I pranishëm ishte edhe zëvendësministri i arsimit Agim Nuhiu, i cili tha se studentët e ri janë ardhmëria e vendit dhe vuri në pah rëndësinë e këtij institucioni si dhe mundin që është dhënë për t’ua lehtësuar gjeneratave të reja arsimimin
Urim HASIPI
Tetovë, 2 tetor – Me ngushëllime dhe një minutë heshtje filloi ceremonia e fillim vitit akademik të ri në Universitetin e Tetovës. Kjo për shkak se 18 vjeçari Erion Zenuni nga Çegrani i Gostivarit u nda nga jeta në një aksident trafiku. Për këtë rast policia e Tetovës raportoi se të dielën mbrëma dyzet minuta pas mesnatës në SPB-Tetovë është raportuar se në autostradën Gostivar-Tetovë, në stacionin e pagesës rrugore Gostivar, një veturë “Seat ibiza” me targa regjistrimi të Gostivarit e drejtuar nga 18-vjeçari E.Z. nga Çegrani i Gostivarit ka dalë nga rruga dhe ka goditur një shtyllë betoni. Në aksident, E.Z., ka pësuar lëndime të rënda trupore të cilat janë konstatuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit “Ferid Murad”, ku u transferua për ti ofruar ndihmë mjekësore dhe i njëjti rrugës gjatë transferimit për në Kompleksin e Klinikave Nënë Tereza në Shkup iu nënshtrua lëndimeve dhe ka ndërruar jetë. Në vendin e aksidentit, inspektimin e ka kryer prokurori publik dhe një ekip nga Departamenti i Punëve të Brendshme Gostivar. Me urdhër të Prokurorit të Publik, të hënën është kryer autopsi.
Pasi shprehën ngushëllime familjarëve dhe kolegëve të Erionit, rektori i Universiteti të Tetovës, Jusuf Zeneli iu drejtua brucoshëve, duke u uruar vit të mbarë dhe duke u bërë thirrje që të jenë sa më kyçur në të gjitha proceset arsimore duke përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në debate klube dhe grupe pune. “Ne nuk do të jemi thjesht mentorë, por do të jemi partnerë në kërkimin tuaj të dijes dhe mençurisë. Ne do të përpiqemi vazhdimisht që të krijojmë për ju një mjedis më të mirë arsimor dhe të ju ndihmojmë të arrini qëllimet tuaja akademike. Universiteti i Tetovës, është një institucion serioz i cili ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e studentëve. Nëpërmjet gamës së gjerë të programeve studimore, infrastrukturës dhe resurseve, ne do të ju ofrojmë juve mundësi të shumta zhvillimi profesional. Secili prej jush sjell një perspektivë dhe talent unik në komunitetin tonë. Idetë tuaja, pasionet dhe zërat tuaj kanë rëndësi të veçantë edhe për ne. Bëhuni pjesëmarrës aktivë në diskutime, klube dhe aktivitete të ndryshme, të cilat organizohen në numër të lartë nga fakultetet e ndryshme të universitetit tonë”, tha Jusuf Zejneli, Rektor i UT-së.
I pranishëm ishte edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Agim Nuhiu, i cili tha se studentët e ri janë ardhmëria e vendit dhe vuri në pah rëndësinë e këtij institucioni si dhe mundin që është dhënë për t’ua lehtësuar gjeneratave të reja arsimimin. Në fund të ceremonisë, të gjithë studentët e rinj u ftuan që të marrin indekset e tyre në administratat e fakulteteve ku janë regjistruar. (koha.mk)