Dukuria në fjalë është prezent vite me rrallë, por tani kur pritej se kriza ekonomike do të ndalë hovin e gjeneratës së sotme të maturantëve, ajo nuk ndodhi. Maturantët Fitim .P dhe Besmir D. thonë se një pjesë të gardërobës e kanë siguruar në Shkup por pjesën tjetër në Tiranë
Vjollca SADIKU
Dibër, 5 maj – Euforia e mbrëmjes së maturës duket se është nga fundi, pasi që nga java e dytë e muajit maj të gjitha shkollat e mesme në vend do të festojnë përmbylljen e ciklit të shkollimit të mesëm. Dyqanet e qyteteve janë mbushur përplot me veshmbathje të bukura me qëllim të tërheqjes sa më shumë maturantëve, ndërsa sallonet e zbukurimit tashmë kanë mbushur listën e rezervimeve për këtë natë. Në prag të përfundimit edhe të një gjenerate të maturantëve në gjimnazin e Dibrës, edhe sivjet realizohen ahengje pompoze për maturantët.
Edhe pse jemi në një kohë krize ekonomike, prindërit e maturantëve edhe këtë vit ndajnë mjete të mëdha për të organizuar darkat e maturantëve nëpër restorantet e Dibrës. Duke marrë parasysh se këto darka i organizojnë ata që i kanë edhe xhepat plot, indirekt detyrojnë në një mënyrë që edhe familjet me probleme sociale të realizojnë darka të tilla për fëmijët që i kanë maturantë.
Këto ditë në Dibër restorantet janë për plot me ahengje si të maturantëve të familjeve që jetojnë në Dibër, ashtu edhe të prindërve që kanë maturantë e që janë nga fshatrat. Muaji maj edhe këtë vit në aspektin financiar është pozitiv në objektet shërbyese në Dibër dhe rajon. Tani kur pritet përfundimi oficial i maturantëve të gjeneratës 2024-2025 familjet që kanë maturantë organizojnë ahengje kushtuar fëmijëve- maturantë. Dibra këto ditë ka një dinamikë të veçantë sa u takon restoranteve. Pronarët e restoranteve janë të kënaqur nga përfitimet meqë në pjesën më të madhe të darkave të ahengjeve familjet harxhojnë shumë para. Të dhënat e shkollës së mesme komunale ”28 Nëntori” në Dibër, respektivisht drejtori Ramadan Imeri na njohtoi se këtë vit maturën e përfundojnë 135 maturantë, nga të cilët 99 me mësim në gjuhen shqipe dhe 36 në gjuhen maqedonase.
Të gjithë familjet e maturantëve organizojnë gëzime familjare për përfundimin e maturës. Në takimet që ka patur drejtoria e shkollës së mesme me prindërit e maturantëve, por edhe me vet maturantët, është sugjeruar që maturantët të mos bëjnë harxhime të tepërta për mbrëmjen e maturës. Drejtori Ramdan Imeri potencon se ka sugjeruar që të mos bëhen harxhime të tepërta pa nevojë as për gardërobën, por as edhe për ahengjet që mbahen nëpër familje. Imeri për gazetën “KOHA” thotë se suksesi më i madh i maturantëve është nëse ata vazhdojnë shkollimin superior. Por, nga ana tjetër edhe pse prindërit dhe maturantët marrin pjesë në takimet sugjerimet e drejtorit të shkollës ashtu siç ishte edhe viteve të tjera, edhe këtë vit nuk respektohen. Familjaret e maturantëve vazhdojnë të bëjnë ahengje. Mbrëmjet ku shtrohen darkat për maturantët askush nuk i bën në shtëpi, por ata realizohen nëpër restorante duke harxhuar prindërit shuma të mëdha parash. Po ashtu shumë para shpenzohen edhe për sigurimin e gardërobës për mbrëmjen e maturës. Një pjesë e mirë e maturantëve sigurojnë gardërobën e tyre jo vetëm në vend, kryesisht në Tetovë dhe Shkup, por udhëtojnë këto ditë edhe në Tiranë, Prishtinë, Prizren si dhe Stamboll.
Dukuria në fjalë është prezent vite me rrallë, por tani kur pritej se kriza ekonomike do të ndalë hovin e gjeneratës së sotme të maturantëve, ajo nuk ndodhi. Maturantët Fitim .P dhe Besmir D. thonë se një pjesë të gardërobës e kanë siguruar në Shkup por pjesën tjetër në Tiranë. Ata të dy do të vijojnë studimet, por thonë se kanë shumë dëshirë të vishen bukur për mbrëmjen e maturës. Janë të bindur se familjarët e tyre harxhojnë shumë para, por ata thonë se “një herë jemi maturantë”. Edhe këtë vit, prindërit duan apo s’duan, janë duke harxhuar shumë para për maturantët e tyre. Mbrëmja e maturës duket se do t’ju kushtojë shuma të mëdha familjeve që kanë fëmijët maturantë. Ata që i kontaktuam për gazetën “KOHA” na thanë se kanë shpenzuar nga 1000 deri në 1500 euro, por ka edhe me shumë. “Prej në fillim ka patur shpenzime dhe ende ka, por gjithçka varet nga shija e maturantëve, çka dëshirojnë të blejnë, si mendojnë të duken për atë mbrëmje, si dhe festa e familjarëve të maturantëve”, na thanë disa nga maturantët.
Në Dibër janë evidentuar raste kur prindërit kanë qenë të detyruar të marrin kredi nga bankat për të festuar fëmijët e tyre maturën. Edhe pse dibranët në vazhdimësi në dekada kanë kontribuar shumë për arsimimin e të rinjve, kjo dinamikë duket se është duke vazhduar edhe më tej. Të dhënat e shkollës së mesme thonë se mbi 90 për qind e maturantëve do të regjistrohen në universitetet e vendit dhe jashtë vendit. Drejtori i shkollës së vetme të mesme në Dibër Ramadan Imeri thotë se nga gjithsej 135 maturantë, 120 kanë dhënë provimin e maturës shtetërore, që do të thotë se mbi 90 për qind i maturantëve do të vijojnë studimet superiore. Kjo është një karakteristikë shumë e mirë që tregon se ata e duan arsimin. Por, kur jemi tek harxhimet e tepërta për ahengjet dhe gardërobën e maturantëve, ata assesi të kuptojnë se nuk ka nevojë të bëhet shpenzim i ekzagjeruar, por të jetë simbolike. (koha.mk)