por ata s’janë të mjaftueshme. Halimi tha se duhet të hyjë në temat shkencore të ndjeshme dhe të përpunohen në nivel më të lartë. Me të njëjta vlerësime Riza Halimi doli edhe për shoqatën e shkrimtarëve, e cila sipas tij, kohëve të fundit ka luajtur një rol vendimtarë kombëtarë, veçanërisht në kohën kur kanë filluar të bllokohen institucionet legale.

Pas Halimit, fjalën e mori Lazër Krasniqi, i cili shtoi se synimet kryesore të pjesëmarrësve në këtë takim duhet të jenë që populli shqiptarë në Jugosllavi të pranohet nga Europa si popull, po ashtu edhe nga faktori jugosllavë. Për synimin e dytë rreth statusit të Kosovës, Krasniqi ishte i prerë se për këtë çështje nuk ka çfarë të bisedohet dhe tha se kjo tanimë është çështje e kryer. “Rreth statusit të Kosovës s’kemi çka të bisedojmë, sepse kjo çështje është vendosur, populli e ka kërkuar dhe Kuvendi legjitim i Kosovës e ka aprovuar – Kosova Republikë. S’kemi çka të bisedojmë rreth kësaj çështje, as në pikëpamjen strategjike, as në kurrfarë lëvizje, kjo është çështje e kryer dhe e plotësuar dhe unë mendoj që ne si parti politike, këtë çështje nuk duhet ta vëmë në rend të ditës”, tha kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane, Lazër Krasniqi. (Vijon)

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm