Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë këtë të hënë (sot, 18 mars)
Procesi gjyqësor në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së pritet të nis në ora 09:00 këtë të hënë, ndërsa seancë do të ketë edhe të martën dhe të mërkurën (19 dhe 20 mars). Seancat e fundit gjyqësore për këtë muaj priten të mbahen në Hagë më 25, 26, 27 dhe 28 mars.
Nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri më tash janë dëgjuar 48 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa të hënën pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 49-të.
Ditët e fundit janë karakterizuar me disa aksione të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Kosovë. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) bastisi shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, nën dyshimet për pengim të drejtësisë. Gjithashtu, u intervistua edhe Sami Lushtaku, një ndër figurat kyçe të Zonës Operative të Drenicës.
Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999. Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. (AP)