E enjte, 6 Shkurt, 2025
5.8 C
Skopje

Vazhdojnë telashet e Mickoskit me fqinjët

Greqia dhe Bullgaria edhe njëherë i tërheqin vëmendjen Shkupit zyrtar në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me çështje identitare. Athina i ka cilësuar si provokuese deklaratat e Mickoskit se çështja maqedonase ende nuk është zgjidhur. Presidenti bullgar, nga ana tjetër, përkujton Shkupin për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese

Ersan PAJAZITI

Shkup, 23 janar – Qeveria e vendit vazhdon të ketë probleme me fqinjët. Greqia dhe Bullgaria edhe njëherë i tërheqin vëmendjen Shkupit zyrtar në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me çështje identitare. Reagime të ashpra në Greqi ka shkaktuar fjalimi i kryeministrit Hristijan Mickoski në takimet në Nju Xhersi gjatë vizitës së tij në SHBA, ku Mickoski thekson se çështja maqedonase nuk është zgjidhur. Athina zyrtare i interpreton deklaratat e Mickoskit se Shkupi nuk e konsideron të zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin me Greqinë. Sipas Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Mickoski po mundohet që “ta rikthejë në plan të parë çështjen e cila, siç e dimë të gjithë, është zgjidhur njëherë e përgjithmonë”.

“Kjo ngjarje paraqet një sfidë për Greqinë, duke u përpjekur të rikthejë në plan të parë një çështje të zgjidhur, siç dihet, përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme. Greqia kujton se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimi i papenguar i rrugës evropiane të fqinjit të saj kërkon respekt të plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe, natyrisht, përmbajtjen nga deklaratat dhe pretendimet irredentiste ndaj vendeve fqinje”, thonë nga diplomacia zyrtare greke.

Qeveria nuk komentoi reagimin e MPJ-së greke. E pyetur nga gazetarët rreth reagimit të Athinës zyrtare, zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva tha se “nuk ka çfarë të shtojë më shumë se sa qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski”. Përndryshe, duke folur për diasporën maqedonase në New Jersey, Mickoski deklaroi se “lufta në shtëpi është një luftë që ne do ta bëjmë, një luftë për infrastrukturë më të mirë, shëndetësi më të mirë, arsim më cilësor, ekonomi konkurruese dhe ne e bëjmë këtë që kur ne u zgjodhëm si Qeveri, por kjo luftë për një nga kombet më të vogla në Evropë nuk mjafton”.

Duhet të fitojmë në Uashington, në Bruksel, në Berlin, në Londër, në Paris, në Romë dhe në kryeqytete të tjera botërore, nëse duam që çështja maqedonase të gjejë përfundimisht zgjidhjen e saj, sepse ajo nuk është zgjidhur, ka djegur dhe ka qëndruar me shekuj dhe ekziston, deklaroi Mickoski në SHBA.

Greqia e lidh këtë deklaratë me Marrëveshjen e Prespës që të dy vendet nënshkruan në vitin 2018, e cila i dha fund mosmarrëveshjes prej dekadash për emrin. Pas marrjes së detyrës, lidershipi shtetëror maqedonas njoftoi se do të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të lidhura në Greqi dhe Bullgari, por për përdorim të brendshëm, kryeministri Hristijan Mickoski vazhdoi të përdorë emrin Maqedoni, në vend të emrit kushtetues – Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë, Sofja edhe njëherë vuri në shprehje kushtin e tyre në drejtim të Maqedonisë së Veriut për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Presidentit bullgar Ruman Radev siç njoftuan nga kabineti i tij ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak. Radev dhe Miroslav Lajçak theksuan prioritetin që Komisioni Evropian i jep temës së zgjerimit të BE-së, e cila i mundëson Ballkanit Perëndimor të përparojë në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Duke diskutuar për aspektet e integrimit evropian të vendeve të rajonit, presidenti bullgar Radev edhe njëherë ka kërkuar që Maqedonia e Veriut ti përmbush detyrimet e saja dhe të ndryshoj kushtetutën.

“Presidenti Radev shprehu mirënjohje për përpjekjet e Miroslav Lajçak në drejtim të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shprehu shpresën se në një të ardhme të afërt udhëheqja e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të tregojë vullnet politik për zbatimin e konsensusit evropian të vitit 2022, konkretisht përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e saj e cila do t’i hapte rrugën vendit për të filluar negociatat për anëtarësimin e plotë në BE” thuhet në deklaratën e kabinetit të presidentit bullgar.

Bullgaria përndryshe ka disa ditë që ka formuar qeverinë e re, ndërsa kjo është përcjellur me interes të veçantë nga faktori politik në vend. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm